Marre nga Shekulli
Bush mesazh Moisiut
A.R.
TIRANE- Presidenti Alfred Moisiu, mori dje një mesazh nga presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, nëpërmjet të cilit shpreh falenderimin për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për vendosjen e paqes në Irak. “Në emër të popullit amerikan, dua t’ju falenderoj për mbështetjen dhe vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për sjelljen e paqes dhe demokracisë në Irak. Sulmet e fundit kundër qytetarëve irakianë, personelit të sigurimit dhe forcave të koalicionit, nga ekstremistë të dhunshëm, janë një sfidë e drejtpërdrejtë dhe e qëllimshme ndaj të ardhmes demokratike, që ne të gjithë mbështesim në Irak. Përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë janë në vazhdim dhe drejt suksesit. Forcat e Shqipërisë kanë vepruar me zotësi dhe trimëri, ndaj ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tyre”, -thuhet në mesazhin e Bushit. Ai ndalet më tej tek hapat që duhet të ndërmerren për të arrestuar ata që i janë përgjigjur me dhunë demokracisë në Irak. “Së bashku, ne kemi ecur shumë në rrugën e vendosjes së lirisë dhe dinjititetit për popullin e Irakut, por ka ende për të bërë. Në një demokraci, nuk ka vend për ata që kërkojnë të vendosin autoritetin e tyre përmes pushkës dhe trazirave. Duhet t’i arrestojmë ata që janë përgjegjës për dhunën e fundit. Gjithashtu, duhet të punojmë shumë në të ardhmen për procesin e transferimit të sovranitetit më 30 korrik, 2004. Këshilltari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Brahimi, aktualisht gjendet në Irak dhe ne mbështesim punën e tij, në ndihmën që jep në zhvillimin e strukturimit dhe për procesin përzgjedhës për qeverinë e përkohshme, e cila do të vijë në detyrë më 30 korrik. Ne vlerësojmë rolin e KB-së në procesin politik dhe presim ta përfshijmë Këshillin e Sigurimit të KB-së gjatë procesit të kalimit në një Irak të vetëqeverisur”, -përfundon mesazhi i presidentit Bush për presidentin shqiptar Moisiu.
Pse opozita kundërshton shtimin e kontingjentit tonë në Irak
M N
Ndërsa në një koniunkturë kundërthënëse ndërkombëtare, po profilohet mundësia e shtimit të kontingjentit shqiptar në Irak, me të njëjtën shpejtësi po profilohet kundërshtimi anipse i butë i opozitës për këtë ide.
Në një shikim sipërfaqësor, por jo vetëm të tillë, kundërshtimi i opozitës duket si jo shumë i menduar mirë, madje duhet të supozohet se nuk përfaqëson qëndrimin e shumicës së demokratëve, madje as të opozitës në përgjithësi e shumicës së votuesve të tyre, pra duket si qëndrim i udhëheqjes së ngushtë. Për ta shprehur këtë qëndrim nuk kanë dalë drejtuesit e nivelit të lartë të tyre, si Berisha, që zakonisht nuk lë temë të vogël pa trajtuar personalisht pa le më një temë të tillë. Kanë dalë në plan të parë dhe po kundërshtojnë publikisht idenë e rritjes së kontingjentit zoti Besnik Mustafaj, shef i marrëdhënieve me jashtë i PD-së apo zoti Mehdiu, i cili udhëton shpesh në SHBA duke dhënë idenë e një politikani të thekur proamerikan. Megjithë drojen se kjo mund të jetë ndonjë flatterie frankofile e zotit Mustafaj si edhe në ndonjë rast tjetër, duket gjithsesi e vështirë që ky qëndrim të jetë serioz, i studiuar gjerësisht dhe i mbështetur nga të gjithë krerët e opozitës. Janë disa hipotezat që e mbështesin këtë supozim.
Argumenti kryesor që sillet nga opozita për të kundërshtuar këtë shtim të kontingjentit shqiptar në Irak është ai i buxhetit, pra i gjetjes së parave, rreth 100 USD në ditë për secilin komando. Një argument relativisht serioz, por serioziteti i të cilit asnjanësohet nga sjellje të tjera indiferente të opozitës përsa i përket rritjes së shpenzimeve buxhetore në iniciativa të tjera parlamentare dhe politike të saj. I tillë është rasti i insistimit të saj për miratimin brenda këtij muaji të projektligjit për kompensimin e të persekutuarve ( një faturë disa miliardëdollarëshe,) apo të ish -pronarëve. Në të dy këto raste për qëllime propagandistike opozita nuk po kërkon zgjidhje të arsyeshme, konsensuale, por zgjidhje që do të impononin shpalljen e falimentit të shtetit shqiptar nëse do të pranonte versionin e opozitës për dëmshpërblimet sapoqë kërkohen nja dhjetë miliardë dollarë a më shumë për t´jua dhënë shpejt e shpejt ish -të persekutuarve dhe ish -pronarëve. Pra një shqetësim i tillë i opozitës për rritjen e buxhetit prej mbajtjes së 200 ushtarëve shqiptarë në Irak, një shumë ndoshta e rendit të disa milionë dollarëve duket artificial.
