Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Ne, amerikanët që shpëtuam gjatë Operacionit të Dimrit në Shqipëri » Vendosur: 08/11/

    Ne, amerikanët që shpëtuam gjatë Operacionit të Dimrit në Shqipëri

    » Vendosur: 08/11/2009 - 12:41


    Mal Berisha

    Në një ditë si kjo e sotmja, më 8 nëntor 1943 një ngjarje e zakontë për Luftën e Dytë Botërore por e pazakontë për dëgjuesin e sotëm futi në analet e historisë së marrëdhënieve Shqipëri - Amerikë njërën nga ndodhitë më interesante, më të habitshme, më dramatike, më të shkëlqyera, por edhe me fundin më fatlum, falë virtytit shqiptar të besës dhe mikpritjes...Kjo ngjarje shënoi rastin e parë dhe të fundit në historinë e Luftës së Dytë Botërore që një ekip infermierësh, ushtarakësh dhe pilotësh amerikanë të rrëzoheshin me avion në një zonë të okupuar naziste gjermane dhe të shpëtonin. Kjo ndodhi pikërisht në Shqipëri dhe u pasua nga një sagë dy mujore përpjekjesh për të shpëtuar në një udhëtim të pashembullt në këmbë ose me mushka nëpër fshatrat jugore nga Peshtani i Beratit deri në Korçë e kthim në Gjirokastër dhe Vlorë.

    “Zbarkimi” i amerikanëve në Berat.

    Infermierja amerikane Agnes Jensen, bashkë me dymbëdhjetë infermiere të tjera, në mëngjesin e datës 8 nëntor 1943 ngjiti shkallët e aeroplanit C 53D, i cili do të transportonte Njësinë Mjekësore 807 të Evakuimit Ajror që vepronte në prapavijë. Fluturimi filloi në orën 09.00 në Katanja, Itali për të ateruar në Bari. Pas një nisje të qetë dhe të zakonshme pilotët hasën në një mot të keq, i cili ngriu krahët e avionit duke e vështirësuar drejtimin e tij. Në një luftë me ajrin, herë nëpër re e herë ne qiell të pastër, herë me krahë të ngrirë që nuk lejonin drejtimin e avionit e herë të shkrirë në zona të paorientuara, ata u sollën sa mbi Itali e sa mbi Detin Adriatik dhe më vonë mbi Shqipëri. Sikur të mos mjaftonte moti i keq i asaj dite, një mospërputhje e parullës ditore të përdorur nga Kulla e Drejtimit të avionëve amerikanë në Bari dhe kontraparullës që kishin marrë pilotët e vështirësoi uljen e tyre në pistë. Kjo shtoi rrezikun e një përplasje fatale të avionit. Pas një odiseje të tmerrshme prej pesë orësh, kur pasagjerët dhe ekipi humbën çdo shpresë ulje të rregullt në tokë, pilotët bënë një tentativë ulje diku në Shqipëri, në një fushë fluturimi avionësh pa ditur se ku ishin. Shumë shpejt, pak para zbritjes, dalluan se do të uleshin në një fushë ajrore të kontrolluar nga forcat pushtuese ushtarake gjermane. Pilotët hoqën dorë nga kjo tentativë dhe u ngritën përsëri për të bërë më pas ulje të detyruar në një arë të korrur misri diku në fshatin Peshtan, në malet midis Elbasanit dhe Beratit. Asnjëri prej tyre nuk dinte se në çfarë cepi të botës ishin përplasur. Pas asaj traume të tmerrshme lufte me vdekjen, gjëja e vetme që i ngushëllonte ishte fakti që ata dolën të gjallë dhe të padëmtuar nga avioni. Menjëherë ata e braktisën avionin në kërkim të identitetit të vendit ku kishin rënë dhe të mjeteve të tjera për t’u kthyer në bazën nga ishin nisur. Ndërkohë, mësuan se ishin në Shqipëri dhe se jo larg tyre gjendeshin gjermanët ballafaqimi me të cilët do të kishte pasoja fatale për ta.

