Kini durimin dhe vullnetin te lexoni nje analize te sakte, te qarte, te plote, fatale e deshperuese rreth fatit trondites te Shqiperise, te rene plotesisht nene pengun e dy bolshevikeve dhe dinosaureve te neveritshem, hijenave: Sali Berisha dhe Fatos Nano...

Simbad
----------------

Shqipëria, luftë apo paqe?

Andrea Stefani



Pas një idili mashtrues kuçedra e armiqësisë Nano-Berisha është rikthyer kërcënueshëm. Dhe askund në botë armiqësia nuk pritet kaq qetësisht sa në Shqipëri dhe akoma më shumë në Tiranë. Shqotat e urrejtjes shpalosin flatrat në eteret e mediave dhe kthetrat në faqet e gazetave por ne të mbytur në hallet, qarjet apo ethet tona, nuk ndjehemi aspak më të kërcënuar. Madje një si lehtësim avullon mbi turma, një si mall (ç’u bëre?) që nuk e shqipton askush, çfryhet...

Sepse për disa, të pushosh armiqësinë, të paqtohesh, është si të pushosh luftën e klasave. Paqja vazhdon të jetë për ta krimi më i rëndë. Të tjerë, ndërkaq, nuk e fshehin kurreshtjen, sikur të qe fjala për një dinosaur të Spilbergut dhe jo për kuçedrën e kohës sonë që na kërcënon djepet, jetët, lirinë: Nano dhe Berisha i kthyhen prapë shpinën njeri-tjetrit. Kur Nano hyn në një pritje Berisha del dhe anasjelltas. Të gjitha i qëmtojmë, i mbllaçisim, i përflasim, i shkruajmë, i trasmetojmë por, nuk i kuptojmë, nuk ja zhveshim thelbin, helmin e vërtetë zhvillimeve malinje në kulisat e politikës. Nuk po kuptojmë se Nano me Berishën kanë hyrë në një luftë për jetë a vdekje me njeri-tjetrin. Nuk kuptojmë se pas tyre, kanë hyrë në këtë përleshje lidershipet, partitë dhe më pas, po na bëhet thirrje të kacafytemi edhe ne, qytetarët. Nuk kuptojmë se vreri i politikës po helmon Shqipërinë. Konflikti tërheq si një vrimë e zezë. Jo pa shkak shumica e vizitorëve të huaj kur pyeten se si e gjejnë Shqipërinë përgjigjen: interesting!. Vërtet konflikti është shumë interesant, madje duke prodhuar kurreshtje bëhet edhe dëfryes si një ndeshje boksi. Por bileta e shfaqjes kushton shumë. Sepse nuk ndeshen gladiatorët në arenë por shoqëria me veten, ndeshemi ne. Ndaj të gjithë të huajt preferojnë më mirë të kenë në shtëpinë e tyre, në shtetet e tyre, stabilitetin monoton sesa konfliktin që sado “interesant”, e bën jetën sikundër thoshte Hobes, të shëmtuar, të shkurtër, të keqe. Në të kundërt, ne shqiptarët sikur jemi rahatuar në kënetën e armiqësisë. Kemi 14 vjet që llapashitemi në baltën e këtij moçali, të zhyer kokë e këmbë nga llumi i përgjakur i urrejtjes, akuzave, intrigave dhe nuk bëjmë asnjë përpjekie për të dalë prej andej. Kemi 14 vjet që pasojmë Nanot dhe Berishët në ambicjet e tyre sa të mëdha aq edhe të çmëndura që pak nga pak – në sajë të ndërthurjes dhe korruptimit të interesave – po kapilarizohen në masën e njerëzve duke rekrutuar deri edhe ambicjet më të thjeshta. Kemi 14 vjet që pasojmë Brishën në luftë kundër Nanos dhe po 14 vjet që pasojmë Nanon në luftë kundër Berishës. Edhe Sizifi vetë do të ishte shtangur nga kjo kotësi, nga gjithë ky budallallëk masiv që vërdalliset me vite brenda një moçali pa dalë dot prej andej. Dante nuk do të kish imagjinuar rreth më të llahtarshëm për ferrin e tij. Vetëm shqiptarët nuk shtangen. Turren përpara me emrin e “demokracisë” në gojë dhe nuk e kuptojnë se janë në luftë, nuk e kuptojnë se duke shkuar pas Nanos dhe Berishës po bëjnë krejt të kundërtën e asaj që besojnë, po gërmojnë dita me ditë varrin e demokracisë.