Ndërkohë soliditeti i një pozicionimi të tillë duket i dyshimtë dhe për një arsye tjetër. Nuk ka qëndrim forumesh të opozitës për këtë qëllim dhe nuk ka gjithashtu asnjë prononcim të vetëm të liderit të opozitës, protagonizmi i të cilit rezulton i frenuar. Të dy këto argumente mjaftojnë për t´i dhënë karakterin e një balloni prove kësaj ndërmarrjeje të fundit të opozitës e cila zhvillohet në një kontekst të caktuar, kur disa vende po reflektojnë mundësinë e tërheqjes së kontingjenteve të tyre nga Iraku. Shqipëria dhe shqiptarët borxhlinj ndaj mbështetjes perëndimore, veçanërisht asaj amerikane në rastin e Kosovës dhe në përgjithësi gjatë këtyre viteve të tranzicionit domosdoshmërisht duhet të dëshmojë të kundërtën, pra gatishmëri për të shtuar kontingjentin e vet. Për më shumë që kjo shtesë është kërkuar nga aleatët tanë amerikanë-vështirë që opozita nuk e di këtë, - dhe kjo është një arsye më shumë që ne duhet t´i përgjigjemi pozitivisht. Po atëherë çfarë do të provojë opozita? A është kjo një lloj përpjekje e saj për të vënë në pozitë të vështirë ambasadorin amerikan për të cilin në një pjesë të shtypit pranë saj aludohet se po mbështet karrierën politike të zotit Nano, i cili po shpaloset si një proamerikan i flaktë i orës së fundit? Shpalosje që u duk me përdorimin e vizitës së tij të fundit në SHBA si vizitë pastruese të kësaj karriere, veçanërisht duke ju referuar skanerit të Shtëpisë së Bardhë që nuk kërciti kur ai hyri atje. Apo pse mesazhe të zotit Xhefri në lidhje me protestat e opozitës janë konsideruar si armiqësore ndaj saj? Nëse është e tillë, pra një lloj sfide ndaj punës së ambasadorit që ka si angazhim kryesor krijimin e një qëndrimi masiv provendit të tij apo një përpjekje për të modifikuar qëndrimet e tij që opozita mund t’i mendojë si pro Nano, balloni opozitar duket i pavend. Në opinionin publik vendas dhe në kancelarinë amerikane që nuk përfaqësohet në mënyrë unike prej ambasadorit një qëndrim i tillë do të interpretohej si gjest jo miqësor i saj dhe në këtë kuptim opozita që aspiron të marrë pushtetin sa më shpejt të jetë e mundur po vetëfshikullohet. Edhe përpjekja për të bërë një lloj loje proeuropiane, pra për t’u sintonizuar me qëndrimin dukshëm më kritik ndaj qeverisë së zotit Nano prej institucioneve të Europës së Bashkuar në raport me qëndrimin amerikan diçka më pak kritik do të ishte një tjetër sfidë grandomane për t’u përfshirë në konfliktin ndërplanetar Europë-SHBA dhe realisht ana tjetër e monedhës së sjelljes së zotit Nano që pretendon se po ia del mbanë shkëlqyeshëm në këtë konflikt, duke mbajtur anën e SHBA-ve. Vështirë se mbështetja ndërkombëtare mund të fitohet me lojëra të tilla dhe kjo vlen për të dy palët e konfliktit politik shqiptar. Nuk duket më shumë realist as dhe ndonjë lloj arsyetimi i mundshëm se duke bërë kështu, opozita do të errësojë sadopak shkëlqimin amerikan të zotit Nano i cili mund të shesë si meritë të vetën edhe proamerikanizmin e gjithë klasës politike shqiptare. Një sjellje e tillë në këtë moment nuk duket as se dhe mund të provokojë shtim votash të shqiptarëve për opozitën.
Një shikim i tillë i qëndrimit më të fundit të opozitës në lidhje me vatrën më të rëndësishme të interesit ndërkombëtar siç është Iraku është thjesht një sprovë analitike. Të vërtetën mund ta sqarojë vetë opozita më tej me sjelljen e saj në Parlament. Për më shumë ka të ngjarë që të jenë aleatët që të financojnë këtë shtim kontingjenti. Pra në një vit të rëndësishëm kur është në provë sjellja politike e opozitës që ka shumë shance për të ardhur në pushtet, një vit përpara fillimit të diskutimit të statusit të Kosovës në funksion të të cilit gjithë shqiptarët duhet të bëjnë figurë sa më të mirë ndërkombëtare, opozita do të gabonte nëse do të përputhte qëndrimin e vet me atë të ballonit të provës. Pra kundër shtimit të kontingjentit shqiptar në Irak.
Krijoni Kontakt