Pagat, Shqipëria në tri vendet e fundit të Europës

Sipas një raporti të Federatës Europiane të të Punësuarve ndër 46 shtetet europiane danezët paguhen me 27.89 euro për orë, ndërkohë që Shqipëria është në vendin e tretë nga fundi, duke kaluar Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë, ku punonjësit marrin 0.32 euro në orë. Shqiptarët paguhen me 0.6 euro për euro


Raporti për pagat në Europë për vitin 2004 ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e tretë nga fundi, nga 46 vendet europiane. Federa Europiane e të Punësuarve (FedEE's) sapo ka publikuar raportin e saj për vitin 2004, raport i cili përfshin 46 shtete europiane dhe ka llogaritur pagën mesatare për orë punë për 30 poste pune në tri lloje të ndryshme kompanish në një ditë të zakonshme (1 shkurt 2004). Pagat më modeste në Europë u takojnë moldavëve, të cilët paguhen 0.32 euro për orë, ose 42 lekë në orë. Shqipëria në këtë rendtije europiane lë prapa Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë. Sipas raportit të FedEE’s, të punësuarit në Shqipëri paguhen afërsisht 0.6 euro për orë, ose 78.27 lekë/orë, gati dyfishi i pagës për orë të punojësve moldavë.
Vendin e parë për pagat më të larta për orë pune në kontinentin e vjetër e mban Danimarka me 27.89 euro për orë, ndjekur nga Zvicra me 22 euro për orë, Luksemburgu me 20,1 euro për orë, Norvegjia me rreth 19.25 euro për orë, Gjermania me rreth 18 euro për orë, Holanda me 17, 02 euro për orë, fqinji ynë Italia me 16.74 euro për orë dhe Britania e Madhe me 16.12 euro për orë.
Rritja më e madhe e pagës gjatë vitit të fundit ka ndodhur në Sllovaki me 11.3 për qind, Estoni me 9.8 për qind dhe Letoni me 9.6 për qind, ndërkohë që norma e pagës për orë ka rënë në Portugali me 1.8 për qind dhe në Zvicër me 0.3 për qind.
Në raport është marrë një rast ku thuhet se një menaxher i zakonshëm, i cili punon 35 orë në javë, në një kompani e cila ka 500 punonjës mund të fitojë një pagë bazë 3, 565 euro në vit në Rusi, krahasuar me 43,316 euro në Francë dhe 55,929 euro në Gjermani. Për herë të parë në raportin e këtij viti janë përfshirë Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Shtetet e Xhersit (ishujt e Kanalit).
Rusia këtë vit pozicionohet në vendin e 40-të, duke kaluar kështu Bullgarinë, Serbinë dhe Maln e Zi, Shqipërinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë. Rusët paguhen vetëm 1 euro për orë, por sigurisht ka shtete të tjera ku pagesa për orë është më e vogël se kaq.
Në raport nuk janë llogaritur të gjithë variablat, të tillë si “paga e 13-të”, që paguhet kryesisht nga të gjitha vendet e Europës Lindore, pagesat në kesh dhe pagat e padeklaruara në skemat e sigurimeve. Vetëm ne Rusi një e treta e popullsisë punon në të zezë, ose paguhet me para në dorë.
Sipas Organizatës Botërore të Punës, shumë ukrainas fitojnë më pak sesa duhet për të përmbushur nevojat e tyre elementare. Rreth 85 për qind e popullsisë në Ukrainë shprehen se nuk mund të përballojnë shpenzimet për kujdesin mjekësor, 83 për qind e tyre e konsiderojnë veten të varfër. Paga mesatare në Ukrainë është më pak se 100 dollarë në muaj.