Sociale
Eltion Hoxha - 17/02/2005
Raportet shprehen se rreth 350 mijë emigrantë, prej të cilëve 160 mijë janë shqiptarë, kontribuojnë me 880 milionë euro në vit në sigurimet shoqërore
Emigrantët legalë shqiptarë në Greqi kontribuojnë çdo vit me rreth 413 milionë euro në fondin e sigurimeve sociale. Sipas një studimit të bërë publik dje në Greqi, emigrantët që punojnë në këtë vend, të cilët janë të regjistruar për të paguar sigurimet sociale, janë një kontribut i rëndësishëm i sistemit të sigurimeve në vend. Gjashtë studime të nxjerra nga Qendra Kombëtare për Kërkime (EKKE) nën drejtimin e Institutit për Politikat e Emigracionit (IPI), fondi për të Vetpunësuarit (TEVE) dhe Fondi i Pensioneve Fermere (OGA) nxjerr se 700 mijë emigrantë legalë jetojnë në Greqi. Emigrantët shqiptarët zënë vendin e parë me 160 mijë kontribues, pas tyre vijnë emigrantët rusë. Edhe pse shumica e të regjistruarve janë të rinj, ata nuk janë një barrë për sistemin. EKKE citon se “megjithëse emigrantët fitojnë më pak se grekët, ata kontribuojnë më shumë për sistemin e sigurimeve kombëtare”.
Afërsisht, në Fondin për Sigurimin Social (IKA) deri në vitin 2003 janë regjistruar 346 070 emigrantë, me një kontribut prej 887 milionë euro, nga 8 miliardë të mbledhura në total nga fondi. Nga të regjistruarit vetëm më pak se gjysma punojnë në sektorin e ndërtimit. Sipas studimit, emigrantët punojnë më pak ditë se grekët, por studiuesit e shpjegojnë këtë me faktin se ata punojnë më shumë jashtë orarit të punës, në mënyrë që të fitojnë më shumë cash, duke iu shmangur taksimit.
Rreth 40 për qind e emigrantëve që jetojnë në Greqi prej më tepër se 5 vjet kanë një nivel edukimi me të ulët se grekët, që shpesh i detyron ata të bëjnë punë krahu pak të pagueshme. Kreu i IPI Alexandros Zavos, shprehet se kjo përkthehet në pensione më të ulëta për shumë emigrantë, gjë që në të ardhmen do të çojë në kontradikta sociale. Në bazë të një marrëveshjeje që pritet të nënshkruhet mes dy qeverive, emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi që pensionet e fituara në vendin fqinj t’i tërheqin në Shqipëri. Shqipëria numëron mbi 700 mijë emigrantë forcë aktive në të gjithë botën, ku numrin kryesor të tyre e mbajnë shtetet fqinje, Greqia dhe Italia. Rregullat e Bashkimit Europian e kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla. Sipas politikave të BE-së, punonjësi ka të drejtë të tërheqë pensionin në vendin ku jeton.
Krijoni Kontakt