Nga William Yeats, Robert Frost, Ezra Pound e T.S.Eliot deri tek Seamus Heaney e Jorie Graham, e para antologji e poezisë anglosaksone e shekullit të 20-të në një version përkthimi të gjuhës shqipe, poetët disa prej të cilëve ose kishin hyrë fshehtaz ose ishin rreptësisht të ndaluar
Elsa Demo
“Me fjalë të tjera, poezia mban larg vdekjen.” Harold Bloom një prej kritikëve dhe estetëve më të njohur të shek.XX, e gushëllon boll edhe me kaq lexuesin e poezisë së madhe, tek e cila duket sikur zbulon fundin e të gjitha kryeve dhe më shumë se kaq, poetëve të së ardhmes, s’iu mbetet për të thënë. Bloom si një medium i poetëve që sot nuk jetojnë më, fton në tryezën poetike poetë të mëdhenj Yeats e Lawrence, Pound e Williams, Witman e Dickinson, Hardy e Stevens, Coleridge e Eliot, ku kanë sosur origjinat e poetikës e ku ia ka mbërritur fazës finale të saj.
“Poetët, si poetë dhe veçanërisht poetët e fuqishëm, në fund kthehen në origjinë, apo tekembramja, e ndiejnë pashmangshmërinë e fundit”,- thotë Bloomi i cili për të shpjeguar këtë energji shteruese që mbartte me vete poezia anglosaksone e shek.XX nga paraardhësit e saj, i referohet Emersonit një prej psikologëve amerikanë të moralit më të nënvleftësuar të kohës tonë kur pohon: “Eshtë tejet i trishtë zbulimi që ne ekzistojmë, por tanimë është tepër vonë. Ky zbulim është pagëzuar rënia e njeriut…”
Në këto kushte, lindën poetët e fuqishëm anglosaksonë të sipërpërmendur të shekullit që lamë pas e të tjerë si Dylan Thomas, John Berryman, James Dickey, Allen Ginsberg, John Ashbery, Sylvia Plath, Seamus Heaney, Jorie Graham, të cilët na sjell bashkë në shqip antologjia “Poezi anglosaksone e shek.XX”, përkthyer nga Gazmend Krasniqi e Azem Qazimi. Dihet fati i artit modern të atij shekulli në Shqipëri, mes tij edhe poezia e shumicës së autorëve në fjalë: të ndaluar ose të futur klandestinë në sirtarët e përkthyesve, aq sa nuk ka pasur vëmendje. Në thelb nuk pranoheshin për shkak të etiketimit poetë borgjezë, të frymës perëndimore. Në rastin më të mirë pranoheshin autorë të angazhuar, por që nuk trajtoheshin nëpër shkolla. Por edhe ata poetët e mëdhenj të angazhuar si Neruda, Ricos, Aragon, Hikmet sipas njërit prej përkthyesve të kësaj antologjie, Gazmend Krasniqi “nuk kanë ardhur në cilësinë e tyre të vërtetë”.
