Për gjendjen mjerane e abuzivo-korruptive të Shërbimit Veterinar akuzoj strukturat përkatëse shtetërore
Eshtë për të qarë me ulurima, është turp e faqe e zezë, është faj, bile është krim që duhet ndëshkuar, gjendja mjerane abuzivo-korruptive e shërbimit dhe inspektoriatit veterinar të vendit, rrjedhojë e të cilit është gjendja kaotike e epizootologjike me pasoja të rënda në shëndetin publik. Aktualisht Veterinaria Shqiptare është e zhytur në vorbullën e veprimtarisë së paligjshme që ka shtrirë metastazat kancerozë nga lart poshtë, e që në themel të saj ka vendosur përfitimin me çdo kusht, sa të mundësh, si të mundësh e kur të mundësh.
Njoftimet e kohëve të fundit të medias elektronike dhe asaj ë shkruar për gjendjen alarmante të infeksionit brucelar (melitensis) dhe të plasjes në njerëz të konfirmuara në Qëndrën Spitalore Gjirokastër, më detyruan moralisht që të riformuloj e të ripublikoj akuzën ndaj strukturave shtetërore për këtë gjendje, që është turpi i shekullit, të Veterinarisë Shqiptare.
Kronologjia e akuzave dhe e publikimeve të mia, për denoncimet e abuzimeve e të korrupsionit në shërbimin dhe Inspektoriatin Veterinar, është e gjatë. Deri tani zëri i tyre ka mbetur si zëri i çifutit në shkretëtirë. Le të shpresojmë se dikur ky zë do të dëgjohet. Dhëntë Zoti që koha e dëgjimit të jetë sa më e afërt që të lehtësohen paksa mundimet e popullit të shumëvuajtur.
Ja disa nga akuzat, thirrje e apoteoza, të publikuara me qëllimin e moralshëm të përmirësimit e normalizimit të gjendjes së veterinarisë shqiptare, sipas kërkesave të Ligjit nr.7674 datë 23 shkurt 1993 e të dekretit përkatës nr.479 datë 23 mars 1993.
1. Me shkrimin, "alarmant", "Karagjozët e Veterinarisë", më 6 gusht 1999 është njoftuar Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria se:"Shërbimin Veterinar të vendit e udhëheqin dhe e drejtojnë mediokrit me background të dyshimtë profesional të papërgjegjshmit, të paaftët profesionalisht..., pra karagjozët". Ky njofim i saktë, i qartë, e i argumentuar me 12 probleme, ra në vesh të shurdhër. Nga pikëpamja protokollare u njoftova se titullarët u njohën me shqetësimin dhe më rekomandonin zgjidhjen e problemeve në Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit. Paradoks i vërtetë. Unë akuzoja Ministrin e rekomandohesha që t'i zgjidhja problemet atje.
Triumvirati shtetëror (Presidenca dhe Ekzekutivi), duhet që ta kenë shumë të qartë e një herë e përgjithmonë se shërbimi veterinar është pjesë integrale dhe e domosdoshme e prioritetit shtetëror për mbrojtjen e shëndetit publik.
Për të 12 shqetësimet e hedhura e zeza mbi të bardhë, dërguar instancave më të larta shtetërore, nuk u bë asgjë. Mos vallë mbrojtja e shëndetit publik nuk është prioritet shtetëror? Paradoks i vërtetë alla shqipo.
2. Në shkrimet:"Korrupsioni Xhuvelian në mjekësinë veterinare" (gazeta "55" datë 18 qershor 2000) dhe në pasuesin e tij "Edhe një herë për korrupsionin në Veterinari" (gazeta "55" datë 6 prill 2001) jepen fakte e argumente të fenomeneve abuzivo-korruptive në Shërbimin dhe Inspektoriatin Veterinar të vendit me shkeljet flagrante të ligjit.
Si është e mundur që të shkelet aq abuzivisht dhe aq arbitrarisht një ligj që mbron shëndetin publik?
Unë e akuzoj ish- ministrin L. Zhuveli jo vetëm për shkeljet flagrante të ligjit, por edhe për shkatërrimin deri në themel të veterinarisë shqiptare nëpërmjet "Reformës Xhuveliane". Ai i hoqi gjithë veterinerët nga Drejtoritë e Bujqësisë e Ushqimit. Ai dhe pasuesit e tij nuk e dinë, ose e dinë por nuk duan ta zbatojnë, se ngarkesa e punës në terren të specialistit veterinar përcaktohet mbi bazë "njësie gjedhi" specialistët veterinarë të komunave edhe si "turistë" nuk e mbulojnë dot zonën e tyre administrative.
Veterinaria shqiptare gjatë 74 vjetëve të veprimtarisë së saj ka nxjerrë kollosë, njerëz të shkencës e të veprimit. Kjo pasuri kombëtare është injoruar nga zoti L. Xhuveli e vazhdon të injorohet edhe nga pasuesit e tij. Turp, njëqind herë turp!
3. Në shkrimin "Shërbimi dhe Inspektoriati Veterinar Shqiptar në grahmat e fundit" (gazeta "55" datë 15 gusht 2000) ndërmjet të tjerash shkruan: "Në vitin 1980 Shqipëria u shpall vend praktikisht i pastër nga tuberkulozi e bruceloza e me një situatë nën kontroll për plasjen..." Po sot si paraqitet gjendja, shpërthimet masive të brucelozës (melitensis) në njerëz, veçanërisht në zonat e jugut, shpërthimet e plasjes në njerëz në zona të ndryshme të vendit, ngordhjet masive nga enterotoxemia në të imtat e të tjera, janë balta e turpit që ka mbuluar veterinarinë shqiptare.