Të mos na gënjejë mendja. Nuk jemi në demokraci. Armiqësia është bërë atmosferë. Ajo po i bën dhunë demokracisë. Armiqësia ndihet kudo. Dhe elektronet e saj të ngarkuara negativisht me urrejtjen që ushqejën liderët tanë, nuk mund të mos shpërthejnë kohë pas kohe në vetëtima e stuhi dhune. Dhunat e marsit ‘97, e 14 shtatorit ‘98 apo 7 shkurtit 2004 bëhen shumë raste për të qenë të rastit. Retë e zeza të armiqësisë kanë nisur të grumbullohen përsëri. Do të duhet vetë një shkëndijë, vetëm një pretekst (ai gjendet gjithmonë te kundërshtari) që të shpërthejë përsëri furtuna e dhunës. Për hir të së vërtetës dhe shpëtimit duhet thënë fort dhe hapur se me nanoberishët ne kemi vajtur deri në luftë civile që është ndalur, për fat, nga ndërhyrja herë ushtarake dhe herë diplomatike e komunitetit ndërkombëtar. Mendoni për një moment ç’mund të ndodhë nëse në Tiranë nuk do të kish OSBE, KE dhe ambasada?

Lufta u shmang, por paqja nuk u vendos. Sepse nyja e përleshjes Nano-Berisha nuk u zgjidh. Demokracia shqiptare mbeti e kërcënuar nën kthetrat e një armiqësie virolare pa fund që mund të na çojë përsëri në luftë. Dhe demokracia nuk shpëton duke e zgjidhur nyjen Nano-Berisha në favor të Nanos, apo Berishës. Të dy kanë grumbulluar aq pushtet të jashtzakonshëm, fanatizëm, militantë e besnikë me armë, apo pa armë rreth vetes, sa cilindo prej tyre, triumfi do ta shndërronte automatikisht në sundimtar absolut. Demokracia mund të shpëtojë nga dara e kësaj armiqësie vdekjeprurëse vetëm, nëse do të ketë forcë të triumfojë edhe mbi Nanon, edhe mbi Berishën.

Në çdo vend normal konflikti nuk është I pranueshëm. Madje, konflikti nuk është I pranueshëm as në diktaturë. Konflikti gërryen çdo sistem si ndryshk. Diktatura – ne shqiptarët e dimë mirë – I jep fund konfliktit me plumba, ose me pranga. Demokracia ka mjete krejt të tjera. Popujt e pjekur nuk bien pre e përplasjes së liderëve. Opinioni I lirë qytetar, mediat e lira (jo ato shërbëtore të politikës), institucionet e lira, duke pasur për yll polar lirinë, I kanë gjetur gjithnjë mjetet për të shmangur konfliktet duke nxjerrë jashtë loje liderët malinjë. A janë pjekur shqiptarët?

