tema:
Kronika
Agim Pepa është strehur në ambjente luksoze për rreth pesë muaj në kryeqytet
Pepa, pesë muaj në Tiranë
Burime të besueshme në Ministrinë e Rendit thanë se Pepa është fotografuar në tre vende të ndryshme përgjatë pesë muajve në Tiranë. Fotoja e parë është bërë në afërsi të Urës së Tabakëve, e dyta në afërsi të fakultetit të Shkencave Natyrore dhe e treta pranë kryqëzimit te Zogu i Zi.
Mentor Beqa
Agim Pepa është strehuar për më shumë se pesë muaj pas vrasjes së komisar Gani Malushit në qytetin e Tiranës. Burime tepër të besueshme në Ministrinë e Rendit Publik bënë të ditur se Agim Pepa është parë nga bashkëpunëtorë të policisë mbi tre herë në harkun e pesë muajve në qytetin e Tiranës. Sipas këtyre burimeve ekzistojnë edhe tre foto të Agim Pepës të bëra në kryeqytet në tre vende të ndryshme. Burimet nuk sqaruan nëse fotot janë bërë nga inspektorë të policisë së kryeqytetit apo nga bashkëpunëtorë të policisë, të cilët paguhen për raste të tilla.
Burimet treguan se fotoja e parë e Agim Pepës është bërë në afërsi të Urës së Tabakëve, pak metër larg Kuvendit të Republikës. Në atë foto Agim Pepa është me dy persona të tjerë në një makinë fuoristradë, tip "Kia", me targa të huaja. Aparati që ka fiksuar fytyrën e Agim Pepës e nxjerr atë të qeshur dhe pa asnjë lloj frike. Burimet në Ministrinë e Rendit Publik thanë se fotoja e dytë është bërë në afërsi të Fakultetit të Shkencave Natyrore, pranë stacionit të trenit, në rrugicën që të nxjerr për te Prokuroria e Tiranës. Në këtë foto Agim Pepa është i shoqëruar nga dy vajza shumë simpatike. Në këtë rast ai është fiksuar jashtë makinës.
Fotoja e tretë, sipas burimeve në Ministrinë e Rendit Publik, është bërë në afërsi të kryqëzimit te Zogu i Zi. Agim Pepa në këtë rast ka qenë i vetëm me një makinë, tipi i së cilës nuk dallohet dot në foto, pasi nuk është fiksuar. Të të tria këto foto, për të cilat nuk dihet nëse krerët e Ministrisë së Rendit janë në dijeni, nuk janë mundur të nxirren, pasi konsiderohen si sekret i punës operative të policisë.
Vendi ku është bërë fotoja e tretë e Agim Pepës koinçidon edhe me një operacion të dështuar të policisë shqiptare dy muaj më parë për arrestimin e të shumëkërkuarit. Agim Pepa dyshohet se ka qenë i strehuar në një vilë luksoze tre katëshe tek Zogu i Zi, mes rrugës së Laprakës dhe rrugës "Don Bosko". Forcat Speciale kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar një shtëpi tjetër gabimisht. Agim Pepa është informuar nga brenda Ministrisë së Rendit dhe ka arritur të largohet. Policia më pas ka shkuar në shtëpinë, ku dyshohet të ishte Pepa dhe ka gjetur një automatik si dhe krevatin e ngrohtë, ku kishte fjetur i shumëkërkuari. Nga ekspertiza e bërë në automatik ka rezultuar se shenjat e gishtërinjve i përkasin Agim Pepës.
Në rastet e tjera, kur Agim Pepa është vërejtur në Tiranë, nuk dihet nëse policia është angazhuar për arrestimin e tij. Toska foli dy ditë më parë për 51 operacione të dështuara dhe nuk dihet se sa prej tyre janë organizuar në Tiranë. Shuma e lekëve të shpenzuar për kapjen e Pepës, sipas tij, shkonte në 150 milion lekë të vjetra. Edhe pamja e Agim Pepës pas dorëzimit katër ditë më parë, tregonte se ai nuk ishte munduar shumë gjatë tetë muajve arrati. Përkundrazi ishte shëndoshur nga ana fizike dhe fytyra i shkëlqente.
Nëna e Pepës: Mos akuzoni shtetin
Nëna e Agim Pepës, Prenga Pepa ka deklaruar nëpër media se djali i saj ka qenë i fshehur nëpër male e shpella, atje ku policia nuk mund ta gjente. Ajo u ka bërë thirrje të gjithë atyre që thonë se shteti është i implikuar në këtë çështje, të mos akuzojnë njerëzit e shtetit, pasi djali i saj nuk është arrestuar dot dhe se ai nuk komandohet nga asnjeri përveç vetes. Është i çuditshëm fakti se si nëna e një personi që rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm, deklaron që të mos akuzohen njerëzit e shtetit dhe se djali i saj nuk ka lidhje me ta.
Kompromisi i Pepës për dorëzim implikon edhe Drejtësinë
Ende nuk është bërë publik fakti nëse është i vërtetë kompromisi i Agim Pepës me drejtuesit e policisë për dorëzimin me kushtin e uljes së dënimit. Askush nuk ka dalë në mënyrë zyrtare të deklarojë se Pepa është dorëzuar përkundrejt faljes së shumë viteve burg ndaj tij. Aktualisht me akuzat që rëndojnë mbi Pepën ai rrezikon burgim të përjetshëm. Gjykata nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të. Nëse ajo do të pranonte këtë lloj gjykimi, atëherë do të detyrohej të ulte një të tretën e dënimit. Minimumi i viteve të burgut në këtë rast do të shkonte deri në 25 vjet burg. Nëse gjykata do të merrte parasysh më pas edhe rrethana të tjera lehtësuese si vetëdorëzimi, sjellja e mirë, situata në të cilën ai ka kryer krimin e etj, mund të shohim se për Agim Pepën të jepet ndonjë vendim qesharak.
Toska: Dy vitet e fundit u dorëzuan 60 të kërkuar
Ministria e Rendit Publik ka nxjerrë edhe dje një njoftim ku thotë se dorëzimi i Agim Pepës nuk është rasti i vetëm, pasi dy vitet e fundit janë dorëzuar rreth 60 persona të kërkuar nga policia për krime të ndryshme. Ministria e Rendit Publik theksoi sërish se "dorëzimi i shtetasit Agim Pepa ishte rezultat i rritjes së trysnisë së Policisë së Shtetit dhe intensifikimit të veprimeve policore për të identifikuar vendndodhjen e tij dhe për të bërë të mundur arrestimin e këtij shtetasi. Por rasti i Agim Pepës nuk është i vetmi. "Gjatë dy viteve të fundit 60 persona të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë për vepra të ndryshme penale, të gjendur pa rrugëdalje përballë presionit të aksioneve policore janë vetëdorëzuar në polici. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2004 janë dorëzuar në Policinë e Shtetit 5 persona të shpallur në kërkim, nga të cilët 4 për veprën penale të vrasjes dhe një për trafik të lendëve narkotike," thuhet në njoftimin e Ministrisë së Rendit. Sipas Ministrisë së Rendit gjatë vitit 2002 janë dorëzuar në polici 23 persona, nga të cilët: 2 të kërkuar për krimin e vrasjes, 2 të kërkuar për rrëmbim personi, 6 të kërkuar për krime të tjera kundër personit, etj. Ndërsa gjatë vitit 2003 janë dorëzuar në organet e policisë 37 persona, nga të cilët: 4 për vrasje, 6 për trafiqe të paligjshme. Policia u ka bërë thirrje sërish të kërkuarve të dorëzohen pranë organeve ligjzbatuese, duke patur parasysh se vetdorëzimi parashikohet si rrethanë lehtësuese nga Kodi i Procedurës Penale, neni 48. Njëkohësisht paralajmëron të gjithë ata shtetas që strehojnë apo u japin ndihmë personave në kërkim se veprimi i tyre është i dënueshëm penalisht deri në 5 vjet heqje lirie sipas nenit 302 të Kodit Penal.
