Presidenti Rugova bën thirrje për qetësi në Kosovë
Prishtinë, 17 mars 2004 - Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova mbajti një konferencë me gazetarë në lidhje me situatën e krijuar sot në Mitrovicë, pas rastit tragjik të tre fëmjëve në fshatin Çabër.
Presidenti Rugova u bëri thirrje qytetarëve të Mitrovicës të tërhiqen nga protestat dhe të qetësohet gjendja sepse përshakllëzimi i gjendjes nuk është në të mirë të Kosovës. Me këtë rast Presidenti u shprehu ngushëllime familjeve të fëmijëve në Çabër që u mbytën në lumin Ibër, duke thënë se autorët që shkaktuan këtë krim do të dalin para drejtësisë.
"U shprehim ngushëllime familjeve të atyre që sot humbën jetën në protestat e Mitrovicës dhe të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë".
Njëherësh ai u bëri thirrje qytetarëve serbë të Çagllavicës të zhbllokojnë rrugën dhe kurse shqiptarët të tërhiqen nga Veterniku në mënyrë që të evitohet konfrontimi.
"Kërkojmë nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të punojnë së bashku për forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit për prosperitetin e vendit tonë, Kosovës. Institucionet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare me UNMIKU-n do t'i ndërmarrin të gjitha masat e duhura që Mitrovica të bëhet një qytet i integruar i qetë dhe i sigurtë për të gjithë qytetarët dhe së bashku me UNMIK-un të ushtrojmë pushtetin në tërë territorin e Kosovës, or edhe në territorin e Mitrovicës".
Presidenti tha se duhet të elimonohen strukturat paralele, të bëhet çarmatosja e popullatës në pjesën veriore dhe të ndalohet inflitrimi i ekstremistëve të dirigjuar nga Beogradi që qarkullojnë sidomos në Mitrovicë", u shpreh Presidenti Rugova para gazetarëve, duke thënë se për fat të keq edhe udhëheqja e re e Beogradit po vazhdon të krijojë shqetësime etnike në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën.
Presidenti nënvizoi se është e pamundur që Kosova të ndahet në vija etnike. "Është qëndrim i fortë i institucioneve ndërkombëtare dhe i bashkësisë ndërkombëtare se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe serbët duhet t'i çmojnë të mirat e Kosovës dhe të jenë pjesëtarë të shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës që po e ndërtojmë së bashku", tha Presidebnti Rugova duke folur para gazetarëve për situatën e krijuar në Kosovë.
TN
Krijoni Kontakt