Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    kerkuesi
    Anëtarësuar
    13-09-2002
    Vendndodhja
    ne vendin tim
    Postime
    1,171

    Mbërrin hipermarketi i parë në Shqipëri

    Klodian Tomorri - 22/03/2005



    Hipertregu (hipermarket) i parë në Shqipëri pritet të hapë siparin në maj të këtij viti me një sipërfaqe prej 21 500 metrash katrorë dhe drejtuesit e tij theksojnë se do të jetë një nga më të mëdhejtë në Ballkan. Ky investim besohet se do të ndikojë ndjeshëm në konkurrencën e shitjes me pakicë, ku është ndjerë shumë mungesa e super dhe hipertregjeve që ofrojnë mallra me çmime më të ulëta se sa dyqanet e shitjes me pakicë


    E gjendur në kilometrin e 6-të të autostradës Tiranë-Durrës, Qendra Tregtare Univers (QTU) përbën një nga investimet më të mëdha të këtij lloji jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin e Ballkanit. Në mjediset e kësaj qendre, e cila është një investim prej rreth 7 milionë eurosh, përveç se do të jenë të vendosura rreth 50 dyqane të ndryshme, do të zhvillojë aktivitetin e tij edhe hipermarketi i parë shqiptar. “Hipermarketi Euromax do të ketë një sipërfaqe prej rreth 4 000 metrash katrorë dhe në të do të tregtohet një gamë jashtëzakonisht e madhe produktesh, duke filluar që nga artikujt e luksit e deri tek ato të konsumit të përditshëm, të cilat do të jenë shumë konkurruese si nga cilësia ashtu edhe për sa i përket çmimit,” është shprehur për gazetën “Biznesi”, administratori i QTU-së, Endrit Alikaj. Gjithashtu Alikaj tregon se përveç hipermarketit në ambientet e QTU-së do të shtrihet edhe një dyqan gjigant pajisjesh elektroshtëpiake, Neptun Shops, me një sipërfaqe prej rreth 1 700 metrash katrorë. Drejtuesit e kompanisë Mane TCI, kompani e cila ka kryer investimin për ndërtimin e kësaj qendre, tregojnë se për dy vitet e para drejtimi i qendrës do të bëhet nga specialistë të huaj dhe me përvojë shumëvjeçare në administrimin e qendrave të tilla. “Aktualisht drejtori i përgjithshëm i qendrës është një austriak, i cili ka shumë përvojë në këtë drejtim. Gjithashtu ajo që dua të shtoj është se projekti i qendrës është komplet austriak dhe është bërë duke u bazuar në disa nga qendrat më të madhe tregtare austriake,” komenton Alikaj.
    Aktivitetet
    Drejtuesit e kompanisë Mane TCI shprehen se QTU-ja është projektuar në mënyrë të tillë që të bëjë të mundur përfaqësimin e të gjithë bizneseve në mjediset e saj. Në ambientet e kësaj qendre do të jenë të vendosura dyqane të disa prej kompanive më të mëdha shqiptare dhe të huaja që kryejnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Kështu, përveç hipermarketit dhe dyqanit të pajisjeve elektroshtëpiake, në këtë qendër do të kryejnë aktivitetin e tyre përfaqësitë e kompanive të tilla si: Vodafone, Terranova, Eminfleks, Western Union, Albtours, Banka Amerikane e Shqipërisë, Mango etj. “Ne e kemi projektuar QTU-në në mënyrë të tillë që ajo të funksionojë si një qendër integrale. Një gjë e tillë nënkupton përfaqësimin në këtë qëndër të të gjitha llojeve të biznesit. Në qendrën tonë do të ketë një bankë, një argjendari, një optikë, një dyqan pajisjesh elektroshtëpiake etj,” shprehet Alikaj. Sipas tij kjo gjë do të bëjë të mundur që konsumatori të gjejë gjithçka për të cilën ai ka nevojë në ambientet e QTU-së. Gjithashtu drejtuesit e qendrës bëjnë të ditur se deri në këto momente është dhënë rreth 90 për qind e sipërfaqes së parashikuar për dyqane dhe shërbime të tjera. “Ne kemi synuar që të sjellim në qendrën tonë kompanitë më të mëdha dhe besoj se ia kemi dalë mbanë duke parë emrat e subjekteve që do të zhvillojnë aktivitetin tregtar pranë qendrës sonë,” deklaron Alikaj.
    Ndikimi ekonomik
    “Gama e gjerë e produkteve që do të tregtohen, çmimet konkurruese, cilësia e lartë si dhe numri i madh i vendeve të punës që do të krijojë hapja e qendrës do të jetë një pikë shumë e rëndësishme ekonomike në jetën e Tiranës dhe gjithë zonës përreth”,- shprehen drejtuesit e QTU-së. Sipas tyre, mendohet se krijimi i kësaj qëndre mendohet se do të hapë rreth 300-400 vende të reja pune nga të cilat mendohet se do të ndikohen pozitivisht shumë persona. “Gjithashtu ata bëjnë të ditur se QTU-ja parashikohet që të vizitohet nga rreth 2.5 milionë vizitorë në vit, për të cilët do të ketë transport dhe parkim falas.
    Përshkrimi i qendrës
    Qendra Tregtare Univers është një nga qendrat më të mëdha në Ballkan. Ndërtimi i saj ka filluar në 1 gusht të vitit 2003 dhe pritet që të përfundojë në muajin maj të këtij viti. Kjo qendër do të ketë një sipërfaqe të mbuluar prej rreth 21 500 metrash katrorë, prej të cilave 13 600 metra janë sipërfaqe dyqanesh dhe pjesa tjetër është për parkim. Pranë QTU-së ka rreth 600 vende parkimi, prej të cilave 300 do të jenë të mbuluar. Drejtuesit e qendrës bëjnë të ditur se së shpejti planifikohet që të fillojnë punimet për realizimin e një kanali, i cili do të lidhë autostradën me hyrjen kryesore të qëndrës. “Një gjë e tillë do të bëjë të mundur edhe lehtësimin e trafikut pasi i lejon automjetet që të vijnë drejt qendrës sonë nëpërmjet autostradës dhe pastaj të kthehen në Tiranë nëpërmjet rrugës dytësore paralele,” përfundon Alikaj.

  2. #2
    Warranted Maska e Qerim
    Anëtarësuar
    06-12-2003
    Vendndodhja
    Home
    Postime
    1,641

    re

    Nje lajm shume i mire.

    Une e kam thene se nese ne Shqiperi do kete paqe, zhvillimi nuk do vonoje.

Tema të Ngjashme

  1. Kështu foli Tahir Zemaj
    Nga Nice_Boy në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 123
    Postimi i Fundit: 01-01-2014, 18:52
  2. Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 24-12-2006, 01:46
  3. Ervin Hatibi
    Nga erzeni në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 18-11-2006, 00:39
  4. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26
  5. Beratasit dhe çifutët
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 27-06-2003, 10:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •