Nga harta linguistike dhe gjeografike e shqiptarizmit, po kalojmë te ajo e rumanizmit. Një nga emërtimet e lashta me prejardhje trako-ilire është edhe topinimi Buzëu, qytet dhe rreth që shtrihet në kufirin mes Moldovës dhe Muntenisë. Fjala vjen si derivat nga një nënshtrat i përbashkët i fjalëve të lashta. “Ajo që mund të thuhet me siguri për rumanishten “buzë”, nënvizon linguisti Grigore Brënkush, është fakti se identifikohet tërësisht me shqipen buzë” dhe se i përket substrtatit pararomak”. Meyeri, Jokli, Russu, Çabej, Camaj etj., po ashtu e ndërlidhin me një formë të stërlashtë (buszë-buzë, Byzas, Byzos, Beusas, Buzos, Buzatius). Gërshetohen këtu trakishtja me dakishten dhe ilirishten. Fjalë identike në të dy gjuhët, nga të cilat rrjedhin edhe emërtime vendesh, emrash e mbiemrash: Buza, Buzëu, Buzika, Buzlevski, Buzura etj. Nuk e dimë, komunat tona në kanë krijuar prefekturat e tyre dhe në kanë siguruar mjete për botime monografish. Nga Monografia e rrethit Buzëu, e hartuar nga prefektura e këtij rrethi para 60 vitesh (1943), kuptojmë se etimologjia e këtij emri vjen nga lashtësia, ndërsa qyteti e ka marrë emrin nga lumi Buzëu, i përmendur për herë të parë në vitin 372. Njësoj si te shqiptarët (lidhur me emërtimin Albania, Albanopolis), nga ky vit e deri në mbarim të shek.XIV, nuk kemi kurrfarë lajmi mbi Buzëun. Emri i tij, fillimisht si treg, fillon të qarkullojë sipas dokumenteve, që nga 30 janari i vitit 1431 e këndej (83-84). Bëhet fjalë për “bujarët e Buzëut”, për përpjekjet e turqve për shkatërrimin e qytetit, për (shqiptarin) Vasile Lupul (Ujku) që kalon nëpër Buzëu me dhëndrin e tij (Timush), i shoqëruar nga tartarët për të luftuar kundër Matej Basarabit (86).
Ngjarjet lidhen njëra me tjetrën: Sulme austriakësh, luftëra me turqit, dinastia e fanariotëve, epoka e arnautëve, plaçkitje, djegie e vrasje, shkatërrime e ndërtime. Në vitin 1836, vjen në Buzëu shefi i policisë së Muntenisë, Mihai Gjika, i ati i Dora d’Istrias, dhe e arreston hajdutin Frunza Verde, plaçkitësin e thesarit që iu dha më vonë Muzeumit të Antikiteteve. Më 1853 në malet e kësaj zone, përleshen turqit me rusët, ndërsa që nga viti 1878, kur Rumania e përfiton Pavarësinë, Buzëun do ta vizitojë rregullisht Familja Mbretërore dhe njerëz të shquar të vendit (83). Pjesa dërmuese e banorëve të kësaj zone janë rumunë. Në statistikën e vitit 1941, pos rumunëve përmenden edhe hebrenjtë (1.193), gjermanët (242, hungarezët (139) dhe 576 banorë të padeklaruar. Me siguri që në kuadrin e tyre hyjnë edhe arnautët. Pse e themi këtë? Falë dr.Xhelku Maksutit dhe ish-ambasadorit të Shqipërisë në këtë vend dr.Marko Bello, morëm vesh se në rrethin e Buzëut gjendet një fshat që mban emrin Arbënash. Kurioziteti dhe atdhedashuria i kishte shtyrë që të dy, që ta identifikojnë dhe vizitojnë këtë katund. Burime lidhur me këtë vend gjejmë në studimet e Vehbi Balës, Ismet Dërmakut, dhe në vetë monografinë e lartpërmendur. Aty bëhet fjalë edhe për Skelën e Arbënashit, njëra nga më të rëndësishmet, që përfshin lokalitetet e shtrira përgjatë luginave të Slënikut dhe Sërëcelit (Beçeni, Beçiu, Gura Dimienei, Nikuleshti dhe Poliçiori (47), lokalitete të njohura për nga burimet e naftës.
Në kuadrin e rrethit të Buzëut gjendet edhe qyteti Mizil, i shtrirë në një zonë të njohur për nga vreshtat më të mira të Rumanisë. Në vitin 1845, sipas monografisë që e siguruam falë zotit Traian Paraskivesku, kuptojmë se tregtia e vogël e kësaj qendre gjendej në duart e të huajve. “Hungarezët, gjermanët dhe hebrenjtë njiheshin si hekurtarë dhe teneqexhinj, ndërsa tregtinë me drithëra e bënin fanariotët dhe shqiptarët” (132). Po këtu, pra në kuadrin e monografisë mbi rrethin e Buzëut, gjejmë burime edhe për komunën Monteoru, e përbërë prej fshatrave Sërata Monteoru dhe Sarata Nençiuleshti. Duke filluar që nga vera përvëlimtare e vitit 1999, Sërata Monteoru u bë sinonim i solidaritetit rumun ndaj Kosovës. Në bazë të një marrëveshjeje qeveritare ndërmjet Rumanisë dhe forcave ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës nga terroristët e Millosheviçit, në këtë qendër klimaterike u strehuan rreth njëqind refugjatë, pjesa dërmuese duke qenë nga Drenica dhe fshatrat e Prizrenit. Është kjo një temë tjetër, sa e dhembshme, po aq edhe krenare. Kjo temë mund të ishte objekt i një shkrimi tjetër, pikërisht me rastin e pesëvjetorit të çlirimit (1999-2004).
Poet rumun me orgjininë shqiptare
Somario
Meyeri, Jokli, Russu, Çabej, Camaj etj., po ashtu e ndërlidhin me një formë të stërlashtë (buszë-buzë, Byzas, Byzos, Beusas, Buzos, Buzatius). Gërshetohen këtu trakishtja me dakishten dhe ilirishten. Fjalë identike në të dy gjuhët, nga të cilat rrjedhin edhe emërtime vendesh, emrash e mbiemrash: Buza, Buzëu, Buzika, Buzlevski, Buzura etj.
Somario
Në vitin 1836, vjen në Buzëu shefi i policisë së Muntenisë, Miihai Gjika, i ati i Dora d’Istrias, dhe e arreston hajdutin Frunza Verde, plaçkitësin e thesarit që iu dha më vonë Muzeumit të Antikiteteve. Më 1853 në malet e kësaj zone, përleshen turqit me rusët, ndërsa që nga viti 1878, kur Rumania e përfiton Pavarësinë, Buzëun do ta vizitojë rregullisht Familja Mbretërore dhe njerëz të shquar të vendit (83).
Krijoni Kontakt