Daja tem qe eshte ekonomist me ka thone qe prof hilmiu eshte nder me te miret ne shqiperi, lexoni se car thote profesori per mangesite ne ligjin e akcizave qe takuptoni ca jane akcizat e sa na duhen ato.Nga Prof.Sabah HilmiuDitët e fundit, po bëhet fjalë për një projektligj lidhur me akcizat në Republikën e Shqipërisë që do të diskutohet në qeveri dhe do t'i paraqitet Parlamentit për miratim. Nevoja e përsosjes së mëtejshme të politikës fiskale për "kalimin" nga tarifat ad valorem për akcizat e disa nga mallrat e forta, në tarifat specifike, me kuotë fikse për njësinë e mallit, është një hap përpara, por projekti nuk i ka shpëtuar disa mangësive të karakterit të politikës ekonomike, fikskale edhe tregtare. Nga njëra anë, pranimi dhe zbatimi i politikës për kalimin në tarifat specifike për akcizat me kuotë fikse, për 1 hektolitër birrë, për 1 ton benzinë, për 1 ton cigare, etj, sipas mendimit tim mënjanon në një shkallë relativisht të mirë subjektivizmin dhe arbitraritetin e organeve doganore e tatimore, qoftë në përcaktimin e vlerës doganore, qoftë në atë të tatimit mbi fitimin.
Por nga ana tjetër, projekti që konkretizon tarifat specifike për akcizat, të shprehura për njësinë e mallit (është fjala për mallrat e forta), në aspektin e politikës ekonomike, tregtare e financiare, për mendimin tim, përmban mangësi, që e bëjnë atë të papranueshëm, në variantin e projektuar si në atë të muajit maj, ashtu, edhe në atë të muajit qershor 2002. Ndonëse, me fjalë, në relacion thuhet se me këtë projekt, përafrohet legjislacioni ynë në këtë fushë (pra dhe politika fiskale) më atë të BE-së, në fakt kjo nuk gjen realisht materializim, për të mos thënë se është larg shumë këtij pretendimi. Konkretisht, legjislacioni i Bashkësisë Evropiane parashikon që akciza për cigaret të mos jetë më e vogël se 51 për qind e çmimit me pakicë. Dhe të mos harrojmë se 1 paketë cigare "Marlboro" në Kroaci, për shëembull, është baraz me 2 dollarë amerikanë, kurse 1 paketë "Dunhill" është afro 2.25 dollarë. Ndërsa, në projektin e paraqitur (datë 17 qershor 2002) akciza për 1 paketë cigare importi nuk përfaqëson më shumë se 10 % të çmimit me pakicë në tregun tonë. Në projektin e paraqitur thuhet se bëhen përpjekje, për të "përkrahur prodhimin e vendit", për birrën, cigaret etj, duke u bazuar në kapacitetin e prodhimit vjetor, për birrën deri 200.000 hl dhe për cigaret deri në 500 ton. Sipas mendimit tim, në vështrimin e politikës ekonomiko-tregtare e financiare, këto nuk pajtohen me principin e koncentrimit të prodhimit që ndjek vendi ynë.
Më konkretisht, duke përcaktuar një politikë të diferencuar për tarifat specifike të akcizës, në varësi me kapacitetin prodhues të fabrikave, praktikisht do të ketë diskriminim. Kjo politikë në vend që të nxisë rritjen e kapaciteteve prodhuese serioze të vendit, çon në fakt në zgjerimin e numrit të minifabrikave me teknologji "artizanale" e me cilësi të ulët prodhimi. Mbi të gjitha, projekti nuk parashikon në fakt realisht ndonjë masë mbrojtëse "të përkohshme" për prodhimin vendas, të paktën për industrinë tonë tradicionale të duhan-cigareve, ku punësoheshin rreth 5000 punëtorë, ku angazhoheshin me kulturën e duhanit mbi 50000 familje fshatare. Tagri doganor në disa vende anëtare të OBT, në rajonin tonë, është mbi 50 deri 60 për qind të vlerës doganore, ndërsa në vendin tonë aktualisht ajo është rreth 10 %. Falë edhe kushteve tokësore e klimaterike, kjo degë e industrisë i ka të gjitha mundësitë të plotësojë relativisht mirë një pjesë të madhe të nevojave të konsumit të brendshëm, të bëhet fitimprurëse, madje e gatshme për të hyrë dhe për të konkurruar edhe në tregun e jashtëm. Kjo perspektivë do të krijonte një burim të ardhurash prej disa dhjetëra milionë dollarësh në vit, për të financuar, jo reduktimin, por shtimin e investimeve, për të cilat ka nevojë vendi ynë. Natyrisht në se ne do të adaptojmë një politikë fiskale inkurajuese për prodhimin vendas.
Unë jam thellësisht i bindur se rruga e progresit në ekonomi është e lidhur me zhvillimin dhe zgjerimin e tregtisë së lirë, mbi bazën e teorisë së avantazheve të krahasuara. Por, kjo nuk do kuptuar ngushtë. Dhe as nuk do menduar se mohon kategorikisht dhe rastin apo rastet e ndonjë mbështetje nga shteti, me një politikë mbrojtëse të përkohshme të ndonjë dege të industrisë tradicionale, në moshë "fëminore" apo "rinore", siç është industria e birrës apo e cigareve. Kështu kanë vepruar dhe po veprojnë akoma sot disa vende. E më në fund, sugjeroj që projekti të diskutohet mirë e thellë, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik e financiar, mbasi përpunimi dhe përcaktimi shkencor i levave dhe instrumentave të politikës fiskale, kontribuon edhe në reduktimin e shkallës së kontrabandës dhe korrupsionit, shoqëruar natyrisht me masat për përforcimin e policisë, sidomos asaj kufitare.





Print Email




Copyright 2002 Shekulli