“Eagle Mobile”, të hënën merr licencën
“Kompania e tretë e shërbimit celular do të ofrojë tarifa më të ulëta se AMC dhe “Vodafone””
Bledjana Beqiri
Celularët
“Eagle Mobile” ditën e hënë merr licencën për të hyrë në tregun shqiptar. Kompania e tretë e telefonisë celulare pritet që të marrë në fillim të javës së ardhshme licencën nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve. Këtë e ka pohuar dje në një konferencë për shtyp ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, sipas të cilit tregu shqiptar së shpejti do të ketë edhe një kompani të re celulare. "Ditën e hënë do të bëhet zyrtar dorëzimi i licencës së miratuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve dhe këtë licencë unë do t'ia dorëzoj personalisht drejtorit të përgjithshëm të Albtelekomit",-deklaroi dje Poçi. Sipas tij, me marrjen e kësaj licence, “Eagle Mobile” ka të drejtë që të operojë menjëherë në treg. “Operatori i tretë i telefonisë celulare do të fillojë nga puna, brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, -sqaron ministri i Telekomunikacioneve, duke shtuar se pas dorëzimit të kësaj licence, Albtelekom nuk ka asnjë pengesë ligjore për të filluar nga puna si operatori i tretë celular. Megjithatë, ministri sqaron se nuk është e lehtë që “Eagle Mobile” të fillojë aktivitetin, pasi ai do të ndikojë në të gjithë tregun e brendshëm të komunikacioneve . “Albtelekom do të fillojë këtë aktivitet me tarifa më të ulëta, sesa dy operatorët e tjerë celularë, “Albania Mobile Communication” dhe “Vodafon Albania”, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në tarifat, që do të ofrojnë më pas këta dy operatorë”, -theksoi ministri.
Operatori i 3-të celular
Albtelekom pasi ka regjistruar në gjykatë shoqërinë e re të telefonisë së lëvizshme, pritet që brenda tre ditësh të marrë nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve licencën përfundimtare. Operatori i tretë i telefonisë celulare do të hyjë në treg me tarifa më të ulëta, duke bërë të mundur që brenda një periudhe të shkurtër të thithë 100-150 mijë abonentë nga “Albania Mobile Communication” dhe nga “Vodafone Albania”, -pohojnë pranë Albtelekom. Ato sqarojnë se nëpërmjet shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese, kostoja e shërbimit celular do të jetë më e ulët. Kompania e re celulare pritet që të luajë në treg me tarifa tepër të ulëta më krahasim me dy operatorët e tjerë, duke ngjallur kështu më shumë konkurrencë, si dhe uljen e çmimeve në treg. Specialistët pohojnë se Shqipëria mbahet si një nga vendet me tarifa më të larta të telefonisë celulare në rajon, por edhe në Europë, edhe pse niveli i jetesës është më i ulët. Sipas tyre, kjo vjen sepse në tregun shqiptar operojnë vetëm dy kompani, të cilat mbajnë pothuajse të njëjtat çmime, duke mos ofruar tarifa më ekonomike për klientët e tyre.
Si lindi “Eagle Mobile”?!
Albtelekom në 24 tetor të këtij viti regjistroi si person juridik në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë shoqërinë e re “Eagle Mobile”, në formën e shoqërisë anonime pa ofertë publike. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Albtelekomit pohojnë se ky institucion zotëron 100 për qind të aksioneve të operatorit të tretë të telefonisë celulare dhe është në pritje të licencës së Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT). “Presim nga ERT për të marrë licencën, duke zbatuar në këtë mënyrë tërësisht kuadrin ligjor për këtë shoqëri”, -pohojnë pranë Albtelekomit, duke shpjeguar se tashmë është hartuar edhe plan-biznesi i shoqërisë së re “Eagle Mobile”. Në këtë plan-biznes janë vënë në dukje kapacitetet ekzistuese të Albtelekomit, studimi mbi plan-marketingun ku përshihen studimet objektive, zonat e mbulimit, analiza e konkurrentëve, plani strategjik për arritjen e objektivave, si dhe marrëdhëniet me operatorët e huaj GSM.
Investimi për operatorin e tretë
“Në fazën e parë ne mendojmë që të investojmë 15-20 milionë euro, të cilat do të përpiqemi t’i sigurojmë përmes një kredie afatmesme ose nëpërmjet burimeve të brendshme të Albtelekomit”, -pohojnë zyrtarë pranë Albtelekomit. Sipas tyre, në fazën e parë parashikohet që të realizohet mbulimi i ultësirës perëndimore të Shqipërisë, si dhe disa qytete kryesore të vendit, ku synimi ynë është që të shkojmë në 100 mijë abonentë. “Futja sa më shpejt në treg është detyra kryesore e Albtelekomit, sepse shpejtësia është një pjesë e rezultatit që ne mund të arrijmë në konkurrencë me dy operatorët e tjerë”, -sqarojnë drejtuesit. “Eagle Mobile” do të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të Albtelekomit, duke pasur mundësi që kostoja e shërbimit celular të jetë më e ulët. “Operatori i tretë celular do të funksionojë si të gjithë operatorët e tjerë, me klientë me kontratë dhe me kartë të parapaguar. Asnjë ndryshim nuk do të ketë mes operatorëve AMC dhe “Vodafone”, përveç tarifave, të cilat do të jenë më të ulëta”, -sqarojnë pranë Albtelekomit.
Tarifat
Poçi: “11 variante për tarifat e reja të Albtelekomit”
Specialistët e Albtelekomit kanë propozuar 11 variante të reja tarifash për telefoninë fikse, duke paraqitur çmime më të ulura për abonentët familjarë. Kështu ka deklaruar dje ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, në një konferencë për shtyp. Ai u shpreh se “janë gati për diskutim 11 variante të kombinuara tarifash, nga të cilat do të zgjidhet varianti më i përshtatshëm”. Sipas ministrit Poçi, këto variante janë të gjitha në përputhje me orientimet e qeverisë, të shprehura në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Politikave Ekonomike. Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekomit, do ta saktësojë këtë problem dhe brenda kësaj jave do të vendoset për tarifat e reja.
Krijoni Kontakt