422 vota në Kongresin Amerikan
Shqipëria në NATO para vitit 2007
422 anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë kërkuar dje Presidentit Bush që të kontribuojë që Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia të jenë pjestare të NATO-s përpara vitit 2007.
Sipas njoftimeve pranë shefit të ekzekutivit, gjatë votimit në sallë ka qenë i pranishëm edhe Nano i cili ka ndjekur debatin në Kongres lidhur me këtë çështje, e cila është diskutuar vetëm një ditë pasi 7 nga 10 vendet e Grupit të Vilnusit iu bashkua NATO-s si anëtarë me të drejta të plota. Nano ishte i ftuar në këtë seancë nga Kryetari i maxhorancës në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delay.
Ndërkohë, kryeministri Nano është takuar gjithashtu dje në Departamentin e Shtetit në Uashington me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Ai ka shprehur angazhimin e plotë të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, si nëpërmjet pjesëmarrjes në Afganistan dhe Irak, ashtu dhe forcimit të kontrollit të brendëshëm.
Nano ka marrë pjesë dje edhe në takimin e organizuar nga Qëndra për Politika Perëndimore me temë “Shqipëria, Ballkani dhe proçeset e integrimit euro-atlantik”. Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Fatos Nano është shprehur se Shqipëria e ka lënë pas të kaluarën misterioze dhe të heshtur, kufijtë e mbyllur dhe të paprekshëm, izolimin dhe armiqësinë, skllavërimin e gjysëmshekullit totalitarist. Tashmë është ngritur një demokraci e re në Europën Juglindore e cila është jashtëzakonisht krenare që renditet mes demokracive të reja në botë. “Dje në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ne festuam anëtarësimin e europianëve më të rinj në NATO, unë u ndjeva shumë krenar për rrugën që ka përshkuar Shqipëria dhe përparimin që ajo ka bërë”, tha Kryeministri Nano.
Krijoni Kontakt