“General Electric” bllokoi llogarinë e Shqipërisë në Eurokontroll
2011-08-29Gjergj Erebara
Gazeta Shqip
“General Electric” bllokoi llogarinë e Shqipërisë në Eurokontroll
Kompania amerikane fitoi gjyqin, qeveria refuzoi të paguajë dëmshpërblimin
Aventura e ish-kryeministrit Fatos Nano për ndërtimin e një treni elektrik në vitin 2004, i ka kushtuar Shqipërisë 14 milionë euro, të cilat i janë konfiskuar qeverisë shqiptare nga llogaria e saj financiare pranë Eurokontroll, por shqiptarët nuk kanë pasur të drejtë ta dinin këtë gjë. Lajmi bëhet i ditur nga dy raporte diplomatike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të publikuara së fundmi në faqen e internetit “Wikileaks”.
“Sipas ‘General Electric’, një gjykatë belge ka vendosur që pagesat të cilat Eurokontrolli i bën Shqipërisë për kontrollin e mbikalimeve ajrore, t’ia japë GE-së”, thuhet në një raport diplomatik. Shqipëria fiton afërsisht 20 milionë dollarë çdo vit për tarifat e mbikalimit.
Nga raportet diplomatike, bëhet e ditur se pas gjyqit të arbitrazhit, “General Electric” pati hyrë në bisedime me qeverinë për ekzekutimin e vendimit të dëmshpërblimit, por Kryeministri Sali Berisha kishte refuzuar. Raporti shton se këmbëngulja e Shqipërisë për të mos paguar detyrimin, mund t’i kushtojë vendit tonë edhe 10 milionë dollarë të tjera, për shkak se politika e Eurokontrollit është që të ardhurat nga mbikalimet të riinvestohen në përmirësimin e kontrollit të trafikut dhe në mungesë të investimit, të ardhurat në vitin pasardhës do të jenë më të ulëta.
Historia
Ish-kryeministri Fatos Nano nënshkroi në vitin 2004 një kontratë me kompaninë amerikane “General Electric” për ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike Tiranë-Rinas-Durrës, (i njohur gjerësisht si ‘treni elektrik’, me kosto 90 milionë dollarë. Shqipëria nuk kishte mundësi ta financonte vetë projektin, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare refuzuan ta financonin dhe e kundërshtuan publikisht projektin. Qeveria ra dakord që GE të gjejë një bankë të gatshme për të dhënë një kredi tregtare për Shqipërinë me vlerë 90 milionë dollarë. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria kërkonte kredi tregtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore lëshuan veçmas deklarata kritike ndaj projektit të trenit elektrik, si dhe ndaj kredisë tregtare që qeveria pranoi ta merrte nga banka holandeze ABN Amro.
“Banka është e shqetësuar nga mungesa e analizës mbi përfitimet ekonomike dhe shoqërore që mund të sjellë ky projekt”, deklaroi BB.
Ndërkohë, gjatë të gjithë kohës, Ambasada e SHBA-së në Tiranë këmbënguli publikisht që projekti të zbatohej dhe në fund shprehu pakënaqësi për anulimin e tij.
Opozita e djathtë e kritikoi projektin dhe e anuloi atë së bashku me kredinë tregtare. Por ndërsa anuloi projektin pa leverdi ekonomike të trenit elektrik, qeveria e sotme ndërmori një projekt dhjetë herë më të shtrenjtë dhe shumë herë më pa leverdi, atë të rrugës Durrës-Kukës.
Gjyqi
“General Electric” dhe një partner i tij, sipas raporteve diplomatike, iu drejtuan gjykatës së arbitrazhit dhe fituan të drejtën për 14 milionë euro dëmshpërblim. GE iu drejtua qeverisë shqiptare me premtimin që, nëse ajo ofronte biznes për këtë kompani, ajo do të ishte e gatshme ta rrëzonte një pjesë të pretendimit. Qeveria nuk pranoi dhe GE iu drejtua gjykatave në SHBA dhe BE për të ekzekutuar vendimin, duke bllokuar asete të Shqipërisë. Në vitin 2009, një gjykatë në Belgjikë gjeti asete të vlefshme. Shqipëria ofron shërbimin e kontrollit të trafikut ajror për 120 mijë avionë tregtarë që kalojnë çdo vit në qiellin e Shqipërisë në kuotë të lartë. Këta avionë paguajnë një tarifë pranë agjencisë europiane të kontrollit të trafikut ajror Eurokontroll, e cila ia transferon më pas Shqipërisë. Gjykata belge e urdhëroi Eurokontrollin që të mos ia transferojë Shqipërisë këto para, por t’ia kalojë “General Electric”-ut.
Krijoni Kontakt