Absurdi i armiqësisë nanoberisha nuk duhet të vazhdojë më. Alarmi duhet të ngrihet përsëri. Sepse armiqësia u kthye përsëri. Paqja nanoberisha kish qenë një gënjeshtër. Shefi I opozitës është në armiqësi me shefin e pozitës. Që në këtë pikë është shkatërruar tharmi I pluralizmit dhe demokracisë. Vite më parë, për të shëruar pluralizmin nga armiqësia, u ndje e fortë – e madhe edhe nga komuniteti ndërkombtar - nevoja e largimit të Nanos dhe Berishës nga politika. Në krye të qeverisë socialiste erdhën emra të rinj. Mjerisht, dy partitë më të mëdha dhe dominuese të politikës në Shqipëri, mbetën kështjella të papushtueshme të Nanos dhe Berishës. Partitë e tipit leninist me emra të rinj, partitë e unitetit monolit rreth liderit, partitë e shumicave të nënshtruara dhe e forumeve të shërbëtorëve, kanë qenë arma e fuqishme e mbijetesës së pamposhtur të Nanos dhe Berishës. Duke përdorur shumicat fanatike, apo të korruptuara në parti demagogjia e Nanos triumfoi përballë pastërtisë së pambështetur, madje, të tradhtuar të Pandeli Majkos. Më vonë duke shfrytëzuar indinjatën ndaj nepotizmit dhe klientelizmit të mbjellë nga freshisti Meta në pushtet, Nano rifuti në dorë përsëri edhe qeverinë. Tani, I ka përsëri të dyja, partinë dhe qeverinë, edhe nepotizmin, edhe klientelizmin, edhe freshizmin. Enver Hoxha nuk I demostronte kaq hapur pushtetet.

Nga ana e tij, Berisha – I mbetur për një kohë të gjatë larg pushtetit – e ka patur më të lehtë të shtrëngojë radhët e PD, duke bashkuar rreth vetes epshe të uritura për pushtet dhe duke larguar nga PD një sërë figurash konkuruese, varg I cili mbyllet me Pollon. Tani, ata që i nxorri me shkelma nga dera po kthehen në prehërin e tij nga penxherja e aleancave. Justifikim kanë armikun Nano, i cili nuk u rrëzuaka pa Berishën. Nuk duan të kuptojnë se demokratikisht Nano bie vetëm, pa Berishën. Nano dhe Berisha janë si Anteu. Sa herë që rrëzohen, ata mbështeten te shumicat dhe ngrihen përsëri. Por këto shumica nuk janë populli, por “kongresmenët”, janë shumica shërbëtorësh politikë që mekanizma të përçudnuar dhe patriarkalë zgjedhjeje, i nxjerr përfaqsues të “partisë”. Nano dhe Berisha janë dy liderë që karakterizohen nga kokëfortësia, qëndresa të cilat në demokraci, përkthehen në intolerancë. Qëndresat janë nevojë e sundimeve, e izolimeve, luftrave, apo rrethimeve dhe jo e shoqërive të hapura. Çdo lider demokrat I vërtetë, duke konstatuar se vendi është paralizuar me vite nga ky klinç I egër në ndeshjen me kundërshtarin e tij, do të ulte krahët dhe do të largohej nga ringu. Kjo do të kish qenë edhe nokauti për kundërshtarin. Sepse, duke u goditur pafundësisht Nano dhe Berisha nuk e rrëzojnë, por e mbajnë njëri-tjetrin. Grumbullojnë edhe tifozë. Largimi I njërit do të qe edhe fundi I karrierës së tjetrit. Ndeshjes do t´i vinte fundi dhe bashkë me të, edhe armiqësisë. Por kjo nuk ndodh me Nanon dhe Berishën.

Epshi i pakufijshëm për sundim i ka bërë qëndrestarë të jashtëzakonshëm. Nano përsërit sloganin: Të falim pushtet për të bërë shtet. Një gënjeshtër me bisht. Nano nuk fal asnjë gram pushtet. E gjithë toleranca që ai shpalos është një lojë. Ai bën sikur lëshon një pushtet, rimarrjen e të cilit ia garanton monopoli i sundimit në Partinë Socialiste. Edhe kur largohet Nano e bën këtë gjë për t´u rikthyer edhe më I fortë. Edhe kur sakrifikon pushtet, ai e bën për të rifituar edhe më shumë pushtet absolut të maskuar me demokraci prej votave të një shumice skllave në PS. Nano e qarkullon pushtetin si paranë, sipas një formule (P-P’) që ai e njeh mirë. A nuk ka ndodhur kështu?

Edhe Berisha shfaq të njëjtën kokëfortësi, jo vetëm kur ishte mbi kalë, por edhe sot e shtatë vjet, kur përpiqet t’ja rihypë kalit të pushtetit. Ai u largua nga pushteti vetëm, kur shteti u shkatërrua, tani do të hypë se s’bën në pushtet edhe sikur shteti të shkatërrohet. Ndërkaq, asgjë nuk do t´i ndodhte shtetit, demokracisë sikur këta të dy krerë (ju shkon më shumë ky emër klanor apo familjeje) të largoheshin nga dora e padukshme e një konkurrence normale politike. Kështu, ka ndodhur në botë me liderë të tjerë shumë më të mëdhenj dhe më të suksesshëm se Nano dhe Berisha, por gjithnjë të vegjël para rrjedhave të fuqishme të lumejve të demokracisë që lëvizin gjithçka. Vdekja politike e Nanos dhe Berishës nuk do të qahej në rrugë me atë servilizëm masiv që sot ata duartrokiten. Demokracia nuk do të humbte asgjë nga largimi I dy “vizionarëve të mëdhenj”. Përkundrazi, do të shpëtonte nga epshet e tyre të sundimit, nga armiqësia që pjellin këto epshe. Pluralizmi do të çlirohej, shërohej e pasurohej. E megjithatë kjo nuk ndodh. Pluralizmin e kanë tredhur Nano-Berisha me klanet e tyre. Ai duket sikur nuk pjell dot më alternativa të tjera. Një trullosje e përgjithshme sheh dhe kalkulon vetëm dy pushtete, dy emra: Berisha-Nano, Nano-Berisha. Turp, habi, neveri, tmerr nga gjithë kjo skllavëri, nga kjo shtangje e shoqërisë, nga kjo mpirje, hipnotizim e servilizim masiv prej asaj që mund të quhet pa gabuar aspak diktatura dykrerëshe Nano-Berisha. Pluralizmi është varfëruar dhe ka mbetur (laj e thaj) vetëm me dy palë brekë. Fataliteti është se ky sundim i arenës politike nga dy njerëz të vetëm, ky monopolizim i politikës i duket shqiptarëve normal.

Shqipëria është vendi i vogël i kulteve të mëdha politike. Në asnjë demokraci perëndimore nuk gjen kulte të tilla si ky I Nanos dhe Berishës. Në SHBA presidenti, apo sekretari I shtetit përfundojnë para gjyqit nëse e kërkon drejtësia, në Francë, apo Gjermani kryeministrat japin hesap para hetuesve e gjykatësve. Por në Shqipëri jo. Në Shqipëri Nano dhe Berisha janë më të fortë se ligji, sepse demokracia është e dobët, e korruptuar dhe e braktisur nga ligji. Dhe demokracia është e dobët, sepse janë të fortë Nano dhe Berisha. Të shpresosh se Nano mund të bëhet shpëtimtar I demokracisë duke mundur Berishën është, si të shpresosh se Berisha mund të bëhet shpëtimtar I demokracisë, duke mundur Nanon. Që sot, kultet e tyre janë ngjitur aq lart – Nano të paktën e ka pranuar vetë që qëndron shumë lart - sa përfaqësojnë premisa sundimi dhe jo lirie. Prandaj lëvizja “Nano ik”, apo “Berisha hajde” nuk sjell asnjë shpresë ashtu sikundër nuk sjell shpresë lëvizja e pashpallur, por arrogante “Nano rri”.

Ka shumë arsye pse Nano dhe Berisha duhet të largohen nga politika:

1 – Nano dhe Berisha duhet të largohen sepse kanë mbetur shumë gjatë në krye të një politike të pasuksesshme dhe kjo është krejt në kundërshtim me frymën e ndryshimit dhe rritjes konkuruese që karakterion organizmat e gjallë, shoqëritë e hapura, partitë e hapura. Nga monopolet që sundojnë sot Shqipërinë, ai Nano-Berisha është oligopoli më i rrezikshëm që po mbyt lirinë. Ngurtësimi i lidershipit vetëm në dy emra tregon se politika, partitë, shteti nga organizma të gjallë, të hapur po vdesin, po mbyllen me shpejtësi për t´u atrofizuar në kadavra të sundimit. Eshtë detyrë e PS dhe PD t´i largojë ata nga drejtimi ndryshe, këto parti do të mbajnë përgjegjësi historike për kobin që po i sjellin Shqipërisë. Thelbi i demokracisë është liria dhe liria nuk mund të mos sjellë ndryshim. Nano dhe Berisha i kanë bërë pritë kësaj lirie me “filozofinë” hipokrite. Të dy flasin gjithmonë për ndryshime, por vënë kusht që kreu i këtyre ndryshimeve, patriarkët e demokracisë, të mbeten të pandryshuar.

