Mehmet Elezi - 07/05/2004

Heronjtë që shesin cigare

Kurrkush nuk jep të dhëna të sakta. Herë pas here përmenden shifra të analfabetizmit të fëmijëve. Në shtyp kam lexuar për njëzet për qind analfabetë. Ç’mjerim! Jo për ata, për shoqërinë shqiptare më së pari


Janë të bezdisshëm e padashje ta zënë kafen në fyt. Kamerierët i përzënë me fjalë të ndyra. Ata në të vetën: dëshironi cigare, kartë telefoni?
Nuk mund të mos kesh nderim për heroizmin e tyre tragjik. Fati i tyre nuk është si ai i heroit të Fatit të Njeriut të M. Shollohovit, rinia e flijuar e të cilit u shpërblye me tragjedi. Nuk është si ai sepse këta nuk kanë rini: janë fëmijë nga shtatë-tetë deri në dhjetë a dymbëdhjetë vjeç. Nuk është si ai sepse këta nuk kanë as fëmini. Fëminia parakupton lojë. Ata nuk kanë nge me luejtë. Ata çohen pa dalë drita dhe nisen me sytë e palarë. Duhet të shkojnë te qendra e shpërndarjes me e marrë "mallin" e me dalë në treg.
Fëminia parakupton shkollë. Ata nuk kanë kohë për të mësuar.
Pse nuk e vazhdon shkollën? - e pyes njërin.
E lashë kur do të hyja në të katërtën-më përgjigjet me ftohtësinë e një burri. Kallëzon çantën me cikërrimat që duhet t’i shesë. Thotë se janë tre fëmijë, ai është i madhi, të atin nuk e kanë që dy vjet. Jetojnë diku afër ish-Kinostudios, ua ka lëshuar dikush një fjetë (dhomë) të pameremetuar plotësisht.
Fëminia parakupton një akullore. Por fitimin e ditës duhet ta çojnë në shtëpi, ku e presin pesë-gjashtë a më shumë gojë. Jo për akullore, po për copën e bukës.
Ka shumë të tillë nëpër rrugët e Tiranës. Kryesisht veriorë, sepse ata kanë ardhur vonë. Pesëdhjetë vjet rresht prej viseve të Veriut derdheshin pasuritë që mbanin gjallë Shqipërinë, kromi, energjia elektrike, bakri i pasur me ar, pyjet, po për njerëzit që prodhonin atje nuk u bë kurrë një investim. Edhe tashti organet e pushtetit i presin me këmbët e para. Në prag të çdo votimi ose pas çdo proteste rifillon loja cinike e premtimeve për legalizim banesash, për urbanizim, për.... E gjithçka rinis prej fillimit.
Midis tyre ka edhe jugorë: ndonjë devolli, për shembull.
I sheh nëpër klubet më të lira (te të tjerat nuk i le kush me hy), nëpër rrugë, në udhëkryqe, te stacionet e autobusit. Dridhen nëpër shi. Kolliten prej erës së dimrit e ndotjes. Kur bashkohen tre-katër, rrallë, bëjnë ndonjë sherr pa të keq me njëri-tjetrin. Fëmijë hesapi.
Ç’do të bëhen nesër këta fëmijë?
Janë bisnesmenët e ardhshëm, thotë dikush. Mundet. Qysh tashti ndeshen edhe me "konkurrencën" e egër: ndonjëri më i madh e më i pashpirt i përzë ata më të vegjlit nga vendet ku del diçka më mirë. Ndonjëherë i mashtrojnë. Ndonjëherë ua grabitin "mallin" ose fitimin e ditës. Vonë, në orën nëntë të një nate dimërore, njëri syresh vinte duke dihatur përskaj trotuarit të bashkisë: a thue e gjej autobusin e Tufinës?


Atje banonte familja e tij. Ish harruar në punë.
Janë të mjerët e ardhshëm, thotë dikush. Mundet. Pa shkollë, pa zanat, sa të bëhen pesëmbëdhjetë vjeç e ta ndiejnë se u bënë "burra", nisin për të menduar më seriozisht, në mënyrën e tyre, për të ardhmen. Dhe tërë rrugët çojnë në një pikë: gomonet e Vlorës. Fati i tyre në ngushticën e Karaburunit, ose, po deshe, në ngushticën midis Shillës e Karibdës. Në njërën anë shtjellat ujore e peshkaqenët e natës, në anën tjetër mafia dhe e panjohura matanë një deti ku bota vezullon marramendshëm. Vezullon, po jo për ta.
Janë... kontingjent i krimit, thotë dikush. Disi cinike kjo thënie. Këto qenie që shkelin mbi fëmininë e tyre për ta mbajtur shtëpinë me bukë kanë predispozicion tjetër, shumë njerëzor. Megjithatë, zhgënjimet e jetës e mungesa e shkollimit mund të çojnë gjithkund. Te krimi ordiner është fjala. Se krimi i organizuar e shumë fitimprurës është "emërtesë" e të tjerëve. Me të merren qeveritarë shumëmilionerë që luajnë me fatet e Shqipërisë.
Sa janë të tillë nëpër Tiranë?
Kurrkush nuk jep të dhëna të sakta. Herë pas here përmenden shifra ta analfabetizmit të fëmijëve. Në shtyp kam lexuar për njëzet përqind analfabetë. Ç’mjerim! Jo për ata, për shoqërinë shqiptare më së pari. Te ky njëzetpërqindësh hyjnë edhe të tjerë që e lënë shkollën se s’duan të mësojnë, edhe fëmijët e gabelëve, edhe fëmijët e katundeve të largëta ku janë mbyllur shkollat, edhe...
Shteti nuk ka një studim për ta, strategji integrimi jo se jo. Qindra OJQ-të e Tiranës, nuk e di, por përderisa asgjë nuk ndryshon, përderisa drama veç thellohet, do të thotë se as ato nuk ndryshojnë gjë.
Më kujtohet thënia e një të mençuri: sa më pak shkolla, aq më shumë burgje. Afërsisht kështu.
Në Shqipëri shkatërrimi i shkollës ka edhe pamje tjetër
Ka fytyrën e të pashkollit që e blen diplomën e një mëngjes na gdhihet prokuror, doganier, komisar, ministër... me diplomë të rreme.
Ka fytyrën e mësuesit që ua bën mësimin “lepurisht” nxënësve gjatë orës së mësimit, sepse pasdite i merr në konsultime private me çmime të kripura; e kush nuk vjen, e ka të sigurt ngeljen a notën shumë të ulët, siç ndodh edhe në shkollat më me emër të Tiranës.
Ka fytyrën e ministrit të vetëkënaqur që gdhihet profesor a akademik pa botuar në jetë të vet qoftë edhe një libër të vetëm, por që ka nëpër duar shumë tendera, pushtet e veprimtari të tjera në terrnajë.