shekulli

--------

Xhefri: Vdekshmëria foshnjore, më e larta në Evropë


Bruna Prifti

Shqipëria mbetet ndër vendet me vdekshmëri foshnjore më të lartë në Evropë. Kështu është shprehur ambasadori amerikan në Tiranë, Xhejms Xhefri, dje gjatë një konference të organizuar nga USAID-i për kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri. Sipas tij, nëse Shqipëria nuk bën reformat e nevojshme në shëndetësi dhe arsim, në luftën kundër korrupsionit dhe në arritjen e transparencës qeverisëse, përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk do të kenë fryte. Gjatë konferencës së djeshme, ambasadori amerikan ka vënë në dukje gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet shërbimi shëndetësor në Shqipëri, situatë që sipas të cilit nuk po sheh përmirësime të ndjeshme. “Situata në shëndetësi nuk po përmirësohet dhe kjo është ende një çështje problematike. Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është nga më të lartat në Evropë. Niveli i jetesës është në ulje, ndërsa SIDA po rritet duke u kthyer në kërcënuese”,- tha ambasadori Xhefri. Më tej ai ka theksuar edhe rolin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është duke punuar por për të duhet më tepër ndihmë. “Ministria e Shëndetësisë po punon por duhet më tepër ndihmë, pasi ka edhe çështje të tjera kyçe si korrupsioni dhe lufta kundër tij, si dhe transparenca qeverisëse”,- shtoi Xhefri. Sipas tij, përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk do të jenë të suksesshme nëse nuk ndërhyhet me reforma të thella në arsim e shëndetësi, nëse nuk zhduket korrupsioni dhe nuk arrihet një transparencë qeverisëse. Sipas të dhënave dhe studimeve që janë kryer lidhur me vdekshmërinë foshnjore në vend, ajo realisht është paraqitur e lartë. Sipas një studimi të realizuar në qershor-korrik 2000, ka rezultuar se niveli i vdekshmërisë foshnjore ishte 29 për 1000 lindje të gjalla. Ndërsa niveli i vdekshmërisë për moshën nën 5 vjeç ishte 33 për 1000. Vlerësimi i nivelit të vdekshmërisë foshnjore dhe nën 5 vjeç u bë duke përdorur programin e Kombeve të Bashkuara QFIVE, kurse të dhënat për llogaritjen e këtyre niveleve u morën nga studimi MICS. Konferenca e djeshme e shërbimit shëndetësor parësor nisi një projekt të ri të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore të integruara në këtë nivel. Reformë që aktualisht ka gjetur mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).



26/02/2004

panorama
------
skandali i SIDA

intervista


DURRËS/ Përgjegjësja e laboratorit, Shpresa Spahiu: Analizat e nxorrën seriopozitiv që në muajin dhjetor

“Si e zbuluam gjakun me SIDA”
Flet mjekja: Ia injektuam edhe dy pacientëve me kancer




DURRËS

Një kontroll rutinë ka sjellë dhe skandalin e fundit në bankën e gjakut të spitalit të Durrësit. Personi që ka shitur gjakun e tij me para, jo pak, por afro 5 herë brenda një viti, është i infektuar nga virusi HIV/SIDA.

Madje, i njëjti gjak i është injektuar dy personave me kancer, të shtruar po në spitalin e Durrësit, të cilët kanë vdekur tashmë.

Në këtë mënyrë qyteti i Durrësit është bërë për herë të dytë brenda pak muajsh, vendi ku ka nxjerrë kokën sëmundja e tmerrshme e SIDA-as. Pak muaj më parë, një fëmijë i braktisur në shëpinë e fëmijës, vetëm 17 muajsh u zbulua se mbarte virusin e vdekjes, ndërsa një tjetër person tjetër, (emri i të cilit nuk bëjhet ditur) kishte kohë që ishte infektuar. Në të vërtetë, vetë mjekët dhe laborantët e spitalit të Durrësit e kanë zbuluar në muajin dhjetor se dhuruesi i tyre i rregullt i gjakut ishte i infektuar me SIDA. Ndërsa hera e fundit që ata kujtojnë dhuruesin të ketë dhënë gjak ka qenë muaji tetor i vitit të shkuar. Mëngjesin e djeshëm, në spitalin e Durrësit është zhvilluar një mbledhje, ku është analizuar kjo çështje, ndërsa është vënë në dijeni dhe Ministria e Shëndetësisë.

