Suksesi i “dijes dhe lirisë së kufizuar”



Problemi më i madh në të gjitha kohërat për njerëzimin është gjithëpranuar se ka mbetur çështja e përcaktimit të gjykimit të situatave të ndryshme qoftë për të tjerët qoftë edhe për vetveten si në rastet kur ngjarjet i ndodhin njeriut papritur ashtu edhe kur i ndërmerr me iniciativën e tij. Shkak për këtë dilemë të vazhdueshme (pra paqartësia jonë ndaj pyetjeve nëse i kuptuam mirë apo na kuptuan mirë kur thamë apo na thanë diçka, kur vepruam ndaj të tjerëve apo kur vepruan ndaj nesh) duket se nuk kanë qënë vetëm argumentet e ndryshme që kanë sjellë zhvillimi i pandalshëm teknologjik dhe ekonomik por edhe idetë e ndryshme të përhapura nga mendje të ditura.

Thuajse nuk ka njeri në rruzull që të mos dijë a të mos këtë lexuar diçka për rënien e perandorive mbretërive apo diktaturave, apo edhe kundërshtimin e mjaft dijetarëve gjatë historisë nga dijetarë të tjerë të së njëjtës periudhë apo edhe të mëvonshëm. Këto ide janë kundërshtuar apo janë dyshuar edhe kur kanë bërë epokë, edhe kur kanë ndryshuar histori. Këto ide janë kontestuar ndonjëherë edhe për faktin se nga një popull në një popull tjetër ka mënyra të ndryshme të të jetuarit, e për pasojë edhe mënyra të ndryshme përftimi të shijeve të jetës.

Megjithatë, askush nuk e kundërshton që lëvizjet e mëdha shpeshherë kanë qenë të lidhura me një emër të vetëm emër i cili ka mjaftuar për të patur mbështetës – mbështetës që më pas kanë bërë të mundur edhe ngritjen apo rrëzimin e një diktature modeli apo filozofie në grup.

Përballë këtyre kundërshtimeve, përballë këtyre mosbesimeve për një ide apo mbretëri, në të gjitha kohërat kanë qenë edhe idetë sipas modelit hyjnor, modelit të zbritur nga librat e Zotit, ku njeriut shpeshherë i kujtohet kufiri i mundësive dhe kohës. Këto ide kanë mbetur rreth një boshti të palëvizshëm. Madje, në pamje të parë një model i tillë është dukur naiv, pse jo edhe herë-herë zhgënjyes përballë zhvillimeve të pandalshme të shkencës. Shkak për këtë “naivitet” janë bërë përgjigjet e kufizuara të praktikuesve të kësaj filozofie, përgjigje të cilat, duke mos tentuar fundin, por mundësitë e atyre që i kanë praktikuar, kanë ngjallur figurën e të mosguximshmit apo të njeriut që nuk kërkon të kalojë të pamundurën.

Por a mundet njeriu të kërkojë pafundësinë?

Asnjë e dhënë e vetme nuk ka mbërritur gjer më sot që të na bëjë të besojmë se njeriu është i vetëmjaftueshëm. Nuk ka lindje që të mos jetë shoqëruar me vdekje! Pamundësia e pafundme e njeriut është firmosur me kohën e kufizuar të jetës. Pas kësaj, askush nuk mund të vdesë me sigurinë që ka prekur fundin.

Atëherë, cila forcë mund të na sigurojë se ne kemi qenë në rrugë të drejtë? A thua këtë shans do ta ketë vetëm njeriu që do të jetojë i fundit në tokë?

Atëherë, na duhet të dorëzohemi tek diçka që nuk ka nevojë të flerë, të hajë, që as nuk lind e as nuk vdes. Duhet të dorëzohemi tek diçka që nuk ka fund. Pra, thjesht që duhet të kuptojmë se pas kufirit tonë ka një pjesë tjetër, por që nuk është e jona edhe pse prej asaj “Pjese” ne marrim jetën, frymën, mundësinë për të parë, për të dëgjuar!

Nevoja për autoritet

Shpeshherë edhe në jetën e përditshme shumë njerëz duan të dinë se cili është burimi i një mendimi. Pra pyetjet “Kush ta tha?”, “Çfarë ka mbaruar?”, “Kush e njeh?”, “Ku punon?”, janë disa nga pyetjet që shoqërojnë një bashkëbisedues që kërkon të bindet për atë që dëgjon nga dikush apo nga disa. Këto pyetje nuk janë veçse nevojë për autoritet, janë nevoja që ka njeriu për të mbështetur diçka që ka ndërmend ta besojë më vonë edhe si të vërtetë, por edhe si një mënyrë që do t’i duhet ta përdorë. Nëse “autoriteti” që e ka thënë është i dëgjuar, i respektuar, i besueshëm, i suksesshëm, ndjekja e formave të tij është edhe e lehtë në pranueshmëri apo edhe praktishmëri.

Por cili ka qenë autoriteti më i besueshëm dhe njëkohësisht më gazndjellës?

