Ambasadori Salzman paraqiti raportin e KE për procesin e integrimit në kryesinë e Kuvendit
BE thirrje për dorëheqje të Nanos
Ambasadori i Komisionit Evropian, Lutz Salzman prezantoi raportin vjetor mbi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në kryesinë e Kuvendit. Në prani të një grupi deputetësh, përfaqësues të komisioneve që merren direkt me çështjen e integrimit, ai bëri të njohura konkluzionet e një viti për reformat në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Ai tha përpara deputetëve se vendi ynë ka bërë një progres të kufizuar drejt këtij procesi. "Në 31 janar 2003, Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, hapi zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Deri më sot, janë zhvilluar nëntë raunde negociatash. Gjatë këtyre raundeve, është bërë i mundur diskutimi i pjesës më të madhe të çështjeve që përmban MSA-ja. Megjithatë, reformat e ndërmarra nga Shqipëria janë të pamjaftueshme për të garantuar zbatimin e drejtë të MSA-së. Shqipëria duhet të shpejtojë ritmin e reformave që, në përfundim të procesit të negociatave, të japë garanci se është në gjendje të zbatojë si duhet Marrëveshjen," thuhej në raportin e KE. Salzman tha se duhet më shumë punë në drejtim të zbatimit të reformave, e sidomos për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet dhe pastrimin e parave. "Sistemi gjyqësor dhe administrata publike, duhet të jenë më efikase dhe më të pavarura përballë ndërhyrjes politike, duke i hapur rrugën funksionimit të institucioneve demokratike në vend," theksoi Salzman.
Gjatë paraqitjes së këtij raporti ata kanë vlerësuar se përmirësimi i procesit zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare mbetet një nga pikat e dobëta të evidentuara në këtë raport. "Shqipëria mbetet një demokraci e re dhe relativisht e paqëndrueshme. Interesat afatmesme të vendit shpesh sakrifikohen përballë interesave afatshkurtra dhe të ngushta politike. Konsolidimi i kulturës demokratike është thelbësor për kryerjen e reformave të domosdoshme. Shqipëria adoptoi një kod të ri zgjedhor bazuar në rekomandimet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare. Megjithatë, zgjedhjet vendore të zhvilluara në tetor 2003 nuk i arritën standardet ndërkombëtare. Nevojitet më shumë vullnet politik për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shteti ligjor në Shqipëri vazhdon të ketë mangësi. Organet e zbatimit të ligjit nuk garantojnë ende një zbatim të plotë të ligjit sipas standardeve ndërkombëtare. Korrupsioni i shumëpërhapur dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin dhe përparimin e vendit. Përpjekje të mëtejshme janë të domosdoshme për të siguruar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut," theksohej në raport.
Raportin e plote mund ta lexoni ne kete adrese.
Tema
Krijoni Kontakt