Por, si u zbulua gjaku i infektuar dhe sa rrezik ka përbërë ai gjatë kësaj kohe. Për këtë flet përgjegjësja e laboratorit në spitalin kirurgjikal të Durrësit, Shpresa Spahiu.

Kur e zbuluat gjakun e infektuar me virusin e SIDA-s dhe si u veprua?
Kjo për të qenë të sinqertë ka ndodhur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por ne nuk e bëmë publike. Porsa u zbulua gjaku i donatorit të regullt me HIV seriopozitiv, pas analizave që bëhen çdo muaj te qesja e gjakut u dërguan për verifikimin e mëtejshëm dhe në Tiranë.

Po në Tiranë si rezultoi analiza?
Edhe nga analizat e kryera nga laborantët e Tiranës gjaku rezultoi seriopozitiv. Ai mund të ketë qenë i tillë edhe para 13 javëve, që në kohën kur është marrë gjak në tetor, por ka qenë në inkubacion e sipër, jo i shfaqur, ose siç quhet më saktë, ka qenë periudha me SIDA.

Nëndrejtori i spitalit pohoi se, në muajin tetor, ky dhurues gjaku ka dhuruar si zakonisht gjak. Me gjakun e tij janë ndihmuar dy të sëmurë me kancer që kanë vdekur. Mos ka ndikuar dhe kjo në vdekjen e tyre?
Kjo është e saktë që nga gjaku i këtij donatori u është injektuar edhe dy të sëmurëve me kancer që kishin nevojë për të gjatë kohës që ishin shtruar për kurim në spital. Por së pari, atëherë nuk ishte konstatuar gjaku i tij në ishte i infektuar me AIDS apo jo dhe së dyti për ata të dy ishte destinuar se do të vdisnin, pasi dihet se sëmundja e kancerit nuk të fal.

A është i sigurt gjaku i dhuruesve me para?
Nuk është shumë i sigurtë. Kjo për arsyen e njohur se ai është shitës gjaku dhe kur plotëson formularin nuk tregon nëse ai që dhuron e ka kaluar këtë apo atë sëmundje. Dhe nga ekzaminimi i gjakut, përgjigjja pozitive mund të dalë me shumë vonesë, duke bërë që në fillim ne ta konsiderojmë si gjak të pastër.



Të regjistruar 200 dhurues
Si kontrollohet gjaku i dhuruar në Durrës

Pranë Qendrës së Dhurimit të Gjakut, në spitalin e Durrësit, janë të regjistruar afro 200 dhurues të rregullt gjaku, të cilët japin gjakun kundrejt pagesës. Sipas praktikave tashmë të vendosura, një burrë mund të dhurojë gjak deri në pesë herë në vit, ndërsa një grua deri në katër herë në vit. Pas marrjes së gjakut nga një dhurues i caktuar, sasia i nënshtrohet një analize për të mësuar nëse gjaku është i pastër prej disa nga virusët që shkaktojnë sëmundje të pashërueshme. Këto lloj virusesh janë hepatiti B, hepatiti C, sifilisi, virusi HIV, etj. Për zbulimin e të infektuarve nga virusi HIV, pranë Qendrës së Dhurimit të Gjakut në Spitalin e Durrësit përdoret testi i “kiteve të shpejta”. Kjo lloj mënyre analize parashikon futjen e disa lloj viruseve dhe acideve nukleike në gjak të cilat konfrontohen dhe reagojnë kur bien në kontakt me virusin HIV. Ajo e nxjerr përgjigjen brenda pak minutave, por nuk është gjithmonë e saktë. Në rast se virusi është në periudhën e tij të hershme të inkubacionit, kjo mënyrë analize nuk jep rezultat.



Sekuestrohen dokumente në Qendrën e Gjakut
Prokuroria nis hetimet për gjakun e infektuar