Frika nga krimi politik
Nga Mentor Beqa
Personazhi kryesor në median shqiptare ditët e fundit ishte Agim Pepa. I akuzuar për vrasjen e dy policëve, njëri prej të cilëve komisar policie, Pepa sfidoi për tetë muaj me radhë uniformat blu. I ngjitur në majat e krimit shqiptar për vite me radhë, ai akuzohet të ketë kryer shtatë vrasje. Dy ditë më parë u paraqit pas dorëzimit në polici, në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Megjithëse i arratisur për tetë muaj, në male e shpella siç thonë disa, fytyra i shkëlqente si askujt tjetër. Me një gjakftohtësi kriminale të çuditshme, përgjigjej pa kurrfarë kompleksi mbi gjithçka e për gjithçka. I qetë si të kishte siguri absolute. Shpërfillës ndaj viktimave, sikur t'u kish bërë nder. U paraqit në zyrën e Drejtorit të Policisë së Durrësit, sikur të ishte epror i tij. Bashkëbisedoi në tryezën e punës së Drejtorit, sikur po nënshkruanin ndonjë marrëveshje bilaterale për ndihmë reciproke. Familjarët e tij hynin sa herë u tekej në zyrën e Ministrit të Rendit, pa kurrfarë ndjenje inferioriteti. Bisedonin me Ministrin e vendosnin kushte si të ishin faktorë politikë. U shoqërua nga Durrësi për në Tiranë me një eskortë që vetëm Presidentit Regan ia kisha parë ditën që iu bë atentat. Nëna e tij ngjitej në makinën e policisë si zonja Theçer e Anglisë. Shamizezë e me veshje tradicionale kishte trokitur edhe muaj më parë në derën e ministrit Rama. Tashmë nuk kishte nevojë të vinte në ministri të takonte ministrin e ri, mjafton vetëm një telefonatë. Është nëna e personit që akuzohet për vrasjen e dy policëve e dyshohet për vrasjen e dy të tjerëve. Gardianët e burgut kishin ditë të veçantë dy ditë më parë. Të veshur mirë e të shtrënguar nga antiplumbat, prisnin "mikun" e tyre të ri. Asnjë prej tyre nuk e njihnin. Kishin lexuar në gazeta e në media dhe kanë ndërtuar mitin e super-njeriut. Tashmë ky mit ndodhej pas hekurave. Pas tyre ishin edhe ata, policët që duhet ta arrestonin. Po jo. Serviloseshin si ta kishin epror. Mezi prisnin t'u hidhte një shikim. T'u buzëqeshte e t'i bënte të preferuarit e tij. Mezi prisnin të shkëmbenin ndonjë fjalë me të. Ta preknin paksa në shpatull e ta ledhatonin. E kënaqeshin aq shumë të mbulonin fytyrën shkëlqyese nga kamerat e shumta. Të bënin si mbrojtës të tij. T'i fitonin miqësinë një krimineli. Ja sa i frikshëm është Agim Pepa.
Nuk është i vetëm në sojin e tij, ka edhe shumë të tjerë. Ca pas hekurave e ca që bredhin rrugëve të Tiranës. Po pse janë kaq të frikshëm? Duart e tyre janë të shtrënguara me pranga. Fuqia ekzekutuese është zero. Atëherë, përse servilosen këta policë? Përse kanë kaq frikë?
E thjeshtë, të frikshëm janë miqtë në politikë. Janë ata që flasin e flasin për krimin nga poltroni i Parlamentit. Pikërisht ata që thurin ligje për të dënuar krimin. E kush mund të mos thotë se ata nuk janë miqtë e këtyre të paktëve pas hekurave e të të shumtëve jashtë tyre. Të gjithë i dinë emrat e miqve të Pepës, Mirit të Xhikes, Altin Lames, Orik Shytit, Altin Arapit... Janë në Parlament. Këto janë të frikshmit. Ata që detyrojnë drejtorët e policisë të ulen në një tavolinë me kriminelë. Ata që iu hapin dyert e ministrive familjarëve të vrasësve. E një gazetar e ka për privilegj të takojë një njeri që mbahet nga taksat e qytetarëve. Vetëm një personi nuk i mbushet mendja për këtë. Është Prokurori i Përgjithshëm, zoti Sollaku. Është ai që del e mban leksione se krimi nuk është i lidhur me politikën ecetera ecetera. Sa keq kur institucioni i akuzës kthehet në mjet pastrimi! Sa keq kur politikanë abuzues e përdorin atë thjesht për katharsis. E më pas të mbyllin gojën. "Ja, ju jeni shpifës. E thotë Prokuroria e jo ne."
E në fund detyrohesh të heshtësh. Të presësh me dhimbje epokën e karteleve shqiptare.
Ministri i Rendit firmosi përjashtimin e Drejtorit të Policisë së Dibrës, Agron Hasanaj
Toska përjashton drejtorin për imoralitet
Ministria e Rendit deklaroi se përjashtimi i kryekomisar Agron Hasanaj është bërë pasi "Nuk ka ruajtur nderin dhe dinjitetin personal si punonjës policie duke mos shmangur shoqërimet me individë të pamoralshëm e me reputacion të keq në komunitet"
Ministri i Rendit Igli Toska ka shkurtuar nga radhët e policisë edhe një titullar me gradë të lartë kryekomisar, drejtorin e policisë së Dibrës, Agron Hasanaj. Ministria e Rendit Publik informoi nëpërmjet një njoftimi për shtyp se është përjashtuar nga policia e shtetit kryekomisar Agron Hasanaj, pasi ka ripranuar dhe emëruar policë, persona të cilët kanë qenë kontigjent kriminal. Sipas Ministrisë së Rendit në këtë formë kryekomisar Hasanaj ka shkelur ligjin "Për policinë e Shtetit", neni 20, pika 2/c, "Kodi të Etikës së Policisë" dhe Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit. Sipas ministrisë kjo është bërë duke shkelur betimin; duke kryer abuzime të rënda me atributet e policisë dhe mirëbesimin e publikut; duke mbajtur lidhje që shkaktojnë skandale publike, brenda dhe jashtë shërbimit me persona imoralë ose që sillen në kundërshtim me normat e moralit shoqëror; duke shkelur me dashje normat e detyrës me pasojë shkaktimin e një dëmi shumë të madh ndaj shtetit, intitucionit të policise dhe publikut. Sipas Ministrit të Rendit Igli Toska kryekomisar Agron Hasanaj ka ripranuar dhe emëruar në detyrë punonjës policie të deklaruar kontigjent nga vetë emërtesa. Nuk ka kontrolluar dhe zbatuar aktet ligjore e nënligjore, procedurat për kryerjen e detyrës, por me urdhrat e tij ndaj vartësve është vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Nuk ka synuar forcimin e vazhdueshëm të disiplinës në organin që drejton. Nuk ka ruajtur nderin dhe dinjitetin personal si punonjës policie duke mos shmangur shoqërimet me individë të pamoralshëm e me reputacion të keq në komunitet.
Ky është i gjithë motivacioni që Toska ka përdorur për të përjashtuar nga policia e shtetit kryekomisar Agron Hasanajn. Toska deri në këto momente ka kryer një sërë përjashtimesh nga policia, mes të cilëve shumë drejtorë të Drejtorive të Rretheve. Mes këtyre mund të përmendim, drejtorin e Policisë së Elbasanit Neritan Nallbati, ish drejtorin e policisë së Beratit, Ilirjan Dida, ish drejtorin e Policisë së Lezhës, Gjovalin Loka, ish drejtorin e Policisë së Vlorës Xhevahir Karaj. Ndërsa janë detyruar të japin dorëheqje ish nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Fadil Canaj dhe ish Drejtori i Policisë së Tiranës Pjerin Ndreu. Shumë prej këtyre titullarëve të policisë me gradat komisar e lart, janë përjashtuar me motivacionin për pranim të personave të inkriminuar. Disa për shkelje të rëndë të detyrës dhe shkaktim dëmi shtetit etj. Ndërsa vetë të përjashtuarit e kanë kundërshtuar ashpër vendimin e Igli Toskës. Neritan Nallbati është polici që ka bërë të mundur arrestimin e shumë anëtarëve të organizatës 'Hakmarrja për Drejtësi'.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e akuzon Igli Toskën si ish kontigjent të kësaj organizate. Ndërsa reagimi më i fortë, por që u zbeh me kalimin e kohës është ai i Ilirjan Didës. Ai qëndroi në grevë urie për më shumë se dy javë dhe më pas u detyrua të dilte. Prokuroria e Përgjithshme ka filluar hetimet lidhur me Ilirian Didën.
Italianët sjellin në Durrës dy skafistët, mbahet i treti
Policia e Barit ka bërë të mundur riatdhesimin e dy skafistëve të cilët u deklaruan prej saj se ishin kapur në një skaf i cili ishte larguar vetëm 18 milje nga bregdeti italian. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Durrësit, e cila për ngjarjen e djeshme ka heshtur në pritje të reagimeve nga policia e vendit fqinjë. Riatdhesimi i tyre është bërë me tragetin e linjës Bari-Durrës, Adriatika, i cili ka mbërritur në portin e Durrësit në orën 08. 00 të mëngjesit. Sipas policisë është bërë kthimi i shtetasit Nazmi Helshani, 49 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë si dhe shtetasit Agron Mici lindur në Fier dhe banues në Kavajë. Menjëherë me të mbërritur në portin e Durrësit të dy shtetasit janë prangosur nga policia e Durrësit. Enigmë mbetet mosrikthimi i shtetasit të tretë lindur dhe banues në Dibër, Urim Kebej, i cili është mbajtur nga policia e Barit. Skafistët e kthyer janë kapur gjatë një operacioni shpëtimi të policisë italiane vetëm 18 milje nga bregdeti i Barit, pas një avarie që ka ndodhur në motorët e skafit me një gjatësi prej 17 metrash. Sinjalin e alarmit e ka dhënë një anije italiane, e cila po kalonte në afërsi të skafit. Sipas njoftimeve të djeshme zyrtare nga policia e Barit kanë qenë tre personat e ndaluar dhe mendohet se ata mund të kishin mbërritur në brigjet e Barit dhe më pas janë kthyer për në Shqipëri. Por ende nuk është bërë e ditur se çfarë kanë lënë në breg, klandestinë apo mall kontrabandë. Rasti i djeshëm ka shënuar ngjarjen e parë të trafikut klandestin në korridorin ujor, pas ngjarjes së 9 janarit.
Artur Llana
-----
Krijoni Kontakt