Krasniqi dhe Kolegu i tij Azem Qazimi sjellin ata poetë me të cilët bota amerikane mburret dhe vazhdon t’i ketë në qendër të vëmendjes dhe këtë e tregon fakti që vazhdojnë të publikohen e ribotohen. “Ka një afirmim të poezisë amerikane”,- shton përkthyesi dhe shkrimtari Krasniqi, “sikur ka një zbehje të poezisë franceze, spanjolle e gjermane. Ndërsa futja e poezisë moderne tek ne vazhdon të ketë probleme dhe për t’u diskutuar.” Një nga problemet e ardhjes në shqip e kësaj poezie të fuqishme dhe autorë të vlerësuar me Nobel, mbetet pikërisht përkthimi i saj, ndërsa kur vjen tek botimi mungon ballafaqimi dygjuhësh, gjë që i mungon edhe këtij botimi, ballafaqim nga i cili poezia shqipe do të fitonte shumë. Meqenëse sot ka një kollajllëk në përkthimin e poezisë, çka dëmton sipas Krasniqit vlerësimin dhe interpretimin e saj, nëse do të arrihet të përkthehet më mirë do të kishim zbritje në sasi e rritje në cilësinë e përkthimit. “Poezia është ajo që humbet gjatë përkthimit”,- thotë Robert Frost dhe kësaj maksime përkthyesi shqiptar i referohet për të shpjeguar se edhe në rastin e kësaj antologjie shijen e plotë të këtyre poezive mund ta marrësh vetëm në gjuhën e tyre origjinale. “Mandej tradita e përkthimit të poezive anglosaksone tek ne nuk ofron ndihmë të madhe. I pari që të vjen ndër mend është Noli. Eshtë e njohur se përkthimin e poezisë “Korbi” të E.A.Poe na e ka dhënë të përkthyer në tetërrokësh shqiptar, pra megjithëse kemi një shqipërim të vyer, ndodhin firo të autenticitetit, kështu që gjetja e rrugëve optimale mbetet një mund i madh e i pafund”. Ai kujton se kjo traditë u përçudnua në periudhën socialiste dhe sot është koha për të freskuar mundësitë e mëdha të gjuhës shqipe.
Ai pranon se përkthimet e kësaj antologjie janë vetëm një variant përkthimi. Kujtojmë se Eliot, Pound, Witman, Ginsberg, Heaney kanë pas ‘90-s të tjera variante përkthimi. “Le të kemi qasje të ndryshme. Një poet të mirë le ta përkthejmë disa herë, kështu është e mundshme që secili variant të ketë vlerë. Koha më pas do të vendosë”,- përfundon Krasniqi.
Në këtë antologji ndihen edhe rrymat e ftohta brenda të njëjtës gjuhë. Përgjatë gjithë shekullit të kaluar, ndihet tek poezia anglosaksone kalimi delikat nga poezia tradicionale, puritane, e muzikale angleze tek poezia dinamike amerikane me një filozofi jetësore e pragmatiste. Por në thelb, sidomos tek ata poetë të pjesës së parë të shekullit, kritiku Harlod Bloom parathënien e të cilit mban e para antologji në shqip me poetët “ndaluar” e pandryshuar është ajo “Formë Shpirtërore, njëherësh uni indigjen poetik është fakti që pasardhësi është kryekreje borxhli ndaj paraardhësit, madje ai është i poseduar prej tij. Poetët nuk duhet të shëmbëllejnë me etërit e tyre, dhe ankthi i influencës nuk është fort i ndryshëm nga ankthi ndaj stilit”.
Kjo luftë e pashpallur tek poezia anglosaksone e shekullit të 20-të me poezinë e traditës, solli poezinë e re lindur përsëdyti nga të njëjtët etër, paraardhësit e tyre.
Këta janë poetët e fuqishëm sipas Bloom-it, duke jetuar te poetët e vdekur që gjallojnë në ta.
William Butler Yeats (1865-1939)
Kur plakja të vijë
Kur plakja të vijë dhe ty t’mbështjellë
Buzë zjarrit – këtë libër shkëpute,
Shfletoje, kujto shikimin e butë
Që t’patën sytë, shikimin e thellë;
Disa ta deshën gazin, hirin joshës,
Rininë – dashni false, e vërtetë –
Ndokush ta deshi shpirtin tek tretë
Dhe brengën që mbin nga plagë të moshës.
Bri kangjellash, kërrusur, pa shëndet,
Ti fshaj pak mërzitshëm, afshit q’u end
Derisa përmbi maje mali zu vend
Dhe fshehu ndër yje fytyrën e vet.
Përktheu Gazmend Krasniqi
Harold Pinter (1930-)
Dritë
Një grusht petalesh përndarë t’kam mbi sisë,
Nga kjo dritë drojtur ndehesh petalezhur
Lëkura t’shkërben çurkën, kryet
Nësa t’sillet, shkretim lulnaje përmbi të shkund
Tani unë të shpie nga terri në dritë
Duke shtruar petale mbi petale.
1956
Përktheu Azem Qazimi
Shekulli
Krijoni Kontakt