Por, çfarë u bë me shqetësimet e publikuara? vetëm heshtje e vetëm heshtje. Askush nuk guxoi që të mbrohesh. Të gjithë përzgjodhën heshtjen si "ilaçin" më të mirë. Turp!
4. Në shkrimin "Shqipëria, vend i ushqimeve të pakontrolluara" (gazeta "Republika" datë 19 prill 2001) jepen fakte të kësaj dukurie e tregohen rrugët optimale të zgjidhjes. Por çfarë bëri ministri L. Xhuveli dhe ish- drejtori i IKV-s K. Bërxholi. Asgjë, vetëm kaq. Ata nuk mund t'ia hiqnim petët byrekut, se dilnin lakuriq!
5. Në shkrimin "Krimi i pandëshkuar në veterinarinë shqiptare" (gazeta "Republika" datë 25 nëntor 2001) parashtrohen 13 pyetje për "gjeneralët", por që si gjithnjë nuk u dha asnjë përgjigje. Po pse? Sepse korrupsioni i ka përfshirë si oktapodi dhe i ka zhytur thellë e më thellë. U zhytshin e mos dalçin më.
6. Në Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit, pas një ballafaqimi me shefin e kabinetit, me drejtorinë e veterinarisë dhe me këshilltarin e ministrit për blegtorinë, në qershor 2002, lashë në dispozicion të tyre një promemorje personale veterinare me probleme e rrugë zgjidhjet. Rezultati? Xero, xero me xhufkë. Ky veprim është sinjifikativ dhe tregues i shkallës së korrupsionit. Ata nuk duan ta luftojnë korrupsionin se humbasin parajsën.
Si është e mundur që kjo ministri emëron dhe nënemëron në postin e Drejtorit të Veterinarisë Shqiptare persona profesionalisht të paaftë?
A nuk mundej kjo ministri që të organizonte një seminar me armatën e veterinerëve të përkushtuar e të përcaktonte kriteret për drejtorinë e veterinarisë, për drejtorinë e IKV-së për Drejtorinë e IKZ-së.
Si është e mundur që kjo ministri e ka lënë Kristaq Bërxholin sa t'i nxjerri themelet IKV-së?
Si është e mundur që kjo ministri emëron në poste të rëndësishme (drejtor i veterinarisë dhe drejtor i IKV-së) vetëm mbi bazën e veprimtarisë, përkatësisë e militantizmit partiak?
A nuk mund të gjëndej, ashtu si Presidenti i vendit, një apo dy profesorë të shquar, por të dalë në pension, që të udhëheqin me dinjitet veterinarinë shqiptare?
Mos vallë vendi i presidentit të vendit është më pak i rëndësishëm se ai i kreut të veterinarisë? Turp për ministrinë. Kanë ndjekur rrugën personale dhe atë të publikuarën.
a) MBi 4 letra i janë adresuar zotit E. Rama me këtë përmbajtje:"Nga kaosi abuzivo-korruptiv ku është zhytur shërbimi dhe inspektoriati veterinar i vendit, nuk mbetet jashtë edhe ai i bashkisë tuaj". Ky konkluzion bazohet dhe argumentohet me shkeljet flagrante të ligjit. Nëse ju dëshironi të bini diçka për mbrojtjen e shëndetit publik u vë në dispozicion njohuritë e mia teoriko-praktike". Rezultati? Xero me xhufkë. Çfarë do më qartë e më saktë ky kryetar bashkie? Ah, po, tenderat!
b) Në shkrimin "Brenga e një specialisti të veterinarisë" (gazeta "Republika" janar 2002) i parashtroi zotit E. Rama 10 probleme që kërkojnë zgjidhje imediate por më kot, problemet veterinare nuk zgjidhen me tendera, por me përkushtim, me zbatim ligji.
Ja, i nderuari lexues, këto janë arsyet që më indinjojnë e më japin kurajon civile morale të riakuzoj strukturat shtetërore për gjendjen e veterinarisë shqiptare, e cila duhet të jetë totalisht në ballë të përpjekjeve për mbrojtjet e shëndetit publik. Vlerësimi yt, i nderuari lexues do të jetë balsam për mua.
Në shtetin ligjor, ligji është rregullatori më i përsosur të cilin duhet ta njohim, ta pranojmë e ta zbatojmë. Ai e tregon forcën e vet në se zbatimi zbehet nga lart-poshtë, pra duke luftuar abuzimin e korrupsionin në strukturat më të alrta. Moszbatimi i nenit nr.77 të ligjit është më skandalozi.
Veterinaria shqiptare ka poteciale shkencore të afta dhe bazë materiale të mjaftueshme që të sigurojë shëndetin publik nga rreziqet potenciale që i kanosen direkt nga kafshët si dhe nga produktet e nënproduktet ushqimore me origjinë shtazore të prodhuara në vend ose të importuara.
Dhëntë Zoti e ardhtë dita fatlume që të fillojë zbatimi i ligjit për Shërbimin dhe inspektoriatin veterinar që të garantohet shëndeti publik, prioritet i prioriteteve të shtetit ligjor.
Dr.Stavri Mone
Krijoni Kontakt