Meta: 4 kushte për t‘u kthyer te Rama
Kreu i LSI flet nga Durrësi: Transparenca e PS, tryeza e koalicionit, listat e hapura dhe pragu elektoral
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i është përgjigjur nga Durrësi, liderit të opozitës, Edi Rama, duke treguar kërkesat-kushte të tij, ndërsa ka theksuar se aleatët e tij natyralë janë të gjithë të majtët dhe progresistët në Shqipëri. Meta është ndalur në pikat kyçe që cenuan opozitën shqiptare dhe që mund të jenë të tilla për të siguruar forcimin e saj. Hartimi i një reforme të drejtë zgjedhore, plotësimi i standardeve të zgjedhjeve dhe fitorja e së majtës, sjellja braktisëse e Ramës ndaj partive në koalicion janë në themel të lëvizjes së kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një tjetër arsye që ka rënduar mbi Metën dhe vendimin e tij për ndarje nga koalicioni është refuzimi i Ramës për problemin e certifikatave të zgjedhjeve. Ajo që do t‘i bashkonte sërish aleatët e vjetër është dhe aplikimi i parimit "Një anëtar, një votë" dhe qëndrimi se listat e mbyllura do t‘u privojnë qytetarëve zgjedhjet e lira. Realizimi i kushteve, pikërisht në ato drejtime ku hasen problemet, sipas këndvështrimit të Metës dhe aleatëve të tij, do të sillte një bashkim të forcave të majta, në të kundërt opozita aktuale do t‘i nënshtrohet formësimit dhe përçarjes që më shumë se këdo duket se do të cenonte Partinë Socialiste. Ftesa për t‘u bërë pjesë në opozitën e re është hapur nga Meta për të gjithë socialistët e pakënaqur nga politika e vjetër dhe aktorët e saj, duke ftuar bashkimin e fuqive dhe marrjen e pushtetit. Meta me cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar të integrimit ka marrë pjesë në një konferencë të zhvilluar në Durrës nga OSBE, gjatë së cilës është shkëputur për të dhënë deklaratat politike. Prishja e zgjedhjeve dhe shkatërrimi i reformës zgjedhore janë dy arsyet bazë që e çuan LSI-në dhe partitë aleate të saj drejt tërheqjes dhe daljes më vete. Arritja dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore janë kthyer në kryefjalë të Metës dje në Durrës, duke kujtuar se "thembra e Akilit" është pikërisht aty. Deklarata e Ramës që e lidh atë me një politikë të vjetër, nuk është gjë tjetër veçse një shpërdorim fjalësh. Kështu e ka vlerësuar lideri i opozitës më të re në vend, Ilir Meta dhe asgjë më shumë reagimin e kreut të opozitës. "Nëse Rama quan politikë të vjetër kontributin për t‘u dhënë fund dramave elektorale, atëherë ne do të ndjekim deri në fund këtë rrugë me qëllimin e qartë, atë të mbylljes së kapitullit të zgjedhjeve të kontestuara". Shigjetat e kritikës metiste janë drejtuar mbi të dyja forcat e mëdha politike, PS dhe PD, të cilat janë vlerësuar rishtas si politikë e vjetër dhe e lodhur. Gjithsesi, ai është ndalur në gjirin e opozitës, e cila karakterizohet nga një mungesë e dukshme koordinimi në veprimet e saj politike. Sipas Metës, kryetari i PS-së e ka braktisur prej kohësh tryezën e koalicionit të partive bazuar në sjelljen arrogante dhe të pahijshme të tij. "Mund të them me bindje të plotë se për lidershipin aktual të PS-së nuk ka rëndësi as standardi i zgjedhjeve dhe as fitorja e së majtës e vitit 2009". Ish-kryeministri Ilir Meta e ka vlerësuar të parakohshëm debatin për emrin e Kryeministrit.
-----------------------
Shqip
Krijoni Kontakt