-
Një roman mbresëlënës..
OPINION
Një roman mbresëlënës me një aktualitet të thekshëm
08-11-2008 / Kostaq XOXA
Sot, kur po flitet për dosjet dhe për dënimet e krimeve të komunizmit, mendimi i parë që të përftohet për këtë roman të Reshat Kripës, është se kjo vepër ka ardhur në kohën e duhur. Pasi lexon romanin, lexuesi befasohet me krimet që bëhen brenda atyre qelive të errëta e të mistershme, për të cilat kemi dëgjuar shumë, por jo gjithçka. Dhe ky sensibilizim që na bën vepra, përmes personazheve të skalitur, që na lënë përshtypje të thellë se gjer në ç’pikë mund të arrijë mizoria e shpirtit njerëzor, jetësohet jo vetëm nga përmbajtja me një potencial tronditës e tragjik, por veçanërisht edhe nga mënyra e shtjellimit të ngjarjeve, nga aftësia e autorit për t’i bërë këto ngjarje të besueshme, në një stil të thjeshtë, në përshkrime të natyrshme, në rrëfime të rrjedhshme; por, - jo më pak e rëndësishmja, - me vlera të qenësishme letrare. Autori nuk është rishtar në artin e të shkruarit. Me këtë roman ka arritur nivelin më të lartë, dëshmi kjo se vepra e tij në prizmin artistik është gjithmonë në rritje. *** Ministri i brendshëm u dha krah sadistëve, me atë pohimin e tij për t’i vrarë njerëzit „kot më kot“: „Fshatarët e pasur, tregtarët, pronarët, na kanë mbajtur me bukë e me veshje gjatë luftës sonë partizane. Dhe tani, që ne i kemi shpallur të deklasuar e armiq, ata prapë po na ndihmojnë. I kemi vënë nën pranga dhe i kemi mbyllur në kampe që, falas, të na thajnë kënetat, të nxjerrin mineralin e nëntokës, të ndërtojnë aeroportin, pallatet e banimit, të hapin kanale vaditëse... I keqtrajtojmë, i burgosim, i vrasim kot më kot dhe kur të duam. Nga ky tmerr dhe nga kjo llahtari frikësohet në palcë e gjithë pjesa tjetër e popullit dhe na bindet. Disa prej tyre me hir, por edhe me pahir, i kemi kthyer në spiunë, në bashkëpunëtorët tanë. Kështu, klasat e përmbysura kanë punuar dhe po punojnë për ne...“. Ja, drejtësia cinike komuniste. Këtë panoramë të llahtarshme që e jep ministri i Brendshëm se ç’tmerre janë bërë e duhet të vazhdojnë të bëhen në bodrumet dhe nëpër qelitë e hetimeve, këto qëndrime kriminale ndaj të pandehurve prej njerëzve shpirtkazmë për të cilët njeriu nuk ishte veçse një qenie që mund të të mbetej në dorë nga torturat çnjerëzore dhe vrastari mund të shlyhej vetëm me një procesverbal përligjës, bash këtë xhungël gjakpirësish nga më të pamëshirshmit, ka synuar ta ngrejë në art, autori i „Shkallëve të ferrit“. Dhe ia ka arritur qëllimit, duke përfituar edhe nga e vërteta e hidhur se ka qenë vetë objekt i këtyre shkallëve të ferrit. Ai citon dy tercete të Dantes, që përmbajnë vargun e famshëm „O ju që hyni mbrendë keni mbarue!“. Ata që i kanë provuar këto shkallë, e dinë edhe në origjinal: „Lasciate ogni speranza, o voi ch’entrate“. Nga ato që ka shprehur ministri i Brendshëm, përveç togfjalëshit cinik „i vrasim kot më kot“, del edhe mosmirënjohja dhe pabesia, kur thotë që viktimat e pafajshme dikur i mbanin me bukë. Syrja Selfo ka qenë ndër mirëbërësit vetjakë më të përkushtuar të Enver Hoxhës dhe diktatori shtiret sikur nuk e di se ishte vënë nën torturë, për t’u vetakuzuar e për t’u dënuar me vdekje. Në romanin tonë protagonisti është bir dëshmori, kryeinxhinier, me studime të larta të kryera në Çeki. Por i ndershëm e me karakter siç ishte, e quajti si fyerje dhe nuk pranoi që të vinte një firmë bashkëpunimi, prej njerëzish