Kryeprokurori pranon se ministri Malaj ka tentuar të përfitojë nga njohja e mëparshme

Sollaku: Malaj ndërhyri për lirimin e nipit

"Unë do ta quaja më shumë një përfitim nga njohja e mëparshme, sesa një kërcënim". Kjo ishte përgjigjja e kryeprokurorit Sollaku për denoncimin e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha se ministri Arben Malaj e kishte kërcënuar në telefon për lirimin e nipit të tij të arrestuar në Durrës për drogë.

Kryeprokurori Theodhori Sollaku nuk ka mohuar tentativën e ministrit të Financave Arben Malaj për të liruar nipin e tij të arrestuar në Durrës për trafik droge. "Ka pasur një keqkuptim nga ana e ministrit Malaj. Unë do ta quaja më shumë një përfitim nga njohja e mëparshme me zotin Malaj sesa një kërcënim", tha gjatë emisionit televiziv "Opinion" në televizionin Klan, Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai shtoi se kjo është bërë si një lojë e telefonit të prishur ku gjërat kanë shkuar duke u thënë njëri pas tjetrit dhe ka pasur keqkuptime. "Nëse do të kishte kërcënim, Prokurori i Përgjithshëm do të kishte reaguar," ishte përgjigjja e shkurtër e Sollakut.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar herë pas here në konferenca shtypi se ministri i Financave Arben Malaj kishte kërcënuar kryeprokurorin Theodhori Sollaku. Kërcënimi sipas liderit demokrat kishte të bënte me një kërkesë të ministrit të financave për të liruar nipin e tij të arrestuar me drogë. Armando Muhameti është arrestuar më shumë se një muaj më parë në Durrës me 5 kilogramë heroinë. Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar se Muhameti është një ndër pjesëtarët kryesorë të malavitës shqiptare. Ndërkohë dje u ka dhënë fund hamendësimeve kryeprokurori Sollaku. Ai tha se nëse do të ishte një kërcënim i hapur, do të kishte reaguar. Gjithashtu pohoi se Malaj ka ndërhyrë për këtë çështje duke përfituar nga njohjet e tyre të mëparshme.

Personat e arrestuar kanë miq politikanë

Kryeprokurori Theodhori Sollaku pohoi dje se personat e arrestuar deklarojnë se kanë miq deputetë e politikanë të ndryshëm. Sipas Sollakut në celularët e tyre gjenden numrat e telefonave të politikanëve të ndryshëm. Sollaku tha se kjo nuk mjafton për të akuzuar politikanë. Ai shtoi se klasa politike nuk mund të njësohet me krimin e organizuar. "Nuk mund të them se ndonjë politikan është pjesë e rrjeteve kriminale," deklaroi ai.

Sollaku shtoi se ka informacione të vazhdueshme që persona të dyshimtë shoqërohen shpesh me politikanë. Këto persona udhëtojnë edhe me makinat e deputetëve. Sollaku bëri thirrje që politikanët të jenë më të kujdesshëm, pasi personat e kërkuar që përgjohen sipas ligjit, flasin në telefon me politikanë me imunitet, atëherë edhe këtyre të fundit u përgjohet telefoni.

Altin Arapi u largua në Maqedoni pas krimit

Kryeprokurori Theodhori Sollaku deklaroi dje se Altin Arapi menjëherë pas krimit është larguar në Maqedoni. Sollaku tha se prokuroria shqiptare ka qenë në dijeni të këtij fakti, por personi në fjalë ka qenë i pajisur me pasaportë të falsifikuar dhe nuk është mundur të arrestohet. Sipas deklaratës së Sollakut, Altin Arapi është njohur si vrasës i Genci Sinës që ditën e tretë pas vrasjes. Sollaku falenderoi gatishmërinë e një sërë shtetesh që e ndihmun atë në momentin më të vështirë të jetës së tij.