Rrëfimi i të birit: Sherri nisi për shikimin e filxhanit
ELBASAN
Arrestohen dy nga katër përdhunuesit e 66-vjeçares nga Cërriku. Policia e këtij qyteti ka arritur të prangosë Syrja Zerën 32 vjeç dhe Ndriçim Metanin 39 vjeç, të cilët dy ditë më parë kanë keqtrajtuar dhe më pas kanë përdhunuar të moshuarën Leme Cami. Ndërsa dy djemtë e saj kanë përjetuar një skenë me të vërtetë rrëqethëse, pasi të gjitha veprimet që janë kryer mbi nënën e tyre ata i kanë parë. Të gjendur përpara dhunës së agresorëve, atyre u është dashur që të ndihen të pafuqishëm për të shpëtuar nënën e tyre. Edhe pse ngjarja ka pasur si zanafillë një arsye tepër absurde gjithçka ka qenë e shëmtuar. E gjithë kjo ka nisur se njëra nga nuset e agresorëve shikonte filxhanin tek 66-vjeçarja dhe i fliste asaj për problemet me bashkëshortit. Ndërsa njëri nga djemtë e të moshuarës, Shkëlqimi, ka treguar për Gazetën ngjarjen që e pa me sytë e tij.
Kur ka ndodhur ngjarja?
Ka qenë ora 19.30 e mbrëmjes, kur në shtëpinë tonë kanë ardhur Syrja Zera dhe Ndriçim Metani, së bashku me dy të tjerë. Ata më kërkuan që të bisedonin me nënën dhe unë e thirra se ajo po bënte darkën. Ishin bërë tapë dhe kjo dukej qartë në fytyrat e tyre. Ata filluan të më qëllonin mua dhe më kanë shkaktuar dëmtime në kokë.
Kush ndodhej aty në ato momente?
Babai, nëna dhe ne dy vëllezërit. Ata na e mbyllën babain në shtëpi, ndërsa mua dhe vëllain na rrahën keqas. Më pas kam parë që nënën e tërhoqën zvarrë në oborr.
Më pas çfarë patë?
Ata e zhveshën nënën dhe pastaj e përdhunuan. Nuk kishte gjë më të keqe se të shikoje një skenë të tillë.
Përse mendoni se ndodhi një gjë e tillë?
Në shtëpinë tonë vinte një nga nuset e tyre. Ajo shikonte filxhanin tek nëna jonë. I qante hallet dhe i thoshte se burri i saj e rrihte dhe që nuk kujdesej për fëmijët. Pastaj, sikur nëna jonë i kishte thënë se të shoqit i kanë bërë magji dhe, si duket, ky ka qenë shkaku.
Shpirt Njeriu
Krijoni Kontakt