Bota sot mbart shumë emra, mbart shumë zhvillime. Shumë prej tyre janë të vlefshme jo vetëm për mirëqenien por për të gjithë mentalitetin e jetës, për mënyrën e të menduarit, për kufijtë e një forme të të jetuarit me kuptim. Emra të tërë kanë bërë epokë. Emra të tërë kanë mundur të nxjerrin popuj të ndryshëm nga një errësirë për ta dërguar drejt një rruge plot dritë. Por, thuajse të gjitha lëvizjet kanë dashur kohë të përftohen nga të gjithë, të pranohen nga të gjithë, e aq më pak të praktikohen nga të gjithë. Aq më tepër që askush nuk ka mundur të thotë se këto njerëz që kanë bërë epokë janë fundi i llojit të tyre. Gjithmonë është shpresuar se dikush mund të shkojë për më tej.

Por, nëse njeriu do të kërkonte të pamundurën në jetë, ai do të ishte gjithnjë me një këmbë në zhgënjim. Sepse, vetëm kuptimi i kufirit është edhe pikëtakimi me suksesin.

Përballë kësaj pasigurie për kufijtë e mençurisë dhe mundësive tona, ka fituar vetëm një autoritet – autoriteti që vjen përmes përjetësisë dhe që ka gjithë diturinë dhe kohën e nevojshme për të mbartur tërë njerëzimin. Pra, i vetmi autoritet që nuk rrezikon zhgënjimin e që mund të kthehet në gazndjellës është ai që vjen prej zotëruesit të përjetësisë.

Suksesi i “dijes dhe lirisë së kufizuar”

Për të kuptuar kënaqësinë e kufirit duhet fillimisht të marrim edhe një shembull. Imagjinoni një person në mes të detit që nuk ka asnjë koordinatë. Ai edhe pse mund të jetë më afër bregut, vetëm se nuk e di koordinatën e tij, mund të kthehet në pesimist. Ndërsa, nëse do t’ia tregonim koordinatën, edhe pse po aq larg sa në momentin që nuk e dinte, ai do të kërkonte të maste forcat dhe do të llogariste mundësitë e tija. Pra, bregu, që në këtë rast është kufi (kufiri i detit me tokën), është edhe fillimi i lirisë së tij. Liria e tij fillon me dijeninë për bregun, pra me kufirin. Ndërkohë që kalimi i mundshëm në breg është triumf- një triumf që do të ishte i pamundur pa dijeninë për kufirin pra për bregun.

Nëse nuk do të kishim finish, nuk do të kishim as kampionë.

Pra, kufiri është formë për të matur forcat, për të arritur suksesin, për të shijuar gëzimin, për të ditur për t’i dhënë emër humbjes. Por kur ne nuk e dimë se ku është pikërisht ajo që duhet të arrijmë, si mund ta arrijmë?

E vetmja dije që duket se i është afruar vazhdimisht suksesit është dija me kufi – dija e shoqëruar me mendimin se liria është e deridikueshme. Ata që kanë arritur të mendojnë se ka kufi edhe pas ideve të tyre, por se këto ide nuk i janë ngarkuar atij, i bën këta njerëz që në formësimin e marrëdhënieve të jenë të suksesshëm. Të tillë njerëz kanë kohë të shijojnë, të maten përpara se të shohin më tutje, të kuptojnë se të mendosh ditën e ndalimit do të thotë të jetosh përtej saj. Sepse, nëse ti e sheh një kufi, atëherë t’i ke të drejtë të mendosh edhe për një kufi tjetër pas tij. E nëse e arrin atë kufi t’i ke të drejtë të gëzohesh për atë që munde të bësh. Por nëse nuk je mbështetur diku, si mund të shohësh diçka tjetër?

Vënia e kufirit, që në pamje të parë duket pengesë, në mënyrë graduale mund të kthehet në liri. Sepse vënia e kufirit është edhe fillim i njohjes së lirisë për të vepruar, është njohje e asaj që të duhet dhe që mund të tentosh ta kapësh.

Por ky është një proces që zgjat dhe ka të bëjë me rrugën për të zgjeruar diturinë. Askush që nuk ka punë me shtimin e dijes nuk ka as mundësi të kuptojë edhe kufijtë. (Nëse ne nuk lëvizim nga një qytezë kush mund të na garantojë që kufiri është diku më tutje. Nëse nuk e dimë se ku mbaron mendimi i njërit, si mund të pretendojmë se mund të kuptojmë mendimin e tjetrit).

Pra, fitorja jonë është e lidhur me kuptimin e përkohësisë sonë, me kuptimin e mundësive tona të kufizuara. Sepse duke menduar kohën tonë njerëzore ne mund të kuptojmë edhe fuqinë tonë të fundme. E nëse dikush prej nesh njeh këto kufij, atëherë ai është pajtuar me lirinë e tij, pra, ka mundësinë të jetë në rrugën për suksesin e tij. Sepse vetëm një njeri që e di se ku shkon mund të arrijë atje. Përndryshe, ai që mendon se i ka mundësitë për të gjitha rrugët nuk mund ta dijë kurrë se ku ka arritur.