Darina Tanushi
TIRANË – Kryeministri Fatos Nano do të ketë në varësi këtej e tutje Komitetin shtetëror për mbrojtjen e kulteve. Kjo është miratuar dje me një vendim të posaçëm “Për disa ndryshime në vendimin nr.459, datë 23.9.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komitetit Shtetëror për Kultet”. Sipas qeverisë vendimi synon ngritjen e nivelit të përfaqësimit dhe funksionimit të Komitetit Shtetëror për Kultet. Ky Komitet bashkërendon marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare e organizmave shoqërore të çdo lloji, që kanë objekt veprimtarie dhe ndjekin qëllime fetare. Në mbështetje të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ky komitet do të jetë në varësi të kryeministrit. Emërimi i kryetarit dhe anëtarëve të tij do të bëhet nga kryeministri, duke patur parasysh dhe ruajtur parimet e asnjanësisë shtetërore dhe të barazisë së bashkësive fetare, si dhe faktin që struktura e komitetit të reflektojë realisht identitetin dhe vlerat e bashkësisë fetare. Varësia e këtij komiteti nga kryeministri mendohet se do t’i japë një impuls të ri mirëfunksionimit të tij, në mënyrë që shteti dhe bashkësitë fetare të bashkëpunojnë në të mirë të shoqërisë. Ndërkohë presidenti Moisiu është duke përgatitur një konferencë ndërballkanike për çështjet fetare. Për këtë u janë dërguar ftesa shumë përfaqësuesve të ndryshëm të Ballkanit. Para disa muajsh, në Tiranë u organizua një konferencë tjetër mbi çështjet fetare dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Në të gjitha referatet që u mbajtën nga përfaqësues të të gjitha feve dhe nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare është theksuar se ka një tolerancë dhe mirëkuptim fetar të admirueshëm në Shqipëri.
Gazeta "Shekulli"
12/03/2004
Krijoni Kontakt