të paskrupullt të Sigurimit, për t’u angazhuar si informator. Ky mospranim i kushtoi burgosjen me akuza të sajuara, shkatërrimin e familjes, përdhunimin e gruas dhe të bijës 15-vjeçare, për t’ia shkëputur atë firmën poshtëruese në hetuesi për pranim akuzash të shpikura. Duke dashur të jem sa më i thukët në përmbajtjen e veprës, për të mos fashitur atë kureshtjen e natyrshme të lexuesit, nuk mund të shtyhem më tej, në hollësí që kërkojnë njohje të thellë të poshtërsive të hetuesve, operativëve dhe të oficerëve të një institucioni që është shpërfillës ndaj ligjeve dhe masakrues i të drejtave njerëzore më fillestare. Por do të nxjerr vetëm një përfundim, që është ai i autorit: Se është thuajse e pamundur që t’i shmangesh dot një vetakuzimi me shkrim, nëse kjo kërkohet me çdo kusht nga ata që të kanë në dorë, me epërsinë që të jep përdorimi i torturës dhe trysnia e manipulimi me njerëzit më të shtrenjtë të familjes. Do të më lejohet të përkthej nga kapitulli i rëndësishëm „La revolution dévore ses enfants“ të librit që është quajtur një kryevepër saktësie dhe qartësie nga Time, atë pjesë që bën fjalë për pohimet e detyruara të të pandehurve nga Stalini. Hetuesi Mironov, në organizatën e partisë flet për Kamenievin, që nuk i pranon akuzat. -Ti mendon se ka të ngjarë që Kamenievi të mos e pranojë akuzën? – e pyet Stalini. -S’di ç’t’ju them. Ai duket i vendosur të mos e pranojë – përgjigjet Mironovi. -Ti nuk ditke ç’të thuash? – nxehet Stalini, duke ia ngulur sytë ashpërsisht. -Po Shteti ynë, me të gjitha uzinat, makineritë, armatimet, anijet e marinës, e di ti sa peshon? Mironovi dhe të gjithë të pranishmit e shohin Stalinin me habì. – Pa mendo njëherë dhe m’u përgjigj, vazhdoi sërish Stalini. Mironovi nënqeshi, duke besuar se Stalini përçapej të bënte një shakà. -Të pyeta sa peshojnë të gjitha këto! – iu hakërrua Stalini. Mironovi e humbi toruan. Por Stalini nuk ia shkëpuste sytë dhe priste përgjigjen. Mironovi ngriti supet dhe, si një nxënës i turbulluar, tha me një zë bëlbëzues: - Këtë askush nuk mund ta dijë, Josif Visarionoviç, janë gjëra të fushës astronomike. -Bukur. Po një njeri a mund ta durojë dot këtë peshë astronomike? – pyeti Stalini me një ton të vrazhdë. -Jo,- u përgjigj Mironovi. - Mirë, atëherë. Mos më thuaj që Kamenievi apo ky ose ai i burgosur mund ta përballojë këtë peshë. Dhe mos m’u duk më para sysh, pa më prurë pohimin e Kamenievit në tabakà“ (f.518). Lexuesi do të kuptojë se personazhi kryesor i librit të Reshat Kripës, Agron Canaj, ka hequr në trup e në shpirt këto pesha astronomike, për të cilat flet Stalini. Falë dhuntisë letrare të autorit, ky personazh i letërsisë shqipe të dhembjes së një populli të tërë fatkeq për pesë dhjetëvjeçarë nën peshën e dhunës komuniste, është dhënë i gjallë, pa artifise, i besueshëm. Fill pas moshës 25-vjeçare fillon zhytja n shkallët e ferrit: Në hetuesi, në burg, pas burgut, gjersa vdiq nga leuçemia, në vitin 1987. Nga më të aftët në punë si kryeinxhinier, optimist prej natyre, i dashur me të gjithë, u shndërrua në mënyrë të befasishme, në një ditë fatale të 1975- s, në personin që mund ta gjente ngushëllimin vetëm te vetmia. Citojmë autorin: 1985: Dalja nga burgu. „Të nesërmen shkoi në varreza. U gjunjëzua dhe derdhi lot para tyre. (gruas së dashur, Lumturisë dhe vajzës së shtrenjtë, Iridës). Puthi fotografitë në porcelan. Foli me to. (...). Syrjau donte ta shoqëronte, por ai donte të ishte i vetëm në dhimbjen e tij. Kishte ndenjur dhjetë vjet thuajse i vetmuar në burg. Me vetminë e tij kishte mundur të përballonte gjendjen e vështirë të atyre viteve. Me vetminë e tij donte të përballonte edhe dhimbjen e tanishme. Vetmia i dukej se e qetësonte. Ajo ishte simboli i jetës së tij“. Le të vihen ré fjalitë e shkurtra dhe përsëritja e fjalës vetmi. Kjo fjalë nuk përbën një kakofoni nga pakujdesia. Është një raforcativ i përligjshëm, si simbol i jetës së tij. Autori e njeh mirë stilistikën. Irida, drita e syve të babit, që e quante Rida, vdiq pa mbushur të pesëmbëdhjetat. Kishte kaluar edhe ajo nëpër shkallët e ferrit. Lumtua e ndoqi pas. Asnjë fjalë më tepër, ndonëse pickojmë diçka nga përmbajtja. Në këtë përjashtim, le të themi edhe se kishte lënë një letëramanet, të cilën Agroni e lexoi pas dhjetë vitesh, ditën që vajti në varrin e Lumturisë dhe të Ridës. Ajo që nuk mund të përcaktohet dot në këtë roman është se kush e pati më të madhe atë shtypje astronomike që kishte dekretuar Stalini dhe e kishte përvetësuar në mënyrë shtazarake Enveri: Agroni apo Lumturia? Veçse në gjuhën e infinitivit, nuk bëhen dot krahasime ndërmjet pambarimisht të mëdhave....
55
-
-
Pas “Darkës së gabuar” të Kadaresë
» Vendosur: 23/11/2008 - 09:09
• Agron Gjekmarkaj
Rëndom ankohemi se Shqipëria po përjeton një krizë leximi. Ky konstatim bie sa herë del një libër i ri i shkrimtarit Ismail Kadare. Publikimi i romanit të fundit “Darka e gabuar” dhe radhët e gjata për ta patur atë libër, janë një tregues i qartë që shqiptarët lexojnë, por janë në kërkim të letërsisë cilësore, origjinale, të asaj që nuk është thjesht vetëm letërsi shqiptare, por njëkohësisht e përbotshme. Dhe lexuesi duhet përgëzuar për këtë nuhatje moderne! Nga këndvështrimi kontekstual tek ky roman kemi të bëjmë me një ngjarje që “Qyteti i Gjirokastrës, i mësuar me vizione të gjëra e të ndërlikuara për botën u duk se e humbi toruan, ndonëse ‘dihej që kishte raste kur asaj i dukej vetja më e mençur se Shqipëria’”. Mjafton kaq për të kuptuar se ky qytet është zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë rrëfim të ri të Ismail Kadaresë, ashtu si “Kronikë në gur” apo “Çështje të marrëzisë”, është zgjedhur për të komunikuar me botën e luftës dhe pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet mitit të besës dhe kanunit të Lek Dukagjinit. Në këtë rast miti i Besës shpreh diçka më universale, diçka nga jeta reale, një realitet që nëpërmjet saj manifestohet në formë mitologjike. Besa nuk shfaqet vetëm në sferën filozofike, morale e etike, por si një mekanizëm që vepron konkretisht në jetën e çdo shqiptari. Kësaj here nuk kemi një personazh baladik si Kostandini që i jep besën motrës së martuar larg, por një apo dy gjirokastritë doktor Gurameto i madh dhe doktor Gurameto i vogël, për të cilët i takon lexuesit të vendosë nëse janë dy apo është një i vetëm që i ka dhënë Besën një ushtaraku të lartë gjerman. Saktësojmë që në krye të herës që nuk ka një dhënie bese eksplicite, por të pranuar e të pretenduar si një bazë e përbashkët qytetërimore, shkrimtarit duket nuk është se i intereson në vetvete historia e luftës si e tillë, duke i parë shqiptarët dhe gjermanet si degë të të njëjtit trung mitologjik europian, ai i vendos në marrëdhënie të natyrshme komunikimi. Ç’është kjo ngjarje që trondit këtë qytet, i cili kureshtitë kur nuk i vinë nga larg i prodhon vetë?
Është koha e kapitullimit të Italisë dhe në logjikën e luftës natyrshëm vendin e tyre e zënë ushtritë gjermane, që hyrjen e tyre në Shqipëri e lajmërojnë me fletushka të hedhura nga ajri, ku lajmërojnë për kohën e mbërritjes, pretendojnë se po vijnë si miq, premtojnë pavarësinë e vendit, bashkimin e trojeve etnike, lëvdojnë virtytet shqiptare si mikpritja dhe besa, pra një pritje miqësore. Në dukje kemi një ngjashmëri me thirrjen “O i zoti i shpisë a don miq?”. Një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, sepse kodi në nenin 602 automatikisht ka përgjigjen me marrjen e mikut në besë: “Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” dhe në nenin 642 thuhet: “...nëse thërret emrin tënd edhe në qoftë se kurrë nuk ka qenë në shtëpinë tënde, konsiderohet miku yt dhe çdo e keqe që i bëhet atij, njollos nderin tënd”. Por në hyrje të qytetit pararoja goditet dhe tani pritet zemërimi gjerman, dhe ai parashikohet dyfish i tmerrshëm sipas ligjit të luftës dhe sipas thyerjes së Besës. Rupat gjermane i komandon Fritz von Schwabe, mbajtës i kryqit të hekurt dhe shok studimesh i Gurametos së madh. Takimi ndërmjet tyre sillet rreth një pyetjeje – Pse më preve në besë? Kur sipas kanunit në të cilin gjermani beson duhej t’i ofrohej bukë, kripë dhe zemër. Për këtë gjë do të vriten 80 vetë. Dhe këtu mitologjia në lëvizje të pandalshme bëhet zotëruese në roman. Doktori duke ndier këtë peshë e fton kolonelin dhe njerëzit e tij në një darkë me shampanjë dhe muzikë që do të rezultojë misterioze, por fatlume për qytetarët që prisnin të ndëshkoheshin. Vihet re menjëherë një lidhje ndërmjet besës dhe vdekjes ku shkelja e njërës sjell tjetrën. Shkrimtari si edhe herë tjetër e paraqet mitin si një element themelor të jetës humane. Nga njëra anë na jep mitin klasik të pranishëm në mentalitetin popullor, e nga ana tjetër e teknicizon atë në funksion jashtëtekstual, duke i dhënë rolin e një dritareje mbi shumë aspekte të jetës humane, qoftë edhe kur të qenit së bashku në shoqëri, qoftë kur privatësia e një individi apo publikja e një kombi shfaqin anë të errëta. Raporti ndërmjet mitit dhe letërsisë tek “Darka e gabuar” shfaqet si një proces transformimi duke kaluar nga një kategori tek tjetra, nga tradicionalja e folkloristikja në regjistër letrar. Ky kalim e justifikon vetveten duke propozuar si perspektivë të vetën të kaluarën e duke e projektuar atë si ind të përbashkët të popujve të qytetëruar nga pikëpamja sociologjike. Marrëdhënien me aktualitetin e sheh pazgjidhshmërisht të lidhur me të kaluarën gjenuine e këtë në mënyrën më të sinqertë të mundur. Vetëm tek pastërtia e së kaluarës mund të ndërtohet një e ardhme e merituar për shqiptarët në atë zonë të botës ku u takon të jenë. Doktor Gurameto, një personazh i vetmuar, përfaqësues i sqimës së Gjirokastrës, por edhe i elitës së Shqipërisë të para komunizmit, ndonëse është gjithmonë i pranishëm në skenën e romanit, zhduket nga rrëfimi dhe me heshtjen e tij lë vetëm të tjerët të flasin për të, bashkëqytetarët e tij dhe shkrimtarin bashkëqytetar me ta. Ndërsa qenia e tij është goditur në elementin më thelbësor-tek komunikimi pikërisht këtu krijohet natyra fantastike e romanit, sepse një mister “ndërhyn në mënyrë brutale në jetën reale”. Koloneli ka vdekur para se Shqipëria të pushtohej nga ushtritë gjermane. Atëherë kush ishte ai që u paraqit si koloneli Von Schwabe? Më e pakta, paqartësia, i qaset lexuesit një ndjesi që lind nga mungesa e një motivimi eksplicit ose implicit nga kjo pamundësi për t’i vënë një emër ndodhisë. Lexuesi shtrëngohet të negociojë me tekstin për të gjetur herë pas here zgjidhje të enigmës, ose bëhet fjalë për ndonjë iluzion të krijuar nga Kadare, i cili më vonë do të sqarohet, pra kemi dhe kështu natyraliteti i gjërave nuk cenohet ose kemi të bëjmë me diçka “mbinatyrore që për ta shpjeguar nuk mjaftojnë ligjet e botës tonë”. Nga vendet kryesore të kampit socialist po hetojnë hetuesit më në zë dhe shpesh duket sikur jemi afër mundësisë të një shpjegimi të thjeshtë të asaj darke, ku një i gjallë vizitohet ndoshta nga një i vdekur dhe shpëtohen 80 pengje. Hezitimi është ajo ndjesi që na shpie në zemër të letërsisë fantastike, së paku për aq kohë sa lexuesi nuk ka vendosur të pranojë të mundurën, të logjikshmen apo të pamundurën, mbinatyralen. Dhe sigurisht në këtë paqartësi e shtyn Kadare lexuesin e tij, ose ndoshta i jep atij mundësinë të bëhet i pavarur në gjykimin e tij, duke i dhënë mundësinë t’i gjejë një zgjidhje kësaj enigme pa e kontestuar atë. Rrëfimi i ndihmuar nga shumë personazhe, orvatet të gjejë racionale, por mos i besoni atij është thjesht një kurth i ngrehur nga shkrimtari dhe lexuesi nuk ka tjetër rrugë të kalueshme veç ta ndjekë atë, sa më shumë i afrohemi asaj aq më shumë ajo largohet. Artifici letrar që shkrimtari përdor për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet planeve narrative konsiston në faktin që historia tregohet në vetë të tretë. Shkrimtarit e shijon shumë të përdorë të gjithë instrumentet rrëfimtarë për ta përfshirë lexuesin brenda historisë, por në të njëjtën kohë t’i kujtojë atij që pikërisht për një histori bëhet fjalë.
Siç na kujton Fabri: “Letërsia ndërton një tërësi shenjash që munden, por nuk duhet të respektojnë një koherencë përkundrejt botës reale, pra një botë që përdor atë botë vetëm në masën që i shërben asaj për të thënë një gjë tjetër”, një kumt të sajin ose një mesazh të kodifikuar ose jo të shkrimtarit. Prandaj do të ishte një lodhje e kotë po të lexohej ky roman me dëshirën për të gjetur në të histori.
Fati i një romani është i lidhur ngushtësisht me lexuesin që është i përfshirë në sistemin e domethënieve. Identiteti i llojit letrar romanor kërkon në mënyrë të paevitueshme horizonte pritjesh, kodesh, evolucionesh historike e publike dhe sisteme kulturale në lëvizje. Tashmë një gjë e tillë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kudo në Europë dhe botë. Ky tekst ka mundësi komunikimi të pakufizuara me lexuesin shqiptar, gjerman etj., iu flet të gjithëve me mite fantazi dhe stil unik. “Darka e gabuar” është një libër i jashtëzakonshëm.
panorama
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt