Marrë nga "TV Klan"
Alarm në Strasburg nga sjellja rrugaçe e Fatos Nanos, i cili kërcënon Këshillin e Evropës të shkarkojë raportuesit që e kritikojnë dhe njofton manipulimin edhe të zgjedhjeve të ardhshme. Seancë e jashtëzakonshme për Shqipërinë ditën e enjte, ku pritet të publikohet lista e sanksioneve për qeverinë socialiste
Strasburgu ka kundërshtuar dje kërkesën e trafikuar prej përfaqësuesit të Nanos, Petro Koçi, për ta shtyrë për në qershor të këtij viti shqyrtimin e raportit të komisionit monitorues, lidhur me Shqipërinë. Në një atmosferë të tensionuar, grupi organizues i Asamblesë ka refuzuar kërkesën e një pjese të byrosë parlamentare, duke lënë në fuqi 29 prillin, si datë të nisjes së diskutimeve për Shqipërinë. Më herët, presidenti i Asamblesë, Pieter Schieder, si dhe sekretari i përgjithshëm Valter Shuimer, kishin lëshuar deklaratat e para lidhur me Shqipërinë, duke evidentuar edhe problematikën e rëndë që shfaq akoma sistemi demokratik i saj. Schieder ka kritikuar hapur ankesat e Nanos lidhur me raportuesit Smoravinski e Soreengard, të cilët janë cilësuar si të njëanshëm në raportimet e tyre. "Lidhur me përshkrimin e standardeve të qeverisë shqiptare, nuk do të na japin këshilla nga Tirana se, cilët duhet të zgjedhim si raportuesit tanë”, ka deklaruar Schieder, duke komentuar edhe faktin se, as ai nuk ia lejonte vetes të jepte rekomandime, as për pozitën, e as për opozitën në vend, se si duhet të veprojnë për të nxjerrë vendin nga kriza. Më i detajuar ka qenë në reagimin e vet, sekretari Valter Shuimer, i cili, ditë më parë vizitoi edhe Tiranën zyrtare. Gjatë një samiti në Sarajevë, para tre ditësh, ai dha një intervistë për një rrjet televiziv të kryeqytetit, ku dha alarmin se, edhe zgjedhjet e ardhshme mund të ishin të manipuluara, në rast se nuk niste që tani një proces konsensual i përmirësimit të listave të zgjedhësve, si dhe i infrastrukturës zgjedhore. Sipas Shuimer, procesi i rishikimit të listave duhet të jetë i saktë dhe i përbashkët, pasi "në rast të kundërt, zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë korrekte". Për të realizuar këtë objektiv, sekretari i Strasburgut nuk ka nevojë të presë përfundimet e sesionit ditën e enjte, por shpall paraprakisht një kryqëzatë të ashpër monitorimi ndërkombëtar. "U bëj me dije krerëve politikë shqiptarë se, janë të rrethqarkuar nga politikanët dhe krerët e institucioneve të Evropës”, theksoi Shuimer në intervistën e lartpërmendur. Pa ndonjë debat të fortë, seanca plenare e së enjtes pritet të miratojë propozimin e reporterëve Smoravinski e Sorengaard, që KE të mos heqë monitorimin mbi Shqipërinë, bile që të shtohen fondet për zyrën e organizmit në Tiranë, derisa vendi të japë prova se mund të zhvillojë zgjedhje të lira e të pakontestueshme, si parakushti për thellimin e mëtejshëm të procesit të integrimit. Gjithashtu, në raport kërkohet edhe dhënia e provave të një vullneti të fortë prej lidershipit në qeverisje, për të pranuar rotacionin politik, por edhe për të luftuar kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit, si dhe për thellimin e reformës në administratën publike
Krijoni Kontakt