    Udhëtim biblik nëpër Shqipërinë e Jugut.

    Miqtë amerikanë kishin rënë në fshatin Peshtan dhe aty u vendosën në një shtëpi, e cila me gjithë varfërinë e madhe që kishte, i strehoi dhe i ushqeu. Amerikanët panë me sytë e tyre një varfëri ekstreme dhe një jetë të vështirë, por edhe virtytin e këtyre njerëzve. Për të ushqyer tridhjetë vetë mjaftoi vetëm një ká zgjedhe të cilin të zotët e sakrifikuan për ta pa asnjë shpërblim. Pas dy ditësh qëndrimi turma e amerikanëve bëri një hyrje “spektakolare” në qytetin e Beratit, i cili ishte nën kontrollin gjerman. Këta njerëz të dëshpëruar në fillim u morën si pjesëtarë të forcave aleate dhe tërë qyteti u gëzua për “zbarkimin” e tyre. Por shpejt gëzimi i ardhjes së tyre u shua dhe vendin e tij e zuri kujdesi njerëzor i manifestuar në këtë qytet edhe për të huaj të tjerë e veçanërisht për hebrenjtë e asaj kohe që po ashtu mbroheshin nga beratasit prej gjermanëve. Qyteti ishte kthyer në një strehë për hebrenjtë që po mblidheshin nga vende të ndryshme të Evropës. Pas disa ditësh në qytet, të frikësuar se mos zbuloheshin nga gjermanët dhe të ndihmuar nga banorët e qytetit ata u larguan thuajse nëpër këmbët e gjermanëve për në jug të qytetit drejt Malit të Tomorrit. Një pjesë e tyre e vogël u nda nga turma dhe u detyrua të mbante drejtim tjetër ndërsa tre infermiere mbetën në qytetin e Beratit. Udhëtimi i tyre kap një trajektore të gjatë prej afro 1300 kilometra rrugë. Ajo është aq e gjatë sa të shkohet nga Tirana në Izmir të Turqisë në këmbë ose me kafshë. Amerikanët kaluan nga fshatrat e Beratit drejt Skraparit. U ngjitën deri në lartësitë e Malit të Tomorrit, udhëtuan nëpër Matishevë, Bargullë, Dobrushë, Vërzhezhë, Leshnjë, Lovdar, Krushevë… Kaluan Lumin Osum, pastaj vazhduan nëpër Malind, Odriçan, Përmet, Lumin Vjosa, Malin e Nemërçkës, më pas u kthyen për në perëndim drejt Gjirokastrës, Sheper, Mashkullorë, Zhulat, Progonat, Golem, Kalonjë, Dhoksat e më pas ecën drejt Kuçit, Kallaratit. Në fund të udhëtimit të tyre u drejtuan nga bregdeti drejt Dhërmiut, Vunoit, Dukatit, Tërbaçit për tek Gjiri i Elefantit në Karaburun nga ku ata me ndihmën e shërbimeve të fshehta angleze arritën të ktheheshin në Itali.

    Retrospektiva e Agnes Jensen

    Për vite me radhë kjo ngjarje kaq interesante mbeti e patreguar jo vetëm në Shqipëri, por madje edhe në Amerikë. Kronikania e ngjarjes, infermierja Agnes Jensen, sot 93 vjeçe me banim në shtetin Kentaki në SHBA, thotë se deri në vitin 1985 nuk e tregonte ngjarjen ose e tregonte në rrethe shumë të ngushta, pasi kishte dëgjuar se njerëzit që kishin ndihmuar ata, pas luftës ishin ndëshkuar rëndë; disa ishin pushkatuar e disa internuar ose izoluar politikisht. Pas vdekjes së diktatorit shqiptar, 1985, thotë se filloi ta tregonte ngjarjen dhe në vitin 1995 ajo i botoi kujtimet në formën e një tregimi lufte të mbushur me aq shumë përshkrime interesante, ku jepet një tablo e pakrahasueshme e realitetit shqiptar të kohës së luftës. Zonja Jensen ngre lart vlerat e popullit shqiptar dhe në mënyrë tepër unike ajo shpjegon se si këta 30 njerëz në rrezik, bij të kombit të madh amerikan, në ditë të vështira të jetës së tyre, të kërcënuar sa nga gjermanët aq edhe nga vështirësitë e dimrit, uria, izolimi dhe skamja, u pritën dhe u mbrojtën nga shqiptarët e varfër. Ata u mbrojtën, strehuan, ushqyen njësoj mirë, si nga partizanët ashtu edhe nga ballistët shqiptarë, tregon Agnes Jensen.

