Në seancën e ardhshme Kuvendi diskuton reformimin e pushtetit lokal
Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi sot që në seancën e ardhshme plenare që do të mbahet më 19 të këtij muaji, të debatojë rreth reformimit të pushtetit lokal. Kryesia e Kuvendit njoftoi se debati nuk do të jetë i kufizuar dhe në të mund të marrin pjesë të gjithë deputetët. Anëtari i Kryesisë, Fatmir Sejdiu tha se debati do të organizohet mbi bazën e materialeve të përgatitura nga qeveria e tashme dhe ajo e kaluar.
Pas kërkesës së qeverisë, kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi sot që në seancën e ardhshme të Kuvendit të debatohet çështja e reformimit të pushtetit lokal. Anëtari i kryesisë, Fatmir Sejdiu tha se materiali tashmë është dorëzuar dhe debati do të zhvillohet mbi bazën e tij. Megjithatë anëtari i kryesisë nga PDK-ja Xhavit Haliti e quajti të vonuar kërkesën e qeverisë për diskutimet e deputetëve për pilot projektet e saja për reformimin e pushtetit lokal. Ndërkohë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, tha se debati nuk do të jetë i kufizuar dhe në të mund të marrin pjesë të gjithë deputetët. Debati në Kuvend për reformimin e pushtetit lokal ishte kërkesë disamuajshe e partive opozitare PDK-së dhe Ora-s. Edhe pse ato janë shprehur disa herë e kundër planit të qeverisë për pilot komunat. Debati i 19 majit pritet të kthej në ulëset e Kuvendit edhe deputetët e Listës Serbe për Kosovë e Metohi, sepse një gjë të tillë ata e shohin si siguri për minoritetin serb në vetëqeverisje dhe liri të lëvizjes. Reformimi i pushtetit lokal vlerësohet si standardi kryesor i cili duhet të përmbushet nga kosovarët para hapjes së bisedimeve për statusin final.(RTK)
Krijoni Kontakt