DURRËS - Prokuroria e Durrësit nis hetimet për të saktësuar nëse përbën vepër penale rasti i pranimit dhe i administrimit i një sasie gjaku të infektuar me virusin HIV te të paktën dy pacientë, të cilët kanë vdekur tashmë. Sipas kryekomisarit Tonin Vocaj, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Durrësit, punonjësit e Policisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore dhe Prokurorinë, po shohin nëse në këtë ngjarje ka elementë që përbëjnë një vepër kriminale. “Grupi i përbashkët hetimor ka marrë në dorëzim një sasi dokumentesh nga Qendra e Dhurimit të Gjakut në Spitalin e Durrësit dhe dje ka filluar hetimi”, pohoi Vocaj. Organet e shëndetësisë dhe të drejtësisë u ngritën në alarm pasi një dhurues i rregullt gjaku nga qyteti i Durrësit, para pak ditësh, ishte shtruar në një prej qendrave spitalore të Tiranës, pasi ishte diagnostikuar me sëmundjen vdekjeprurëse dhe të pashërueshme AIDS. Në fakt, gjendja është bërë edhe më shumë problematike për faktin se i diagnostikuari me AIDS ishte dhurues i rregullt gjaku dhe se gjaku i tij ishte përdorur për të ndihmuar dy pacientë, tashmë të vdekur. Mbetet mister fakti se kur ishte infektuar dhuruesi i gjakut me virusin HIV dhe nëse gjaku i administruar tek dy pacientët e vdekur kishte qenë i infektuar. Pacienti i shtruar në një qendër spitalore në Tiranë dhe i diagnostikuar me AIDS ishte dhurues i rregullt gjaku në Durrës. Ndonëse identiteti i tij nuk bëhet i ditur, mësohet se vetëm gjatë vitit që kaloi, ky person kishte dhuruar gjak pesë herë. Madje, sipas dr.Kristaq Hutës, drejtor i Spitalit të Durrësit, “gjaku i dhuruar nga ai person ishte administruar te të paktën dy pacientë”. Sipas dr.Hutës këta persona kanë vdekur nga sëmundjet kancerogjene, prej të cilave vuanin para se të merrnin gjakun e infektuar. Burimet pranë Prokurorisë së Durrësit bëjnë të ditur se, do të hetohet për të parë nëse ka patur shkelje të proçedurave apo shpërdorim të detyrës nga përsonat përgjegjës që mund të kenë çuar më pas në pranimin e një gjaku të infektuar dhe dministrimin e tij më pas tek pacientët”. Ndërkohë, çështja është mbështjellë nga një mur i fortë heshtje pasi nuk dihet se kur është infektuar me virusin HIV dhuruesi i gjakut dhe sa persona kanë marrë gjak prej gjakut të dhuruar nga ai. Burimet konfidenciale spitalore bëjnë të ditur se ai kishte më tepër se një vit që dhuronte gjak. Kjo shton frikën se edhe pacientë të tjerë, përveç dy të vdekurve, mund të kenë përdorur gjakun e tij.



Xhefri: SIDA në Shqipëri, tronditëse

TIRANË – “Shifrat e të sëmurëve me SIDA janë tronditëse dhe vdekshmëria e foshjeve është e madhe”. Kështu është shprehur dje në konferencën me temë “Problemet parësore të shëndetësisë”, zhvilluar dje në Tiranë, ambasadori amerikan, Xhejms Xhefri. “Duhen ndërmarrë reforma të plota në të gjithë fushën e shëndetësisë, për të përmirësuar kushtet e punës, për të ulur sa më shumë numrin e rasteve me SIDA dhe për të parandaluar vdekshmërinë te foshnjet”, ka pohuar ambasadori amerikan i akredituar në vendin tonë. Gjatë deklaratës së tij të djeshme, Xhefri e ka cilësuar mjekësinë në Shqipëri si sektorin më të prapambetur në të gjithë Evropën. Në këtë konferencë, veç ministrit Solis, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shëndetësisë, të cilët kanë paraqitur mangësitë në këtë fushë dhe kanë dhënë alternativa për reformën që duhet ndërmarrë.



Të dhënat

Dhjetë vjet pas shfaqjes së rastit të parë me SIDA, numërohen 116 të prekur të deklaruar
Sipas epidemiologut amerikan James Chin, numri i të prekurve nga HIV-AIDS në Shqipëri është 10-fishi i atyre të deklaruar
Për herë të parë ka një barazpeshë mes femrave të prekura nga virusi HIV dhe meshkujve gjatë vitit të fundit. Rishtas sëmundja njihej si tipike mashkullore. Janë 32 gra të infektuara
Që nga viti i ’97 ku u shfaq rasti i parës i transmetimit të virusit nga nëna te fëmija, numërohen 5 të vegjël me HIV-AIDS
Janë rreth 40 të vdekur nga SIDA
Me HIV janë deklaruar 5 prostituta
20 për qind e meshkujve të prekur nga HIV-AIDS janë homo ose biseksualë
Vetëm 10 veta janë infektuar jashtë rrugës seksuale. Tre rastet e hershme të infektimit nga gjaku. Dy rastet nga shiringat e drogës dhe 5 fëmijët që e kanë marrë virusin nga nëna

------