Kujdes nga telefoni, kujdes nga Vodafoni
Telefoni celular ka hyrë shumë në modë në Shqipëri dhe shumë shqiptarë e kanë një të tillë.
Padyshim që të gjithë politikanët tanë janë pajisur me nga një të tillë. Por pa menduar se ky mjet tepër praktik dhe i domosdoshëm është edhe tradhëtari i tyre më i madh.
Në radhë të parë telefoni celular tradhëton lëvizjet e mbajtësit të tij. Teknologjia e këtyre telefonave është e tillë që qendra operative e Operatorit Celular është në dijeni të pozicionit të telefonit në çdo moment kur ai është i ndezur. Precizioni i pozicionit nuk është tepër i saktë por i mjaftueshëm për të ditur se X politikan ndodhet në filan rrugë apo kafe. Dhe nëse dy politikanë ndodhen në të njëjtin kuadrat me telefona ndezur ka shumë shance që të jetë duke u zhvilluar një takim i "fshehtë" midis tyre. Përcaktimi i pozicionit është një veprimtari legale në vende si U.S dhe përdoret nga ndërmarrje që kanë nevojë të përcaktojnë vendndodhjen e punonjësve të tyre, në raste urgjencash etj. (shih p.sh Location Managerin e OpenWave tek: http://www.openwave.com/us/products/...ager/index.htm )
Por në këto vende ky përdorim i bindet një legjislacioni i cili garanton konfidencialitetin e të dhënave dhe dijeninë e personave për të cilët përdoren dhe vjen pas një marrëvshje midis Operatorit Celular dhe ndërmarrjes kliente.
Përsa i përket Shqipërisë qarkullojnë thashetheme se gjeo-lokalizimi përdoret gjerësisht nga operatorët celularë dhe për më tepër për interesa të ngushta politike. Nuk e di a ekziston legjislacioni për këtë fushë, por nëse do të ekzistonte në një formë të ngjashme me vendet perëndimore dhe nëse do t'iu besonim thashethemeve, kompanitë tona celulare janë duke e shkelur me të dyja këmbët duke shkelur njëkohësisht në mënyrë tepër të rëndë edhe një nga liritë më thelbësore të njeriut.
Mënyra e dytë e përgjimit me anë të telefonave është përgjimi në distancë. Telefonat celularë në përgjithësi mund të komunikojnë në disa kanale njëherësh (p.sh në funksionin "konferencë"). Kompanitë celulare kanë mundësinë që me iniciativën e tyre të hapin një nga këta kanale pa i rënë ziles dhe pa afishuar asgjë në ekranin e telefonit. Mbajtësi i telefonit nuk ka asnjë mundësi ta dallojë që telefoni i tij është i hapur dhe po përgjohet duke transmetuar bisedën e tij sikur ai të ishte duke e bërë me telefon hapur.
Edhe për këtë funksion në vendet perëndimore ka një legjislacion të saktë që lejon përdorimin nga organet e policisë dhe prokurorisë në raste tepër të jashtëzakonshme dhe të justifikuara. Kurse në Shqipëri nuk dihet a ekziston legjislacioni përkatës dhe se në ç'mënyrê e zbatojnë kompanitë celulare atë. Do të ishte mirë që të kishte më shumë transparencë për këtë dhe më shumë kërkesë llogarie.
Deri tani nuk ka ndonjë provë direkte për një përdorim të tillë të jashtë-ligjshëm, por si zakonisht në Shqipëri vetëm thashetheme. Megjithatë nuk besoj që këto thashetheme të jenë fare pa bazë në një vend si Shqipëria ku çdo gjë dihet dhe të gjithë bëjnë të paditurin.
Nuk është e rastit që kur pajisjet e Vodafone Albania (filial i Vodafone Greqi) u instaluan në Tiranë, kishte të pranishëm vetëm inxhinierë grekë që punuan në fshehtësinë më të madhe, larg shqiptarëve që nuk lënë gjë pa thënë.
Prandaj, të nderuar politikanë të opozitës, i lini telefonat tradhëtarë ca kohë në halé dhe mos i merrni me vehte nëpër mbledhje e takime.
Kujdes nga telefoni, kujdes nga Vodafoni.
Krijoni Kontakt