Morali i kompanive me humbje që mbijetojnë në Shqipëri, të kujton monologun e famshëm të Don Kishotit të Mançes: arsyeja e mos arsyes që e detyron...qeverinë të mbajë nën "sqetulla" simotrat e "Parmalatit"...


Nga Mitro Çela / Data (07-01-2004)


"Parmalatin", një ndër kompanitë më të mëdha në botën e industrisë ushqimore, fundviti 2003 e gjeti në prag të falimentimit. Shefi ekzekutiv, Kalisto Tanzi, supermenaxheri që për 40 vjet e "komandoi" kompaninë, përfundoi nën pranga. Në një "vrimë të zezë" kanë përfunduar 12 miliardë euro. Këto ditë "menaxhimi" i kompanisë është në duart e hetuesve, të prokurorëve e të gjykatësve. Procesi i falimentimit po kryhet në mënyrë normale. Pa zhurmë. Pa bujë, edhe pse "Parmalati" ka 36 mijë punëtorë; edhe pse kjo kompani ishte krenaria e industrisë italiane; edhe pse rrezikohen miliona euro për buxhetin e shtetit. Pushtetet ekzekutive dhe legjislative i kanë lënë "dorë të lirë" pushtetit gjyqësor.
Pas kësaj panorame nga jeta në ekonominë e tregut italian del pyetja: A ka në Tiranë simotra të "Parmalatit", domethënë kompani që dalin me humbje? Në vend të përgjigjes së thatë do të ndjekim disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duke qenë raporte zyrtare, që "këndohen" çdo vit në Kuvendin e Shqipërisë, kanë "imunitet" ndaj pasaktësisë.

Ndërton hotele e vila edhe pse me humbje?!
Me mendje tek kronikat për "Parmalatin" nisa të shfletoj më një "frymë" "Raportin mbi zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2002". Në faqen 10 është kapitulli "Tatimi mbi fitimin". Fjalë për fjalë shkruhet: "Gjatë vitit 2002 kanë paraqitur bilance finaciare me humbje 476 kompani." Mes tyre, në radhë të parë qëndron kompania "Mak Albania". Humbjet kompania i ka llogaritur në 500 milionë lekë?! Në fillim u befasova. Kjo kompani ka ndërtuar hotelin "Sheraton", të vetmin hotel me pesë yje në vendin tonë. Ka ndërtuar "Shato Linzë". Ka ngritur një varg me vila në Golem. Edhe pse humbja është në shifra astronomike, po të kemi parasysh se buxheti i bashkisë në Gjirokastër për këtë vit është 31 milionë lekë dhe i Korçës 76 milionë lekë, përsëri "kërraba e mendimit" më tërhiqte nga justifikimi: Nuk ka pse të veshi "qyrkun" e përgjegjësisë kompania! Fajin e ka hoteli. I madh. Modern. Fatura e ndërtimit është tepër e lartë. Sa më e lartë fatura, aq më e madhe humbja!
Për të qenë sa më afër së vërtetës, nisa të investigoj në vite. Raporti i vitit 2000, që bën fjalë për aktivitetin e vitit 1999-të. Faqe 20. Paragrafi i tretë: "Nga organet tatimore nuk janë zbatuar Ligji Nr 7638 "Për shoqëritë tregtare" dhe Ligji Nr 8017 "Për procedurat e falimentimit", në kohën që kemi shumë subjekte me aktivitet të madh dhe me ndikim të ndjeshëm në të ardhurat tatimore, të cilat vazhdojnë të paraqesin bilance ekonomiko-finaciare me humbje për vite me radhë si "Ajka", "Mak Albania", "Siment Albania" etj." Në vitin 1999 kompania "Mak Albania" kishte llogaritur një humbje prej 922 milionë lekë.

Parlamenti justifikon humbjet
Ec e ec dhe punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit hartuan raportin për vitin 2000. Përsëri vazhdoi "avazi" i vjetër. Zoti Kërçuku lexoi një rezume në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Përsëri tha se kompania "Mak Albania" del me humbje. Bile të "korrat" e humbjeve ishin më të "mbara". Arritën shifrat 1 miliard lekë ose 8 milionë dollarë. Pse them më të "mbara"? Sepse atë që nuk e merr buxheti i shtetit, përfundon në arkën e kompanisë. Po pse nuk u bë zhurmë të paktën nga opozita? Ka një arsye të "madhe"! Sipas zakonit, raporti për vitin 2000 u lexua në vitin 2001. Për "fat" të kompanisë "Mak Albania" ky ishte një vit elektoral. Në plan të parë doli "Dushku". Pas "Dushkut" doli problemi i presidentit konsensual...Dhe fjalët e zotit Kërçuku ranë në vesh të shurdhër... Ndërkohë "avazi" vazhdon. U bë raporti për vitin 2001. U këndua në parlament po nga zoti Kërçuku në vitin 2002. Përsëri kompania "Mak Albania" bilancin e bëri me humbje. Shuma e humbjes: 767 milionë lekë...
Bëjmë prapa në kohë. Shtator 2003. Holli i hotel "Sheraton" i mbushur plot. Mes VIP-ave shkëlqen kryeministri Nano. Ia do zanati të rrëmbejë gërshërën për të prerë shiritin e përurimit të hotelit. Pastaj erdhi fjalimi.... Për humbjet e kompanisë "Mak Albania" që ndërtoi hotelin, kryeministri nuk ka dijeni. Ka të drejtë. Në të gjithë vendin dalin 476 kompani me humbje. Ka kohë Kryeministri të lexojë një pafundësi të tillë me kompani që dalin me humbje? Pastaj në fund të fundit, ne jemi vend në tranzicion. Kur kemi me
bollëk korrupsion, kontrabandë, prostitucion nuk është ndonjë çudi e madhe që kemi edhe kompani që mbijetojnë edhe pse dalin për vite me radhë me humbje; edhe pse ligji "Mbi falimentimin" thekson se kur një kompani del me humbje tre vjet me radhë, ajo duhet të shpalli falimentin?!

Imunitet ndaj falimentimit
Mes kompanive që dalin me humbje për 10 vjet me radhë radhitet edhe "DV ALBA". Rast i rrallë për një kompani që "mbijeton" duke dalë me humbje në mënyrë konstante, si nën qeverinë e demokratëve dhe nën pushtetin e socialistëve. Kjo kompani si duket ka fituar imunitet ndaj falimentimit. Pas enigmës mendja të shkon për keq: Kush fshihet pas kësaj kompanie që ka "kurajo" të hartojë bilance me humbje? Së pari, kompania "DV ALBA" sh.p.k., që ka në vartësi hotel "Tirana", është themeluar në korrik të vitit 1993. Në këtë shoqëri bëjnë pjesë pesë aksionerë. Albturizmi ka 49,91 për qind të aksioneve. INSIG ka 9,97 për qind. Banka e Kursimeve 5,01 për qind. DVE ka 25, 14 për qind. BERZH-9,97 për qind të aksioneve. Kompania ka bërë një kontratë menaxhimi me shoqërinë "Turin Hotels Internacional S.p.A." me qëndër në Torino. Shoqëria italiane emëron drejtorin e hotelit. Që nga viti 1995 janë emëruar gjashtë drejtorë. Në korrik të vitit 2002 u emërua si drejtor italiani Giusseppe Franceze. Sipas kontratës, drejtori ka këtë regjim pune: 7 ditë qëndron në Itali. 6 ditë janë pushime. (E shtunë dhe e diel.) 16 ditë në muaj merret me hotelin. Për kaqë pak ditë pune drejtori merr një rrogë vjetore prej 180 mijë dollarë?! Duke qenë se drejtori më shumë vëzhgon sesa drejton, të ardhurat e hotelit morën të tatëpjetën. Në dhjetor të vitit 2002 u shënua humbja më e madhe në gjithë historinë e kompanisë. Këto humbje shtojnë aksionet e BERZH. Po pse? Sepse BERZH luan, si i thonë fjalës, me dy porta. Në vitin 1993, nga njëra anë bleu aksione të hotelit. Nga ana tjetër ka dhënë 16 milionë dollarë kredi për rikonstruksionin e hotelit. Kreditë e kanë "bishtin" prapa. Vjen një ditë dhe duhen paguar interesat...Kur hoteli del me humbje, zvogëlohet vlera e aksioneve. Sa më e ulët vlera e aksioneve aq më pak kushton hoteli për t’u privatizuar...Dhe para disa javëve është marrë një vendim në Këshillin e Ministrave për privatizimin e hotel "Tirana". Në këtë privatizim "violinë e parë" do të jetë BERZH...Për humbjet brenda një dekade dhe për rrogën e "majme" që merr drejtori i hotelit nuk kujtohet njeri.
Morali i kompanive me humbje që mbijetojnë në Shqipëri, të kujton monologun e famshëm të Don Kishotit të Mançes: arsyeja e mosarsyes që e detyron... qeverinë të mbajë nën "sqetulla" simotrat e "Parmalatit"...

"Biznesi"