E PËRDITSHMJA E MILANOS «AVVENIRE» - 24 MARS 2004, MBI ZHVILLMET E FUNDIT NË KOSOVË
KRIZA NË KOSOVË:
RUGOVA: «ËSHTË E DOMOSDOSHME PAVARËSIA»
Moska nuk dërgon ushtarë. Në shenjë proteste serbët braktisin uniformat e policisë multietnike
Milano, 24 mars 2004 (Engjëll KOLIQI)
Gazeta e përditshme e Milanos «Avvenire», e cila njihet si një gazetë me prestigj të lartë në Itali dhe më gjerë, sot në artikull të shkurtër të ekipit të saj nga Prishtina, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ka cituar mPresidentin Rugova, i cili ka përjashtuar çdo mundësi të ndarjes së Kosovës dhe ka ritheksuar se për qetësimin e qëndrueshëm të gjendjes, është e domosdoshme Pavarësia. Po ua përcjellim tërësisht artikullin e gazetës së sipëpërmendur, të botuar sot në faqen e saj të internetit "online":
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka thënë se përjashton hipotezën se incidentet e përgjakshme të ditëve të kaluara mund ta kompromitojnë ardhmërinë e Kosovës: «Nuk besoj që të jetë vënë në rrezik pavarësia jonë, sepse pavarësia mbetet e domosdoshme». Rugova ka theksuar se gjendja në Kosovë është qetësuar dhe ka shtuar: «Së shpejti do të fillojmë t'i studjojmë shkaqet që kanë shkaktuar shpërthimin e revoltës. Që nga arritja e NATOS - ka thënë - në Kosovë janë bërë progrese, së paku 50% në të gjithë sektorët». Në pyetjen, se si e vlerëson propozimin e kryeminstrit serb Vojisllav Koshtunica, mbi një kantonizim të mundshëm të Kosovës, Rugova është përgjigjur: «Kufinjt e Kosovës janë të paprekshëm dhe çdo ndërrim shkakton kryengritje të reja». Dje në Prishtionë, ndërkaq ka mbërritur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Aleanca, me shpejtësi i ka dërguar në Kosovë 2000 trupa të tjerë si përforcim, nga se misioni multinacional KFOR, nga 17 mijë trupa, i befasuar nga ngjarjet e fundit, nuk ia ka dalur të reagojë mjaftueshëm. Një bilanc mbi shkatërrimet e javës së kaluar flet për 280 shtëpi të serbëve dhe 30 kisha e monastire ortodokse të djegura. Policia ndërkombëtare ka arrestuar 163 persona të dyshuar si përgjegjës të dhunës dhe të shkatërrimeve në ngjarjet e kaluara. Moska, megjithë akuzat për kinse një spastrim etnik anti-serb në Kosovë, ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë më atje trupa ushtarake. Pjesëtarët serbë të policisë multietnike të Kosovës i kanë hequr uniformat, në shenjë proteste kundër dhunës së javës së kaluar, siç thonë, kundër bashkësisë së tyre etnike, duke i akuzuar kolegët e tyre shqiptarë për pjesëmarrje në dhunë.
Krijoni Kontakt