GSH
---
MESAZHI NE FAQEN ZYRTARE TE INTERNETIT
AKSH kërcënon Ismail Kadarenë
"S'kanë vdekur Avni Rustemët, që të bëjnë pishman..."
--------------------------------------------------------------------------------
Korifeu i letrave shqipe, Ismail Kadare kërcënohet nga AKSH (Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar). Mesazhi kërcë-nues gjendet ende në faqen zyrtare të internetit të AKSH në formën e një deklarate të firmosur nga Alban Kosova (pseudonim) më 5 prill 2004. Vetëm një ditë më parë, më 4 prill, shkrimtari i shquar Ismail Kadare kishte publikuar në faqet e gazetës "Shekulli" një opinion me titull "Riparimi i së keqes". Një mllef ndaj ngjarjeve të dhunshme marsit në Kosovë, të cilat sipas Kadaresë dhe jo vetëm tij janë vlerësuar "një hap mbrapa". Sipas Kadaresë, i cili i bën një rishikom historik marrdhënieve të shqiptarëve me serbët në shekuj, zhvillimet e furishme në Kosovë pas incidentit të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë, të ndjekur nga serbët në Mitrovicë, ishin "një duhmë vetëvra-sëse, kryekeput antishqiptare, e veshur me petk antiserb… Brenda një nate, bashkë me kishat, u dogjën ato letra fisnikërie, me të cilat shqiptarët, me të drejtë, kishin qenë krenarë shume shekuj: tolerancën fetare, pranimin e tjetrit, mikëpritjen në shtëpinë e vet…". Më tej Kadare kujton se pak ditë më parë se të ndodhnin këto ngjarje, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia kishin marrë ftesë nga Presidenti Amerikan si kandidatë të NATO-s. Sipas Kadaresë, nëse do të vërtetohej se dhuna ka qenë e organizuar, atëherë synimi i saj kryesor ka qenë armiqësimi i shqiptarëve me Perëndimin, pra prerja e rrugës drejt Evropës. Në vijim Kadare shkruan se mund të dyshohet se gjithçka është organizuar nga ekstremistë, që luftën kundër Perëndimit dhe NATO-s e kanë në genet e tyre. Kadare e quan këtë kategori njerëzish "pula të lagura që trimërohen kur nu duhet" dhe "shqiptarë të shitur te shërbimet e huaja, kryesisht serbe". Këto janë rreshtat që kanë bërë krerët e AKSH të reagojnë ashpër ndaj shkrimtarit. Pra disa njerëz anonimë, të cilët nuk kanë mbështetjen e asnjë faktori shqiptar legal, përfaqësuesit e të cilëve janë përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin, kanë marrë iniciativën apo guximin të sulmojnë, madje të kërcënojnë një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar.
Kërcënimi
Pikërisht duke komentuar këtë qendrim të Kadaresë ndaj ngjarjes, njeriu që është ngarkuar të hartojë kundërpërgjigjen, ka sulmuar idetë "jonacionaliste" dhe mërinë e shkaktuar te shkrimtari nga dëmtimi i imazhit të ndërtuar me vështirësi të bashkëjetesës në Ballkan, duke shkuar deri tek kërcënimi i papritur dhe i papërgjegjshëm: "Mbani gojën pra, Ismail Pasha i Parisit, se akoma nuk kanë vdekur Avni Rrustemët, që të bëjnë pishman përse ke le!" Një shprehje që nuk ka nevojë për komente. Gjithsesi lipset të thuhet se ka të ngjarë që nuk kemi të bëjmë me një qendrim shumë serioz të një organizmi shumë serioz. Dihet që AKSH, apo FBKSH, krerë rë së cilës thonë se janë Gafurr Adili apo Idajet Beqiri, ka një faqe në internet, por nuk dihet nëse qendrimi i mbajtur përbën një opinion, të themi zyrtar, të këtij organizmi. Ka të ngjarë që batuta të jetë delir i njeriut që ka akses të bëjë "analizat" në këtë faqe interneti, që nuk dëshmon më shumë se ekzistencën e një formacioni virtual të quajtur AKSH.
"Riparimi i së keqes" në Kosovë sipas opinionit të Kadaresë
Në Kosovë, në mars të vitit 2004, çështja shqiptare pësoi një disfatë", kjo ishte një nga fjalitë e para të shkrimit të Kadaresë të botuar më 4 prill në gazetën "Shekulli". Një opinion brilant për ngjarjet e dhunshme të marsit në Kosovë. Sipas Kadaresë gjithçka e ndodhur ishte kthim pas dhe një zhvillim pozitiv vetëm për të interesuarit të ndodhte një regres i tillë. "U sulmua, me provokim ose jo, një pakicë etnike. Me urë në dorë u dogjën shtëpitë serbe. Me po ato ura iu vu zjarr kishave serbe. Brenda një nate u dogjën aq kisha sa ndoshta nuk janë djegur gjatë një shekulli në Evropë", ishte akuza më e rëndë e Kadaresë për ngjarjen. Gjithsesi në shkrimin e tij Kadareja ka theksuar se ngjarjet ishin jashtë natyrës së shqiptarëve dhe se ata kryen në kohë ritualin e pendimit. "Dënimi (i dhunës), ndoshta, është dukur disa herë më i ashpër se ç'duhej… Dhe kjo ndikoi, pa dyshim, në frenimin e zemërimit botëror", shkruante Kadare.
Truri politik i AKSH-së u themelua te Pallati i Kongreseve
Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar (FBKSH), që njihet si truri politik i formacionit lufatrak AKSH, është themeluar më 12 korrik 2001 te Pallati i Kongreseve në Tiranë, ku Gafurr Adili (shqiptaro-maqedonas në mërgim) është zgjedhur kryetar. Fronti në fjalë është krijuar si një grupim forcash politike, shoqatash joqeveritare, intelektualësh atdhetarë etj., që ka si pikësynim bashkimin e trojeve dhe popullit shqiptar në një shtet të vetëm autokton. Sipas Gafurr Adilit, "FBKSH nuk është një organizatë ilegale, siç thuhet nga disa dashakeqës të çështjes kombëtare, por një domosdoshmëri e kohës". Adili deklaron se 60% e platformës së FBKSH-ës është huazuar nga platforma e bashkimit kombëtar të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Një vit më parë Gafurr Adili u dënua nga Gjykata e Tiranës me 10 muaj burg për nxitje të urrejtjes nacionale.
Krijoni Kontakt