Uashington, 4 mars - Lufta në Kosovë shkaktoi shumë trauma, por edhe sot pesë vjet më pas, shenjat e tyre janë të pranishme. Gjendja e keqe ekonomike dhe mungesa e perspektivës janë gjithashtu elemente që pengojnë kapërcimin e traumave. Një organizatë nga Uashingtoni, Qendra për Kurimin e Mendjes dhe Trupit, po bashkëpunon me specialistët në Kosovë për t'u ardhur në ndihmë njerëzve me shqetësime psikologjike. Drejtori i saj doktor Xhems Gordon, ka qenë mbi 10 herë në Kosovë shpreh shqetësimin për një dukuri më parë pothuajse të panjohur në Kosovë: rritjen e rasteve të vetëvrasjes. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", doktor Gordon shpjegoi se si kujtimet e luftës, ashtu edhe pasiguria për të ardhmen janë shkaqe për problemet psikologjike.
"Që nga përfundimi i luftës, kemi parë një rritje të konsiderueshme të problemeve të ndryshme psikologjike, si ndjenja ankthi, depresioni dhe stres pastraumatik. Këto probleme janë shumë të përhapura dhe bëhen shumë më të mprehta kur gjendja ekonomike është e keqe dhe nuk ka shumë shpresë", thotë doktor Gordon.
Sipas tij, para luftës, për vite me radhë dukej sikur shoqëria, lidhjet e ngushta, familjet e mëdha, i mbronin njerëzit emocionalisht. "Qëkur mbaroi lufta, jo vetëm që pati humbje të mëdha, përsa u takon të vrarëve, por gjithashtu ka një ndjesi shkëputjeje, mungesë lidhjesh. Shumë familje të mëdha u ndanë, shpesh për arsye ekonomike, kanë ndoshur ndryshime të mëdha në kulturën e jetesës". Gordon thotë se të gjitha këto kanë luajtur rol në shtimin e rasteve të vetëvrasjeve, që dikur ishin shumë të pakta. "Tani përqindja e vetëvrasjeve është e krahasueshme me ato të shumë vendeve të tjera, madje e përafërt me atë në Shtetet e Bashkuara, ku përqindja e vetëvrasjeve është mjaft e lartë", tha doktor Xhems Gordon.
Krijoni Kontakt