PROTESTA E DËSHPËRIMIT
![]()
Shkruan : Akademik Rexhep Qosja
Më 17 dhe 18 mars në Kosovë u bë një protestë e madhe, në të cilën ishte i përmbajtur një dëshpërim i madh i qytetarëve, sidomos i të rinjve, për shumëçka dhe në të cilën u shpreh një revoltë ndaj shumëkujt.
Pas luftës, kjo ishte protesta e parë e fuqishme me shtrirje të njëkohshme në të gjithë Kosovën, në të cilën u shprehën qartë kërkesa politike. Në të vërtetë, kjo ishte protestë, në të cilën dëshpërimi për shumëçka dhe revolta ndaj shumëkujt u mbuluan me kërkesa politike.
Kjo ishte një protestë e madhe, e kuptueshme, por e çuar deri në fund edhe me veprime të pakuptueshme e të papranueshme. Të pakuptueshme, e të palejueshme, ishin sjelljet e dhunshme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ndaj pjesëtarëve të UNMIK-ut, djegia e kishave dhe e shtëpive të serbëve dhe djegia e shtëpive të romëve në Vushtrri. Në qoftë se sjelljet çfarë u treguan ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e të UNMIK-ut janë të papranueshme për arsye politike dhe morale, sepse edhe KFOR-i, edhe UNMIK-u drejtohen në thelb prej SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, domethënë prej vendeve që, krahas UÇK-së, kanë marrë pjesë në shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës prej krimit të shtetit serb, që e synonte zhdukjen e tij, djegia e kishave dhe e shtëpive të serbëve dhe e shtëpive të romëve janë të papranueshme për arsye humane, kulturore e qytetëruese. Nuk do të duhej të harrojmë në asnjë çast se politika jonë, humanizmi ynë, kultura jonë dhe, më në fund, kërkesat tona për pavarësi provohen në qëndrimin tonë ndaj pakicave etnike, duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe pakicën etnike serbe. Çdo shqiptar në Kosovë do të duhej ta dinte se asnjë politikan e shtetar amerikan dhe asnjë politikan e shtetar evropian, nuk do të pajtohej me krijimin e një shteti në të cilin nuk do të tregohej toleranca e duhur ndaj pjesëtarëve të etnive të tjera. Në kohën e globalizmit, i cili ka shumë të mira dhe do të këqija, toleranca ndëretnike është parim human planetar.
SHKAQET E PROTESTËS
Deri sot kur po e shkruaj këtë sprovë janë shqiptuar shumë fjalë, si nga vendorët ashtu edhe nga të huajt, për shkaqet e protestës së 17 e të 18 marsit. Në të shumtën e rasteve si shkaqe kryesore përmenden: vdekja tragjike e tre fëmijëve nga fshati Çabër në Lumin e Ibrit, të cilët ishin të ndjekur prej serbëve të afërm; çështja e pazgjidhur e Mitrovicës së ndarë dhe bllokimi i rrugës Prishtinë- Shkup në fshatin e banuar prej serbëve në Çagllavicë.
Nuk ka dyshim se që të tri këto shkaqe e, sidomos, mbytja tragjike e tre fëmijëve në Ibër, mund të quhen shkaqe të drejtpërdrejta për shpërthimin e protestës. Ekzistojnë, ndërkaq, edhe nëntëdhjetë e nëntë shkaqe të tjera, të cilat e kanë krijuar gatishmërinë e qytetarëve për t’u ngritur në protestë. Sikundër të mos ishte kjo gatishmëri, e krijuar nën ndikimin e vazhdueshëm të këtyre nëntëdhjetë e nëntë shkaqeve të tjera, protesta nuk do të bartej ashtu shpejt prej Mitrovicës në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Vushtrri, në Gjilan, në Gjakovë, në Ferizaj e në të gjitha qytetet e qytezat e tjera të Kosovës.
Por, në krijimin e kësaj gatishmërie për protestë, kanë ndikuar shkaqe që shkarazi janë përmendur dhe shkaqe që nuk janë përmendur e nuk përmenden në mediet tona as prej vendorëve, që do të duhej t’i dinë punët në Kosovë, as prej të huajve, të cilët Kosovën e shikojnë prej përjashta, dhe as nuk duan, as nuk janë në gjendje të kuptojnë brendësinë e saj.
CILAT JANË KËTO SHKAQE?
Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës mund të quhen sot jo vetëm të pakënaqur, por edhe të dëshpëruar: të dëshpëruar për shkak të gjendjes në të cilën gjendet Kosova. Me ardhjen e KFOR-it, të UNMIK-ut, të OSBE-së, të delegacioneve të njëpasnjëshme politike, diplomatike e ushtarake perëndimore në Kosovë, kanë pritur se Kosova do të bëhet më shpejt e pavarur dhe, ashtu, do të sendërtohet ideali historik, për të cilin shumë prej tyre kanë bërë shumë sakrifica. Pas gati pesë vjetëve ndihen të lodhur duke e pritur kot ditën e madhe të pavarësisë. Janë lodhur duke e parë Mitrovicën të ndarë. Janë lodhur duke e parë të bllokuar në Çagllavicë rrugën Prishtinë- Shkup. Janë lodhur duke i menduar e duke i provuar pasojat e tri pushteteve paralele: ndërkombëtare, serbe e shqiptare! Janë lodhur nga droja prej shërbimit sekret serb në Kosovë, domethënë prej UDB-së, për të cilën shkruajnë gazetat e flasin politikanët! Dhe, fajtorë për këtë dëshpërim e shpallën në protestë në radhë të parë UNMIK-un, kurse disa edhe KFOR-in! Dhe, si të mos i shpallin fajtorë! Në mediet, pa një pa dy, iu flitet për pavarësinë që vetëm sa ka mbetur të shpallet formalisht! Kush po e pengon shpalljen e kësaj pavarësie? Kush tjetër përpos UNMIK-u!? UNMIK-u! UNMIK-u! UNMIK-u! Është kryefajtori për gjendjen politike në të cilën është Kosova! Si mos të jetë?! Në medie, pa një pa dy, popullarizohen fjalët e zyrtarit tonë, i cili pa e menduar efektin e fjalës së vet aq shpesh të pamenduar, thotë se ata të UNMIK-ut, do të donin të rrinë në Kosovë edhe dyqind vjet sepse u pëlqejnë kuzhina dhe gratë kosovare, por ne nuk do t’i lëmë! Në medie me gojën e deputetit iu thuhet qytetarëve se UNMIK-u sundon si të ishte Kosova koloni e tij! Harrohet se nëpunësit e UNMIK-ut, megjithatë, paguhen me paratë e OKB-së e jo të Kosovës, kurse kolonialistët paguheshin nga pasuritë e vendit të kolonializuar.
Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës mund të quhen sot jo vetëm të pakënaqur, por edhe të dëshpëruar: të dëshpëruar për shkak të dobësive, në të gjitha nivelet, të politikës së institucioneve vendore. Çfarë politike se! Politikë e vendnumërimit! Politikë e pushtuar nga parullat, nga demagogjia, nga mashtrimet, nga kiç- patriotizmi! Politikë që të gjitha problemet jetësore të qytetarëve përpiqet t’i mbulojë me parullën për pavarësinë e Kosovës! Njerëzit kanë pritur se me çlirimin e Kosovës nga policia, ushtria dhe administrata serbe, në Kosovë do të krijohet tip i ri i politikanit dhe gjedhe e re e sjelljes ndaj qytetarëve në administratë. Kanë pritur kot! Përpos përjashtimeve të rralla, tipi i politikanit në Kosovë ka mbetur tip i politikanit jodemokrat: arrogant, hipokrit, mashtrues, madje uzurpator! Njerëzit kanë pritur se pas Luftës do të ndryshojë sjellja e nëpunësve ndaj tyre. Kanë pritur kot! Sjelljen e nëpunësit serb, që të shikonte me nënçmimin e fshehur a të treguar hapur të zotërisë sundues, tani e ka zëvendësuar sjellja e nëpunësit fodull, arrogant, mitomarrës, që shpesh nuk ngurron t’i fyejë me fjalët më të vrazhda nevojtarët para zyrës së tij. Duhet të shikohet sjellja e nëpunësve ndaj qytetarëve, duhet të lexohen shkresat që ua dërgojnë, duhet të shihen kërkesat që u vihen, duhet të fotografohet gjendja në administratën tonë në të gjitha nivelet në institucionet e fushave të ndryshme për të parë se sa irituese, se sa dëshpëruese për qytetarët është gjendja.
Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës mund të quhen sot jo vetëm të pakënaqur, por edhe të dëshpëruar edhe për shkak të gjendjes sociale në të cilën gjenden ata. Kanë pritur që gjendja e tyre sociale do të ndryshojë për të mirë. Kanë pritur kot! Gjendja e tyre nuk është përmirësuar. Përkundrazi: gjendja e tyre sociale është keqësuar. Shumëkush nuk është në gjendje që këtë mospërmirësim, madje këtë keqësim të gjendjes sociale ta shohë si çmim që pashmangshëm duhet të paguhet në kohën e kalimit prej rendit politik shtypës në rendin demokratik, prej ekonomisë së komanduar në ekonominë e tregut. Këtë mospërmirësim, madje, këtë keqësim të gjendjes sociale shumëkush nuk është në gjendje ta trajtojë si çmim që duhet të paguhet për pavarësinë e Kosovës. Dhe, pse, më në fund, ta shikojë ashtu? Pse gjithmonë të bëjnë sakrifica të njëjtit? Pse zyrtarët të jetojnë në luks vetëm pse janë zyrtarë, kurse shumica e votuesve të tyre në mjerim? Pse dikush të pasurohet për disa muaj në mënyrat më të palejueshme e dikush të varfërohet po aq shpejt? Pse të shikohen me aq indiferencë dukuritë e korrupsionit e të nepotizmit, që cenojnë demokracinë dhe moralin publik? (Si është e mundshme që kryetar i Kuvendit të Kosovës të mund të mbahet njeriu, i cili paturpësisht merr pjesë në komisionin para të cilit doktore e shkencës shpallet e bija e tij dhe i cili asistente të vetes e bën të bijën e tij? Në çdo vend demokratik ku sundon ligji, një privatizim i tillë korruptiv i institucionit joprivat, që fyen të gjithë të rinjtë e talentuar, sepse cenon të drejtën e tyre për punë, do të mjaftonte për protestë të krejt universitetit, e cila do t’i ballafaqonte me përgjegjësi edhe zyrtarin e paskrupullt të korruptuar edhe të korruptuarit në fakultete).
Për të gjitha këto arsye, njerëzit e politikës në Kosovë do të duhej të mendojnë në mos në protestën e ardhshme qytetarët e dëshpëruar nuk do të dalin për shkak të Mitrovicës e të Çagllavicës po për shkak të luksit, të korrupsionit e nepotizmit në të cilin janë zhytur politikanët dhe të mjerimit social në të cilin jetojnë vetë.
PROTESTA DHE INSTITUCIONET
Protesta e 27 dhe e 18 marsit, deshëm a s’deshëm të pranojmë, ka treguar se sa të paautoritet dhe të pandikim te qytetarët janë institucionet e Kosovës. U pa se disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve nuk kanë guxim moral të paraqiten para popullit, sidomos, jo në çaste siç ishin ato të protestës. Ata mund të paraqiten para anëtarëve të partisë së tyre, por jo para popullit. Kjo protestë, posaçërisht qartë e tregoi mjerimin politik dhe moral të të ashtuquajturit president dhe të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. S’dinin ç’të bënin me veten as me funksionet që ushtrojnë! Edhe gjatë 17 e 18 marsit u pa se para popullit mund të paraqiten, se për popullin dinë të mendojnë ata që kur është dashur e kanë treguar gatishmërinë e sakrificës. Dhe këta ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së. Derisa shumë deputetë s’kanë gjetur guxim të shkojnë në Mitrovicë, kurse disa të tjerë janë shtyrë se cili do të futet në veturë a në xhip më të sigurt, për të shkuar ashtu “të blinduar” në Mitrovicë, ish-luftëtarët Bajram Rexhepi, Jakup Krasniqi dhe Ethem Çeku ishin atje te protestuesit duke ndarë me ta edhe dhembjen për shkak të fëmijëve të mbytur, edhe rrezikun nga plumbat.
Po, deri në ç’shkallë ka arritur indiferenca e institucioneve dhe e përfaqësuesve të tyre ndaj fatit të qytetarëve, edhe më qartë e tregoi protesta e anëtarëve të LDK-së para Teatrit Kombëtar të Prishtinës (për shkak të gjoja dhunës së ushtruar kundër kryetarit të tyre) një ditë pas mbytjes tragjike të fëmijëve në Lumin e Ibrit!