2 – Nano dhe Berisha duhet të largohen, sepse janë bërë shumë të fuqishëm. Shqipëria është një vend pa tradita demokratike dhe me institucione lirie foshnjore madje, edhe butaforike. Vetëm patriarkalizmi mbetet një traditë e fortë. Ndaj, janë jo të paktë ata që besojnë se liderët e fortë duhen pikërisht, për të kompensuar disi mungesën e institucioneve dhe përvojave demokratike. Gabohen. Liderët e fortë janë etër dhe bij të sistemeve autoritare. Demokracia nuk është një sistem autoritar, patriarkal. Ajo nuk bazohet te fuqia e liderit, por e institucioneve. Ashtu si ethja nuk lë të përtërihet organizmi, ashtu edhe personalitetet e forta dhe të ashpra nuk lejojnë të fuqizohen institucionet. Në Athinën e lashtë, ku për herë të parë u krijua demokracia, e kishin kuptuar këtë rrezik që fuqia dhe pushtetet e një individi përfaqësonin për institucionet. Ndaj kur dikush bëhej mjaft i fuqishëm dhe dilte mbi të tjerët, e përjashtonin nga qyteti (ostracizmi) me votë qytetare të frikësuar se mund të keqpërdoronte fuqitë e akumuluara, duke korruptuar demokracinë. Vota qytetare duhet t´i përjashtojë Nanon dhe Berishën nga politika. Sepse Nano dhe Berisha nuk përfaqësojnë më, një shpëtim për demokracinë por një virus, një sëmundje vdekjeprurëse. Ata janë faza e fundit e traditës totalitare në Shqipëri. Por mund të bëhen edhe ripërtëritës të saj. Ata mbajnë gjallë frymën e nënshtrimit dhe servilizmit masiv që është plehu I sundimit. Jo vetëm një grusht fanatikësh fatkeqë, por edhe parti të tëra, media të tëra, pushtete të tëra, shtrihen sot nën këmbët e tyre. Nano dhe Berisha po shkelin pluralizmin. Së bashku me kultet që i rrethojnë Nano dhe Berisha janë një lidership I ndenjur që qelb demokracinë. Të pranosh qenien e tyre kaq gjatë në krye të një politike përgjithësisht, të pasuksesshme (gjendja e Shqipërisë është dëshmitare për këtë), aq më tepër të shpresosh një frymë të re nga secili prej tyre, është njësoj si të ngatërrosh detin me kënetën.

3 – Nano-Berisha duhet të largohen sepse janë gjeneratorë të një armiqësie që po vret demokracinë dhe po ringjall djajtë e sundimeve. Demokracia që të rritet e maturohet është si ajo foshnja që ka nevojë për shumë dashuri. Politika shqiptare nën Nanon dhe Berishën nuk gjeneron dashuri. Ajo po e helmon rrezikshëm foshnjen shqiptare të lirisë me urrejtje dhe armiqësi.

Nëse ka mbetur diçka që Nano dhe Berisha mund të bëjnë për të mirën e këtij vendi, është që të largohen vullnetarisht duke i hapur dyert një faze të re në politikën shqiptare. Kjo është e vetmja marrëveshje me dobi për Shqipërinë që ata mund të bëjnë sot. Ky është akti që mund t´u lërë mundësi të përmenden edhe për diçka të mirë nga brezat që vijnë. Në të kundërt, shoqërisë shqiptare i duhet, ose të provojë se është e aftë për një demokraci reale që përmbys jo vetëm idhuj të bronxtë, por edhe idhujt e gjallë, ose të bëjë gati piedestalet dhe bronxin për statujat e reja të sundimit.


( Marre nga gazeta"Panorama" )