Bledjana Beqiri

Çorientohen bursat ndërkombëtare. Kursi i këmbimit të valutave gjatë dy ditëve të fundit ka qenë tepër i ndryshueshëm, duke bërë që në disa momente bankat të bllokojnë edhe këmbimet valutore. Faji nuk ka qenë as i agjencive të këmbimit valutor dhe as i bankave tregtare shqiptare, por shkak për paqëndrueshmërinë e kursit të këmbimit kanë qenë bursat ndërkombëtare.
Euro apo dollari?! Askush nuk ka qenë në gjendje që të përgjigjej se kush do ta fitonte këtë betejë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të kërkojnë një dollar të dobët, ndërkohë që sulmi terrorist i ndodhur dy ditë më parë në Madrid të Spanjës ka tronditur rëndë euron dhe bursat europiane. “Bursat ndiejnë bombat dhe krizat ekonomike”, -pohon një ekonomist i njohur italian. Sipas tij, shkaqe për lëkundjet e shpeshta dhe paqëndrueshmërinë që karakterizon gjatë ditëve të fundit bursat mbarëkombëtare janë pikërisht kriza ekonomike amerikane dhe sulmi terrorist, i cili kujtoi 11 shtatorin.
***
Në muajin shkurt, deficiti tregtar amerikan arriti në 43.1 miliardë dollarë, duke kapur një rekord të ri kundrejt parashikimeve të bëra nga ekonomistët. Këtë të dhëna kanë qenë të papritura për qeverinë amerikane, ndërkohë që parashikimet ishin për një deficit deri në 42 miliardë dollarë, kundrejt 42.5 miliardë dollarë që ishte në muajin dhjetor 2003. Përveç këtij deficiti të lartë, eksportet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit shkurt janë ulur me 1.2 për qind ose me 132.1 miliardë dollarë, që shënon edhe uljen më të madhe që prej muajit gusht të vitit 2003, edhe pse amerikanët vazhdojnë të mbajnë një dollar të dobësuar.
***
Vendet e Bashkimit Europian, ndryshe nga Amerika, kanë arritur një deficit tregtar prej 5.9 miliardë dollarë, që është edhe niveli më i ulët që prej dy vjetësh. Në tregjet valutore gjatë kësaj jave një euro është këmbyer me 1.22-1.24 dollarë amerikanë, duke pësuar lëvizje të shpeshta.
***
Edhe në tregun shqiptar kursi i këmbimit valutor ka qenë i paqëndrueshëm. Dy ditë më parë dollari fitoi ndjeshëm pikë, ndërsa dje monedha europiane ka fituar pikët e humbura një ditë më parë ndaj monedhës së gjelbër amerikane. Kështu, bursat ndërkombëtare kanë turbulluar edhe agjencitë valutore, bankat dhe tregun e lirë valutor. Në momente të ndryshme të ditës, euro fitonte më shumë pikë dhe më pas fitonte dollari amerikan. Dje në mesditë një dollar amerikan është blerë me 106.2 lekë dhe është shitur me 106.9 lekë, ndërsa një euro është blerë me 130 lekë dhe është shitur me 131.1 lekë. Paqëndrueshmëria e dy monedhave kryesore ndërkombëtare sjell edhe humbje në këmbimin e valutave. Kështu, shqiptarët do të bënin mirë që të ndiqnin këshillat e Bankës së Shqipërisë dhe të ruanin kursimet e tyre në monedhën kombëtare, lekë, sesa në euro apo dollarë.