PROTESTA DHE MEDIET
Mediet, elektronike dhe të shkruara, kanë bërë vlerësime më pak a më shumë të ndryshme për protestën, për shkaqet e saj dhe për ndikimin e saj në politikën e faktorit botëror ndaj Kosovës, në politikën e UNMIK-ut, në politikën e institucioneve vendore dhe, më në fund, në fatin politik të Kosovës. Disa kanë bërë vlerësime duke pasur parasysh në radhë të parë interesat partiake; disa duke pasur parasysh interesa më të përgjithshme; disa duke pasur parasysh interesin vetiak- të gazetës a të televizionit vetiak privat; disa duke pasur parasysh opinionin amerikan a evropian e disa duke pasur parasysh opinionin vendor. Për herë të parë që nga viti 1981, kur në të vërtetë filloi lëvizja e pandërprerë për pavarësinë e Kosovës, mendimi për Kosovën u la në mëshirën e pronarëve të medieve! Dhe, për këtë arsye, sidomos, në televizione ishte e mundshme të dëgjoheshin mendimet më të çuditshme, kur e kur të formuluara me gjuhë që vështirë merrej vesh!Po ajo që nuk do të duhej të harrohej posaçërisht me këtë rast është vlerësimi i publicistit Veton Surroi për protestën. Si pronar i Koha Vizionit, ndër rreth 2 milionë shqiptarë në Kosovën e sotme ai zgjodhi pikërisht veten që më 17 mars në mbrëmje të vlerësojë protestën, shkaqet dhe ndikimin e saj në të nesërmen e Kosovës. Dhe, në këtë bisedë të riemetuar të nesërmen, ai tha mjaft mendime që harrohen si mendime të pushtuara prej të ashtuquajturave formula të përgjithshme. Mendimin e porositur, që nuk do të harrohet, ndërkaq, ai e tha në bisedën që të pasnesërmen në mbrëmje pati në emisionin e gjuhës shqipe të Zërit të Amerikës. Këtu ai e quajti protestën, në fazën e saj të fundit, si vandalizëm me efekt të “spastrimit etnik”! Në qoftëse u besohet medieve të tjera të huaja, në deklaratën që do t’i japë BBC-së, ai do ta heqë fjalën efekt dhe protestën do ta quajë thjesht pastrim etnik! Sa di unë, pastrime etnike mund të bëjnë shtetet, me ushtri, me polici, me formacione të organizuara prej shtetit herët më të shpeshta në kohëra të luftërave. Pastrime etnike nuk mund të bëjnë grupe të qytetarëve. Pastrim etnik aq më e pamundur është të bëhet ndaj pjesëtarëve të popullit që ruhet prej një force ushtarake siç është KFOR-i, prej një administrate ndërkombëtare siç është ajo e UNMIK-ut, prej institucionesh vendore siç janë ato të Kosovës, siç ruhen në të vërtetë pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë. Pavarësisht nga ato që mund të shkruajnë a të flasin disa medie botërore për protestën, Veton Surroi do të duhej të mos harronte se vetëfajësimi gjithmonë është më i rëndë sesa faji që të veshin të tjerët.
PROTESTA DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS
Nuk ka dyshim se protesta e 17 dhe 18 marsit nuk mund të kalojë pa ndikim në politikën e faktorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës. Mund të supozohet se mirëkuptimi për ne më pak a më shumë mund të zbehet përkohësisht- në Evropë më dukshëm se në SHBA-të. Njëkohësisht mund të supozohet se protesta e rrit bindjen e faktorëve ndërkombëtarë për nevojën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Faktorët ndërkombëtarë, ç’është e vërteta, kanë treguar se nuk heqin dorë lehtë nga iluzionet e tyre në Ballkan. Por, në Kosovë punët janë shumë më të qarta e më “të thjeshta” se në Bosnjë e në Maqedoni. Pavarësisht sa është edhe më tej e palejueshme për faktorët ndërkombëtarë, ne nuk do të duhej ta hedhim si të papranueshme idenë e ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë. Ne në asnjë mënyrë nuk guxojmë të pajtohemi me kantonizimin e Kosovës, sepse kantonizimi e bën Kosovën jofunksionale në pikëpamje politike dhe administrative, kurse të pasigurt në pikëpamje të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Enklavat autonome serbe në Kosovë do të ishin bomba, që Beogradi do t’i aktivizonte kurdo të donte. Nuk më duket se mund të ketë zgjidhje tjetër të përhershme për çështjen e Kosovës përpos lëvizjes së popullatës të bërë me marrëveshje mes dy palëve- të shqiptarëve prej disa pjesëve në kufi me Serbinë, kurse të serbëve prej pjesëve qendrore të Kosovës. Vetëm kjo ndarje e popullatës, që me terminologjinë politike quhet ndarje e Kosovës, do të mund të përfaqësonte zgjidhjen historike të çështjes së Kosovës. Të gjitha “zgjidhjet” e tjera do të ishin arnime të përkohshme me pasoja të përhershme.![]()
Krijoni Kontakt