    Miqësia shqiptaro-amerikane në faqet e një ditari

    Gjatë tërë kohës në kërkim të evakuimit, Agnes Jensen mbajti një ditar ku jo vetëm shënoi gjithçka që ndodhi, që më vonë ta botonte, por mësoi shumë edhe për historinë e Shqipërisë.

    Ajo thotë në librin e saj Shpëtimi nga Shqiptarët, kushtuar kësaj ngjarje: “Në vitin 1943 Shqipëria konsiderohej vendi më i varfër dhe më i prapambetur në Evropë. Tre të katërtat e 28.000 kilometrave katrore të këtij vendi përbëhen nga një terren malor me përrenj të panumërt si dhe pesë lumenj kryesorë që e ndajnë vendin në disa zona. Jul Çezari në vitin 48 para erës së re komentoi në zhurnalin e tij se kalimet e lumenjve ishin pengesat kryesore për ushtrinë e tij romake. Përkrah vijës së ulët dhe të rrezikshme bregdetare, në dimrin e vitit 1943 – 44, kishte vetëm një gji të sigurtë dhe një port, që të dy nën kontrollin nazist. Me vetëm 45 kilometra rrugë të shtruara në Shqipëri, të shumtën e rrugës njerëzit e bënin në këmbë ose me kafshë. Vetëm ca shtëpi kishin elektricitet ose ujë të rrjedhshëm brenda dhe ushqimi ishte i pamjaftueshëm. Për personelin e njësisë ajrore të evakuimit mjekësor, i cili u nis për një mision rutinë, ulja e paplanifikuar në Shqipëri duhet të jetë dukur si rënia e një pike loti mbi perden e errët të kohës. Kushdo që do të kurthohej në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore siç ndodhi me ne, do të ballafaqohej jo vetëm me ashpërsinë e motit dhe topografinë e thyer por edhe historinë e komplikuar dhe shpesh brutale të këtij kombi të pushtuar. Do të ishte e pamundur të udhëtohej nëpër atë vend dhe të mos hasesh në çdo hap në historinë e tij. Si një vend i gjendur në kryqëzimet gjeografike të shumë kulturave, Shqipëria ka pasur një të kaluar kaledioskopike duke iu alternuar kufijtë, fetë dhe gjuhët në përgjigje të trajtimit agresiv të ndërmarrë prej fqinjëve të saj të fuqishëm dhe ambiciozë. Fillimisht e identifikuar si shoqëri fisnore e kohës së bronzit, shqiptarët, luftëtarë të paepur, u ruajtën në rrjedhë të shekujve nga dominimi grek dhe romak dhe valë pas vale pushtimeve të visigotëve, hunëve, ostrogotëve, sllavëve, serbëve dhe normanëve. Pas afro pesë shekujsh qeverisje otomane Shqipëria doli në epokën e pas luftës së Parë Botërore me një dëshirë për vetëqeverisje, por me një popullatë të goditur rëndë nga varfëria, analfabetizmi dhe dallimet fisnore e fetare që kanë provuar të jenë pengesa në rrugën e unitetit kombëtar dhe bashkë-ekzistencës paqësore. Ndonëse Shqipëria e shpalli pavarësinë në vitin 1912, qeveria kombëtare e dalë prej saj nuk arriti të bënte më të mirën për vendin e vet për shkak të luftës botërore. Ushtritë e huaja e pushtuan ose kaluan nëpër territorin e saj. Grekët dhe italianët kishin qëllim ta ndanin Shqipërinë nëpërmjet Traktatit të Fshehtë të Londrës në vitin 1915 i cili u ndalua të zbatohej nga Traktati i Versajës falë mbështetjes së fortë që Presidenti Amerikan Uillson i bëri pavarësisë së Shqipërisë. Italia pasoi Greqinë në tërheqjen nga Shqipëria. Kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve përpjekjet për stabilitet sikur u përmbushën. Duke kaluar më se dy muaj nëpër Shqipëri në kushtet më të vështira të imagjinueshme, ajo mëson edhe se çfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën: Në një bisedë me Kostaq Stefën, autorja pyet se a kishte ndonjë arsye pse shqiptarët kishin një dëshirë kaq të madhe për t’i ndihmuar ata, amerikanët e rënë aq rastësisht në atë tokë dhe pse u gëzuan aq shumë kur na panë? Dhe Kostaqi i përgjigjet: “Populli ynë ka pritur një kohë të gjatë që amerikanët të na dërgojnë ndihma që ne pastaj të luftonim më mirë kundër gjermanëve. Kur u përhap fjala se ju keni ardhur, njerëzit menduan se zbarkimi i amerikanëve kishte filluar…”. “Populli im e ka parë gjithmonë vendin tuaj me respekt për qëndrimin që mbani ndaj demokracisë”, vazhdoi ai. “Ne madje kemi edhe një port me emrin Porti Uillson në nderim të njërit prej presidentëve tuaj”. “A ka një arsye të caktuar që ju keni zgjedhur Presidentin Uilson” pyeti Vilma? “Ai ishte i vetmi person i cili foli për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve kur dukej se vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë. Ne madje e ndjemë se ai e kuptonte edhe dëshirën e një kombi të vogël për liri”, shpjegoi ai.

