Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që jo vetëm të kalojë ligji, por dhe të largohen forcat speciale...
Seanca parlamentare e pasdites së djeshme ka vijuar sërish me debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës pa arritur në një përfundim. Deputetët e opozitës gjatë gjithë seancës se djeshme, kanë këmbëngulur se pa u futur në rendin e ditës projektligji për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë nuk mund të vazhdohet me çështje të tjera. Një kërkesë tjetër e deputetëve të opozitës ka qenë dhe largimi i forcave të policisë, të cilët ishin në numër shumë të madh dhe kanë rrethuar të gjithë godinën e parlamentit. Një situatë të tillë, deputetët e opozitës e kanë quajtur të pazakontë dhe sipas tyre nuk ka kishte asnjë shkak që forca të shumta të rendit përfshi dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë të ishin para godinës. Ata kanë kërkuar herë pas here nga kryetari i kuvendit për të larguar forcat e policisë. Praninë e forcave të policisë në ambientet e jashtme të parlamentit, Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi i ka argumentuar me faktin se ata janë për të siguruar që protesta e të përndjekurve të mos kalojë në dhunë dhe se nuk është në kompetencën e tij të kërkojë largimin e tyre. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Ritvan Bode ka përsëritur deklaratat e tij se gjatë seancës së ditës së enjte janë shkelur të gjitha procedurat parlamentare dhe se rrethimi i parlamentit dëshmon qartë për mungesën e vullnetit politik për të kaluar këtë projektligj. "Ajo çka ndodh jashtë dëshmon se keni qenë të përgatitur për të mos e pranuar projektligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe është turp që ka 2,5 vjet që futet dhe nxirret një ligj që duhet të ishte miratuar me kohë," është shprehur Bode. Edhe deputeti demokrat, Pjetër Arbnori, një nga ish të përndjekurit politikë, e ka quajtur absurde rrethimin e parlamentit me forca të shumta të policisë, të cilat sipas tij ishin të penvojshme për faktin se ish të përndjekurit nuk kanë dhe as që kanë patur ndonjëherë qëllim që të futen në parlament. "Të përndjekurit nuk kanë armë as të ftohta dhe as të nxehta, ato i ka policia. Edhe rregullat nuk mund të shkelen. Meqë nuk morët 71 votat e nevojshme përdorët metoda të tjera. Por parlamenti e ka forcën për të realizuar dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, sepse po luhet dhe me faturëne tyre e cila nuk është aq e lartë sa deklarohet," është shprehur Arbnori.
Ndërsa për Kryetarin e Grupit Parmlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, projektligji për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë nuk është hequr nga kalendari i parlamentit, por thjesht është shtyrë për të marrë dhe mendimin e Komisionit të Venecias. Sipas Ruçit nuk është shkelur asnjë nen i rregullores së parlamentit. Ministri i Financave, Arben Malaj deklaroi se fatura për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve është shumë e lartë dhe se zbatimi i tij do të kishte pasoja shumë të rënda për buxhetin e shtetit. Sipas Malajt fatura për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve kap shifrën e 136 miliardë lekëve, një shumë kjo e cilësuar shumë e lartë për buxhetin e shtetit.
Krijoni Kontakt