Faqja 13 - AKTUALITET Maj 1, 2004
ISHTE DENUAR ME 11 VJET PER TRAFIK PROSTITUCIONI
Angli, ridënohet Luan Plakiçi
Apeli i rrit dënimin trafikantit në 23 vjet burg
Nga Londra Muhamed Veliu
ANGLI
Stili i të jetuarit si një "playboy" i vërtetë, mes femrave të trafikuara, shampanjës, veshjeve firmato dhe drejtimit të një "Ferrarri Spider" të zi, do të zëvendësohen me qëndrimin mbyllur në qeli për më shumë se 17 orë, për plot 23 vjet. Luan Plakicit (emri i vërtetë Artur Kroni), supertrafikanti shqiptar i cili trafikoi, shfrytëzoi dhe trajtoi barbarisht shtatë vajza Lindore për prostitucion në Veri të Londrës, i është dyfishuar dënimi, nga 11 vjet (dënimi i fundvitit të kaluar) në 23 vjet burgim. Të enjten paradite, tre gjykatës të lartë britanikë e kanë cilësuar dënimin prej njëmbëdjetë vjetësh burg, të dhënë Plakicit nga gjykatësi Robert Winstanley dhjetorin e shkuar, si të butë, duke e çuar vendimin në një rast rekord në historinë e gjykatës angleze për vepra të tilla penale. Në Royal Courts of Justice (Gjykatën mbretërore të drejtësisë), përballë 26-vjeçarit i cili mësohet të jetë nga Laçi, janë ulur oficerët e operacionit "Sapphire Unit", të cilët së bashku me prokurorinë londineze kanë apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e cilësuar atë "si jo të drejtë". Apeli i policisë londineze ka rezultuar i suksesshëm.
Ridënimi
Gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Lord Justice Latham, ia ka shtuar masën e dënimit trafikantit shqiptar me 13 vite të tjera burgim. Tani, ai do të qëndrojë i izoluar në qelitë angleze për plot 23 vjet. Pasi kanë rënë dakord me kërkesën e kryeprokurorit anglez Lord Goldsmith QC, i cili ka thënë se "dënimi i dhënë Plakiçit disa muaj më parë nuk ishte i drejtë", Lord Justice Latham, i ulur në gjykatën e apelit, së bashku me Mrs. Justice Cox dhe gjykatësin Judge Peter Beaumont, kanë deklaruar se "një 16-vjeçare i ishte shitur nga Plakiçi, për 7 mijë paund, një shfrytëzuesi tjetër në qytetin Brighton dhe më pas është detyruar nga ai për të ripaguar shumën e blerjes, duke punuar si prostitutë që të fitonte mesatarisht 600 deri në një mijë stërlina në natë. Kjo provë e vërtetuar tashmë nga hetimi, tregon se në princip të aktivietit të tij kriminal, Luan Plakiçi kishte trafikimin ndërkombëtar të grave për prostitucion në Britaninë e Madhe. E ndërsa supertrafikanti është shokuar nga ky ridënim, detektivi anglez Gerry McDonalds, që bëri arrestimin e tij, është shprehur se "ridënimi i këtij trafikanti është një rezultat i shkëlqyer për të gjithë ne që u përfshimë në këtë hetim. Ne ishim të habitur nga dënimi i dhënë më pare, që ishte relativisht i ulët, pasi ai ishte cilësuar nga media britanike si trafikanti më i suksesshëm i të gjitha kohrave dhe që gjatë dy viteve arriti të fitonte 2 milionë paund".
Sekuestrimet
Serioziteti i hetuesve britanikë dhe devotshmëria për t'u shkur gjërave deri në fund, ka bërë që e gjithë pasuria e Luan Plakiçit t'i nështrohet sekuestrimit. Një javë më parë një gjykatë londineze ka marrë në shqyrtim kërkesën e policisë për kryerjen e sekuestrimeve të pronave të tij. Sipas grupit hetimor, mësohet se Luan Plakiçi, gjatë periudhës 2000-2002, nga shitja dhe shfrytëzimi i vajzave Lindore për prostitucion ka arritur të fitojë 2 milionë stërlina (katër miliardë lekë të vjetra), të cilat i ka transferuar në dy llogari bankare, njëra në SHBA dhe një tjetër në Greqi. Po ashtu, ai ka ndërtuar një vilë në Shqipëri, që mendohet të jetë në qytetin e Laçit. Kështu ka deklaruar prokuroria londineze në seancën e 23 prillit, ku janë shqyrtuar hapat e mëtejshëm të sekuestove.
Plakiçi, shqiptari që "bëri histori"
Luan Plakiçi ka arritur vetëm rekorde gjatë qëndrimit të tij në Angli. Ndryshimi i dënimit të tij, nga Gjykata e Apelit, nga 11 në 23 vjet burg, ka shënuar rastin e vetëm në historinë e drejtësisë angleze. Ndërkohë që është dënimi më i rëndë i dhënë nga një gjykatë angleze për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion. Plakiçi (Artur Kroni) shënon jo vetëm në Angli, por edhe në Europë rastin e vetem, kur një shqiptar është dënuar me burgimin më të gjatë për trafik prostitucioni. Në të njëjtën kohë, Plakiçi shënon edhe rastin e vetëm të trafikantëve shqiptarë në Europë, që gjatë një procesi gjyqësor të hapur ka treguar emrat e bashkëpunëtorëve të tij.
Krijoni Kontakt