    Tre infermieret që mbetën në Berat

    Ndërkohë që dy grupe amerikanësh kishin vijuar rrugën drejt jugut, tre infermiere mbetën në Berat dhe i humbën lidhjet me shokët e tyre. Ato qëndruan të strehuara në një familje e cila kujdesej për çdo gjë për to. Mikpritësi i tyre dhe familja e tij, disa prej të cilëve flisnin anglisht, ishin pjesëtarë të Ballit Kombëtar dhe kishin shokë me influencë në atë parti madje njëri ishte edhe komandant i rëndësishëm. Ajo familje hapi një vrimë të madhe mes përmes murit të bodrumit që lidhte shtëpinë e tyre me atë të kushëririt të vet. Kur u hap fjala se tre gratë amerikane kishin ikur, atyre iu dha mundësia të fshiheshin në shtëpinë e kushëririt, sa herë që kjo iu nevojitej duke kaluar nga ajo vrimë. Gjatë qëndrimit në atë shtëpi tre infermiereve nuk u mungoi as ushqimi, as rehatia dhe me ndihmën e fjalorit shqip-anglisht ato arritën të komunikonin me pjesëtarët e familjes. Koha po kalonte dhe një ditë nga dëshpërimi i thanë të zotit të shtëpisë se nuk po bënte sa duhej për t’i evakuuar ato. Familja, për t’i bindur ato për përpjekjet që po bëheshin sollën edhe një herë komandantin që t’u dëshmonte për atë që po ndodhte. Me 15 mars 1944, erdhën tek shtëpia dy anglishtfolës dhe iu treguan atyre planin e shpëtimit. Grave iu vunë emra shqiptarë, iu dhanë fletë kalimi me fotografinë e tyre, iu dhanë rroba në stilin e tyre me ornamente karakteristike kombëtare shqiptare përfshirë edhe shaje të zinj, të gjatë, për të mbuluar kokën dhe pjesë të fytyrës.

    Amerikanë dhe hebrenjtë në Berat

    Në këtë kohë kur pasagjerët e avionit amerikan C 57 D ishin në Berat, ky qytet kishte plot hebrenj të ardhur për të shpëtuar nga Holokausti. Kjo e bën këtë histori të rrallë të ngjashme si në kohë ashtu edhe në qëndrimin e shqiptarëve ndaj mikut dhe njeriut në nevojë. Ndryshimi është vetëm se, ndërsa hebrenjtë u joshën, u pritën, u mbrojtën dhe shpëtuan, amerikanët ranë rastësisht në truallin shqiptar por populli shqiptar dëshmoi të njëjtën përkujdesje, bujari dhe fisnikëri për të dyja palët. Duke ju rikthyer kujtimeve të atyre ditëve Agnes Jensen Margerich shkruan: “Është absolutisht e mahnitshme se si këta njerëz do të ndanin me ne atë pak gjë që kishin për vete… Ne duhet t’u jemi dukur atyre si një tufë karkalecash që zbrisnim nga një fshat i tyre në tjetrin. Jam e sigurtë se në të shumtën e rasteve ata na kanë ushqyer me zahiretë e dimrit që kishin rezervuar për vete për dimrin e gjatë që i priste. A mund të imagjinoni tridhjetë vetë që të trokasin në derën e shtëpisë në Amerikë dhe të kërkojnë ushqim? Të kërkojnë ushqimin e vënë mënjanë për familjen tënde! Shtoji kësaj edhe rrezikun që iu kanosej për t’u ekzekutuar për dhënie ndihme dhe strehim këtyre njerëzve të luftës! Është vërtetë një mrekulli që këta shqiptarë, të cilët kishin kaq pak për vete ishin të gatshëm të rrezikonin kaq shumë për tridhjetë njerëz që as i njihnin, as i dinin dhe as që prisnin se do t’i shihnin më kurrë në këtë jetë…”

    Magerich në Shqipëri pas 62 vjetësh.

    Në vitin 1995, e shoqëruar nga djali i saj Joni dhe e bija Karen, infermierja e mbijetuar Agnes Jansen Magerich vizitoi Shqipërinë. Ajo vajti në shtëpinë e Kostaq Stefës dhe foli gjatë me të vejën e tij. Kostaqi ishte ekzekutuar prej komunistëve në një burg afër Beratit në vitin 1947. Ajo mësoi gjithashtu se djali i madh i tij, Alfredi, të cilit ajo i kishte dhuruar diçka nga krahët e avionit ishte i sëmurë rëndë në spital. Ditën tjetër ai vdiq para se Agnes të arrinte ta shihte edhe një herë. Ajo flet me dashuri, edhe sot për shqiptarët, për partizanë dhe ballistë, për njerëz që takoi në atë udhëtim legjendë, për Hasanin nga Peshtani, Për Kostaqin dhe të shoqen, të birin Alfredin, për Hodo Meton e Qani Sigacën, për Kadri Cakranin, Skënder Muçon dhe Xhelil Çelën…

    panorama
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,636
    Na ke shkrehur ne vajë me kete shkrim o xhuxhumaku, shkelqyeshem;

    Per ata qe deshirojne dhe njohin anglishten qe nje lidhje e plote e ketij ditari;
    Me habit pse Spilberg nuk ka bere nje film sipas kesaj ngjarje, megjithate duhet te behet, njeherit te perkthehet ne shqipe ky liber...teper interesante.
    Kjo Anjesa me duket si ajo e shpetura nge "Titanik"...me lote do lexohej ky liber tek ne por edhe si flm edhe m teper...




    http://www.google.com/books?id=jUqWN...age&q=&f=false

    http://www.google.com/books?id=jUqWN...page&q=&f=true
    Ndryshuar për herë të fundit nga Kreksi : 12-11-2009 më 03:57
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,636


    Udhtimi qe pershkuan neper Shqiperi....



    Ndryshuar për herë të fundit nga Kreksi : 12-11-2009 më 04:16
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •