BASHKIMI KOMBËTAR AP0 PUBLIC RELATION…
Fatkeqësia e popujve të Ballkanit e ka burimin tek falsifikimi sistematik i historisë. Kemi dëgjuar dhe lexuar, bile dhe kemi gjetur harta ku shkruhet “Serbia e Madhe”, “Greqia e Madhe”, etj. etj.
Shqiptarët megjithse akuzohen se duan të riformojnë “Shqipërinë e Madhe”, janë të vetmit ballkanas që u janë coptuar teritoret sistematikisht. Bëjnë replika gjithandej ata që mbahen si mënçurija e kombit, bile sherri midis atyre është shumë herë më i fuqishëm sesa përpjekia për të gjetur zgjidhje idea e bashkimit kombëtar.
Shanset do ishin të mëdha për bashkimin kombëtar, sepse të gjithe e dinë mjaft mirë që në Shqipëri nuk ka as nacionalizëm dhe as shovinizëm, që mund të dëmtojë bashkimin. Rrugët racionale ishin vite më parë por ato na humbën në oborr(!).
Kosova hë për hë nga krahinë relativisht e hapur gjatë sundimit beogradas, sot “qeveriset” nga ndërkombëtarët, ndërsa Shqipëria nga vend i një diktature të pashembullt, staliniane ka kaluar në një vend të një katrahure të shembullt. Pra mund të urdhërojnë nga e gjithe Europa dhe të marrin shembull në Tiranë sesi zihen politikanët, sesi vidhet thesari, sesi vritet deputeti, sesi bëhesh miliarder me pare të “pastra”, sesi vidhet vota, bile dhe sesi tabelat e rrugëve shkruhen me cirilika greke(!)
Në këto kushte kurr nuk e merr vesht „qeni të zotin”, kur lëvizja “Mjaft” shpërthiqet si tullumbace, kur parlamenti shqiptar kërcënohet nga Athina se po e votuat Rezolutën për çështjen çame do të thotë “luftë”, kur Berisha e Nano vazhdojnë të luajnë serialin politik “Tomi e Xherri” etj.etj. bashkimi kombëtar ka kaluar përtej horizontit…
Le të marrim një shembull praktik, apo më saktë krahasues. Që të bëhet “bashkimi familjar” i bashkësisë gjinore duhet që të gjithe anëtarët e familjes shqiptare të kenë dëshirën e të bashkuarit së pari. Pastaj të bashkojnë: gjuhën e përbashkët(!), pronat(!), traditat dhe virtytet e bashkimit dhe të integrimit familjar, arsimin(!), ekonominë(!), politikën, artin e kulturën etj etj. Ja pra që nuk është e lehtë të bëhet ky “bashkim familjar” kur nuk ka as strategji dhe as taktikë për këtë rast të pashembullt të një populli që është nga më të lashtit e kontinentit europian. Pa folur për dëshirën popullore pastaj. Sepse si komb na cilësojnë – popull multietnik. Në të dy parlamentet si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë pakicat “kombëtare” kanë imunitet.
Ka nga ata që bashkimin e duan se s’bën! Bile janë gati të shkaktojnë edhe katastrofa kombëtare, duke bërtitur “ja të bashkohemi, ja të shuhemi!”. Nuk kemi pse të vemë maska. Bashkimin kombëtar, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk e shohin njëlloj. Ku qëndron ndryshimi? Patjetër tek kërkesa thelbësore e integrimit dhe bashkimit, që kërkon sëpari t’i përgjigjemi pyetjes a jemi të barabartë? Faktikisht nuk jemi. Nuk jemi sepse shqiptarët e Shqipërisë, mbas 50 vitesh të humbjeve të mëdha, përveç humbjes së pronës, të lirisë, të qënurit të izoluar dhe të persekutuar, humbën përvojën e të jetuarit në kushtet e ekonomisë së tregut. Detyrë që më së mirë mund ta kryenin mjaft mirë biznesmenët e shquar shqiptarë të Kosovës që kishin përvojë shumëvjeçare në perëndim. Pra rrugën drejt perëndimit dhe Europës mund ta përshkonim vetëm të bashkuar si komb. Kjo nuk ngjau. Përse? Sepse fillimisht ra entuziazmi i kësaj ideje dhe sot mungon fare ky entuziazëm. Në fillimet e viteve ’90-të shqiptarët e pasur të Kosovës që kishin kapital për të investuar në Shqipëri erdhën me fodullëkun dhe arrogancën e “kushëririt të pasur” me edukatë europiane tek “kushëriri i varfër” në katund. Shteti i priti ftohtë dhe me dyshim. Ligjet që mbronin investimet mungonin, irritimi absurd i shumëkujt në Shqipëri “pse këta të kenë e ne të mos kemi”, hapën hendek që dëmtoj rëndë idenë. Fillimisht përgjegjësit kryesorë të ndarjes dhe coptimit të kombit mbas luftës së Dytë Botnore, ata që për hirë të internacionalizmit e lanë Kosovën jashtë teritorit kombëtar e shtetëror, na morrën flamurin e bashkimit duke ngritur edhe një komision që udhëzohej nga ishsekretari i parë i KQPPSH-së Ramiz Alia. Nuk u eci. Nuk ishin të besueshëm.
Idealistët ende sot e kësaj dite nuk e pranojnë pamundësinë e bashkimit, ndërsa realistët nuk nguten. Vetëm demagogët dhe politikanët ekstremë e nxisin bashkimin duke mos bërë asnjë hesap, me përjashtim të përfitimeve të tyre elektorale.
Po të vrehet me kujdes politika perëndimore, sidomos europa dhe mënyra sesi komporton ajo, habitesh. Bëjnë bashkimin europian, pra krijojnë një “familje europiane” ku jo vetëm kombet nuk kanë asnjë lidhje midis tyre, por as gjuha, as traditat, as doket, as vetë origjina e 15 vendeve europiane që shkon nga njëri qosh në tjetrin të kontinentit plak dhe çuditërisht bashkimin kombëtar shqiptar e shohin si rrezikun e destabilizimit të ballkanit dhe bile edhe të Europës(!) Në rast se kjo zotërinjëve auropianë nuk u shkon për shtat, lind pyetja normale: - Si do e zgjidhni problemin e 2 milion e gjysëm shqipëtarëve në Kosovë? Mos keni ndonji projekt – etnik ta bashkoni me Burundin, por assesi, kurrën e kurrës me Shqipërinë, apo daljen e saj si shtet më vehte!?
Shqiptarët nuk e njohin fushën e “public relation” që është fusha ku sllavët në përgjithësi, serbët në veçanti dhe komunistat posaçërisht janë mjeshtra. Opinioni publik europian fryhet e pompohet çdo ditë, pa u lodhur, ngulshëm nga të sipërpermendurit, që Kosova është sërbe(!) Agjensitë më prestigjioze të lajmeve endé i referohen gjeografisë së kaluar të pushtimit sllav duke nisur lajmet nga Prishtina me fjalinë “Turbullira përsëri në krahinën sërbe të Kosovës…”. Shikoni Euronews me qendër në Moskë, apo Franss Press, deri edhe Zvicra neutrale(!)… Pra të nderuar lexues, kur na konsiderojnë endé krahinë sërbe, si thoni? A mundet që çështjen kombëtare të na e zgjidhin ndërkombëtarët!? Kështu që mjeshtrat e të quajturit „public relation“ do na e lënë fajin tek dera ne shqiptarëve. E pastaj çfarë fituam nga e gjitha kjo? Ndaj serbët me anë të public relation po gënjejnë gjithandej në Këshillin e Sigurimit në Këshillin Europian, ndërsa ne shqiptarët nuk kemi nevojë të gënjejmë sepse rezikun e kemi real. Ky rrezik troket në Kosovë me teorinë e kantonalizimit, troket në Shqipëri me praktikën e helenizimit dhe infekton një komb me ndjenjën e dëshpërimit. Si do na shkoj halli!?…
Agim Doçi
Krijoni Kontakt