Intervistë me dr. Luan Topçiun në Bukuresht

„Shqiptarin“ e konsiderojmë si një tribunë të rëndësishme për afirmimin e shpirtit shqiptar në veri të Danubit“




--------------------------------------------------------------------------------

18 dhjetor 2003 / TN
Intervistoi, Xhevat UKSHINI
Intelektualiteti rumun ka nevojë për referime, edhe nga vepra e Kadaresë. Gjithmonë e kam konsideruar si parësore në preokupimet e mia, studimet mbi letërsinë. Sprovat letrare dhe marrja me studime mbi letërsinë në një gjuhë të huaj, më ka bërë ta ndjej si një detyrim, përkthimin e letërsisë së vendit nga vij. Autorët e letërsisë shqiptare që kam përkthyer gjatë këtyre viteve në Rumani janë të shumtë. Sipas disa statistikave të përafërta, jashtë Shqipërisë së brendshme dhe asaj të jashtme, jetojnë afërisht 12 milionë shqiptarë etnikë, duke i përfshirë këtu, edhe shqiptarët e asimiluar. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, sidomos kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999). “Shqipëria XXI“ është një një produkt i ri i pasuniversitarëve shqiptarë të Rumanisë, një formulë që vendin e saj e ka në hapësirat shqipfolëse, sepse është konceptuar në gjuhën shqipe, me ambicje dhe dëshira të mëdha, për të krijjuar një tribunë me një frymë të qartë properëndimore, me pasqyrimin e vlerave filozofike, letrare, eseistike, të mendimtarëve më të shquar shqiptarë dhe të huaj.
Eseist, piktor, përkthyes, leksikograf, profesor universitar, nënkryetar i parë i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. U lind para 40 vitesh (22/2/1962), në Pogradec. Studimet e larta albanistike i kreu në Tiranë (1987). Gjatë vitit universitar 1989-1990 kryen një kurs pasuniversitar për Gjuhësi e Stilistikë (Universiteti i Tiranës). Më 1995-1996 kreu një kurs pasuniversitar (master) pranë Universitetit të Bukureshtit (Katedra e Teorisë së Letërsisë dhe Letërsisë së Krahasuar). Në kuadrin e Universitetit të Bukureshtit (Katedra e Letërsisë së Krahasuar), para dy vitesh përfitoi titullin “doktor i shkencave filologjike” (Magna cum laudae) duke mbrojtuur me sukses të lartë, tezën e doktoratës „"Ndjenja e mallit në poezinë popullore dhe të lavruar shqiptare e rumune".
Është pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin e Bukureshtit, kryeredaktor i revistës së Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë „Shqiptari/Albanezul“, si dhe kryredaktor i revistës universitare me konotacione perëndimore „Shqipëria XXI“. Në Bukuresht, Tiranë dhe Shkup, ka botuar librat me studime: “ Ndjenja e mallit tek Asdreni, Poradeci, Kuteli”(1999), “Tekstualizëm dhe stil” (2000), “Përmasa moderne në letërsinë shqipe”(2001). Është koautor i veprës monumentale „Fjalorit shqip-rumanisht“ (2003), i një doracaku për përvetsimin e shqipes dhe të rumanishtes „Ghid de conversatie albanez-roman“ (2002), përkthes i Kadaresë në gjuhën rumune, si dhe i një serë librash të përkthyer nga shqipja në gjuhën rumune dhe anasjelltas.
Xh. Ukshini: Zoti Topçiu! Kohë më parë, në kuadrin e ambasadës shqiptare të Bukureshtit, u promovua fjalori voluminoz “Shqip-Rumanisht”. Ju jeni njëri nga tre autorët e tij. Cila është rëndësia e kësaj vepre leksikografike, dhe si është pritur ajo nga publiku rumun?
Luan Topçiu: Nuk është aq lehtë të flasësh për veprën tënde, ngase ekziston nevoja për mirëkuptim dhe modesti. Fjalori Shqip-Rumanisht është i pari fjalor dygjuhësh i tipit akademik, me rreth 40.000 fjalë, dhe me rreth 55.000 shprehje, proverba, idioma etj. Është një monument që ofron një gamë të gjërë termash, nga të gjitha lëmitë e dijes dhe veprimtarisë njerëzore, fjalë të vjetra, që hasen vetëm në letërsinë orale, krahinarizma, arkaizma, neologjizma, që kanë depërtuar në shqipen e sotme në dhjetëvjeçarët e fundit.
Në historinë e leksikografisë shqipe dhe asaj rumune, ka munguar një vepër e këtillë. Nga gjysma e dytë e shekullit të XX, në historinë e leksikografisë së të dy popujve, seria e fjalorëve dygjuhësh po plotësohej. Kështusoj, u botuan një sërë fjalorësh, qoftë të gjuhëve të qarkullimit ndërkombëtar, qoftë të gjuhëve më të vogla. Mungesa e këtij fjalori bëhej dhe më i pakuptimshëm, po të kemi parasysh veprimtarinë e shoqërive shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Rumani, si dhe interesin e vjetër të studjuesve te huaj, shqiptarë e rumunë, mbi historinë dhe origjinën e këtyre dy gjuhëve.
Fjalori është pritur me kërshëri të madhe nga një grup i madh të interesuarish, studjues, studentë, përfaqësitë diplomatike nga të dyja krahët, rumunë me origjinë shqiptare, lexues të thjeshtë, etj. Në promovimin e tij morën pjesë personalitete të shquara të jetës kulturore dhe universitare të Rumanisë, diplomatë dhe përfaqësues të diasporës. Fjalën e rastit e mbajti prof. universitar, dr. Grigore Brancus (Brënkush), gjuhëtar i shquar rumun, albanolog me kontribute të jashtëzakonshme në fushën e relacioneve linguistike rumuno-shqiptare. Marrëdhëniet midis këtyre dy gjuhëve janë parë me interes të posaçëm nga pothuajse të gjithë gjuhëtarët që i ka preokupuar shqipja dhe rumanishtja në kuadrin e gjuhësisë ballkanike, që nga Hahni, N. Jokli, G. Weigandi, A. Philipides, Thunman, Xhuvani, Çabej, Demiraj, Brënukush, etj. Por, kam bindjen se fjalori do të luajë një rol të dobishëm dhe për ata që merren me folklor, etnografi, antropologji etj. Fakti që fjalori është botuar në Shtëpinë Botuese më të madhe të këtij vendi, e cila disponon një sistem të gjërë e të shpejtë të shpërndarjes së librit, bën që gjuha shqipe të hyjë në vemendjen e lexuesit rumun, të kapë vlerën dhe rëndësinë që i takon. Eshtë një vepër për të cilën janë shkrirë disa dekada, një punë kolosale që ka kërkuar vetëmohim, përgjegjësi profesionale dhe shumë durim.
Xh. Ukshini: Ju jeni njëkohësisht edhe kryeredaktori i dy revistave të rëndësishme që sot botohen në kryeqytetin rumun, i revistës “Albanezul-Shqiptari” dhe i revistës universitare “Shqipëria XXI”. A do të mund të na flisnit diçka për historikun, përmbajtjet që trajtojnë dhe fizionomitë e këtyre revistave?
Luan Topçiu: „Shqiptari“ i Bukureshtit është një organ shumë i rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar. Krijimi i tij daton në vitin 1888, themeluar nga Nikolla Naço si organ i shoqërisë Drita. Botimi i kësaj gazete si dhe aktivimi i shoqërive kulturore e patriotike shqiptare të Rumanisë, roli i të cilave në historinë politike dhe kulturore të vendit tonë është një fakt tepër i njohur, do të vazhdonte deri më 1953, vit kur do të ndaloheshin në mënyrë abuzive nga regjimi komunist i atëhershëm. Pas Revolucionit të Dhjetorit të 1989-ës dhe instalimit të një regjimi demokratik, në Rumani u krijuan të gjitha mundësitë për të rimarrë traditat e këtij komuniteti. Në këtë kontekst, falë prof. Xhelku Maksutit, do të dalë në dritë dhe do të vazhdojë traditën revista „Albanezul“ (Shqiptari), seria e re e „Shqiptari-t“ të Naços. Në faqet e tij, pasqyron në rradhë të parë jetën e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, organ i së cilës është, si dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Ai pasqyron, gjithashtu, evenimente të mëdha politike e kulturore që ndodhin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe hapësirën shqiptare në përgjithësi. Revista është dygjuhëshe, rumanisht dhe shqip.
Versionin rumanisht e konsiderojmë si tejet të rëndësishëm për afirmimin e shpirtit shqiptar në vero të Danubit, për njohjen e kulturës shqiptare prej lexuesve rumunë. „Shqipëria XXI occident“ është një revistë politiko-kulturore, një revistë e lirë që financohet nga vetë redaksia dhe shpërndahet falas, një produkt i ri i pasuniversitarëve shqiptarë me studime në Rumani dhe në Sh.B.A, Kanada etj. Eshtë një formulë që vendin e saj e ka në hapësirat shqipfolëse, sepse është konceptuar në gjuhën shqipe. Ambicjet janë shumë të mëdha, dëshira e gjithë ekipit është të krijojmë një revistë elitare, me një frymë të qartë properëndimore, ku të gjejnë pasqyrimin e tyre mendimet filozofike, letrare, eseistike të mendimtarëve më të shquar shqiptarë, perëndimorë e më gjërë.
Xh. Ukshini: Në Bukuresht vepron që prej shumë vitesh edhe letrari, publicisti, përkthyesi dhe veprimtari nga Shipkovica e Tetovës, z. Baki Ymeri, i cili po ashtu është i lidhur me gazetën që drejtoni Ju. Si do ta karakterizonit atë në 55 vjetorin e lindjes dhe 33 vjetorin e veprimtarisë kulturore e kombëtare?
Luan Topçiu: Me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri, njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh. Aktualisht ai është sekretar i përgjithshëm i gazetës “Shqiptari”. Zëri i tij është i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare, sepse mendoj se ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare të atdhetarizmit, dhe është një gazetar aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike, e më gjërë. Në 55 vjetorin e tij do të ishte mirë që gjithkush nga ne të kujtohemi për një jetë të shkrirë për shqiptarizëm, për të mbledhur qindra materiale arkivore mbi të kaluarën e komunitetit shqiptar në Rumani, për të botuar mbi njëmijë artikuj mbi diasporën shqiptare, për një njeri që jetën personale e ka shkrirë në funksion të kulturës kombëtare. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës, në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999).
Xh. Ukshini: Mitrush Kuteli njihte dy Shqipëri, Shqipërinë e brendshme, torzon londineze, dhe atë të jashtme, viset shqiptare nën sovranitetin e shteve fqinje. Ju këtyre dy koncepteve kulturore dhe politike iu keni shtuar edhe Shqipërinë e tretë, atë të diasporës shqiptare. Çka mund të bëjë kjo Shqipëri e tretë që shqiptari të mos ndihet i poshtëruar, i nëpërkëmbur, i dyshimtë dhe i përbuzur?
Luan Topçiu: Sipas disa statistikave të përafërta, jashtë Shqipërisë së brendshme dhe asaj të jashtme, jetojnë afërisht 12.000.000 shqiptarë etnikë, prej tyre, fatkeqësisht, shumë të asimiluar. Nuk mund të neglizhohet kjo sasi numerike, por dhe cilësisht, sepse kultura shqiptare i detyrohet ndihmesës madhore të shqiptarëve që kanë jetuar jashtë trojeve. Akëcili, që ka një ndjenjë të qartë identiteti, mund të ndihmojë për ngritjen e imazhit të shqiptarit, si një qytetar i denjë europian, me bëma europiane, me akte europiane, me kulturë europiane, me sjellje europiane, me mbrojtje të vlerave të kontinentit ku jetojmë. Shpesh herë jemi viktima të një paragjykimi nga të huajt, shpesh jemi ne fajtorë për imazhin tonë. Eshtë e dëmshme të konsiderosh veten si mbipopull, as ta nënvleftësosh veten dhe të vuash nga kompleksi i inferioritetit. Populli ynë është dhe duhet të konsiderohet, prej nesh dhe prej të tjerëve, një popull normal, me nobelistët e vet, me heronjtë e vet, me artistët e vet dhe me pjesën më pak të nderuar të tij.
Revolucioni më i madh i një populli është të shohë në brendësinë e tij, ta pranojë e të luftojë për emancipimin e tij, të mbjellë tolerancën dhe mirëkuptimin ndaj popujve të tjerë, të emancipojë gruan, të ketë kujdes për rininë që të rritet e shëndetshme dhe e pastër shpirtërisht, me ndjenja të forta të identitetit etnik, por dhe të përkatësisë europiane e pro vlerave demokratike perëndimore. Duhen gjetur çelësat dhe mekanizmat e një programi e një lëvizjeje brenda nesh për modernizim të jetës, të mentalitetit, të ekonomisë, të kulturës, të shoqërisë civile. Ne, shqiptarët, në këtë kapërcyell mijëvjeçarësh, kemi fituar një pozitë shumë të favorshme, falë politikës e përkrahjes të vendeve demokratike perëndimore, një pozitë që nuk e kemi patur prej qindra vjetësh. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në tre vende (në Shqipërinë e brendshme dhe atë të jashtme, por dhe gjuha shpirtërore e “Shqipërisë së tretë”). Nuk duhet të harrojmë përkatësinë dhe shortin tonë gjeografik e shpirtëror europian, destinacioni europian është provokimi ynë dhe trofeja e fitores që e meritojmë plotësisht.

Xh. Ukshini: T`i kthehemi letërsisë. Rreth dy muaj më parë ishte në Rumani shkrimtari ynë Ismail Kadare. Kush e ftoi atë dhe si u prit ai në Rumani, nga lexuesi dhe kritika?

Luan Topçiu: Në mujin shtator të këtij viti, nën patronatin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, në Bukuresht dhe në Neptun, qytezë në breg të Detit të Zi, u mbajt festivali i dytë ndërkombëtar “Ditët dhe netët e letërsisë” (18-24 shtator). Ishin të ftuar një numër i madh shkrimtarësh nga vendi e bota, ndër të cilët edhe tre kandidatë të Çmimit Nobel për letërsi (Ismail Kadare, Amos Oz nga Izraeli, portugezi António Lobo Antunes, etj.). Vizita e Ismail Kadaresë u kthye në një eveniment kulturor dhe një rast i shkëlqyer për të kthyer vemendjen nga Shqipëria dhe shqiptarët. Pothuaj, të gjitha gazetat e përditshme i kanë kushtuar shkrime të gjata, intervista dhe referime veprës së Ismail Kadaresë. Nuk dua të relatoj për lexuesin e “Zërit” mungesat në fushën e organizimit të Festivalit, akordimit të çmimeve, thirrja e tre shkrimtarëve të nominalizuar për çmimin Nobel dhe akordimit të çmimit sipas një hierarkie “të dyshimtë”, e për mendimin tim, të panevojshme. Vlerësimin mbi Ismail Kadarenë po e sjell duke cituar një fragment nga fjala e Eugen Uricaru-t, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, me rastin e dorëzimit të Trofesë së Festivalit shkrimtarit tonë: “Si personalitet i përmasave botërore, Ismail Kadareja është njëri nga ato modele të rralla të suksesit, që u japin shpresë shkrimtarëve të gjuhëve të vogla, se do të arrijnë ndonjëherë, me talent, durim dhe fat, të mundin indiferencën natyrore të perandorive të mëdha gjuhësore.

Ismail Kadare ka arritur ta bëjë të njohur, madje edhe ta imponojë dhe përfitojë respektin dhe simpatinë e miliona njerëzve ndaj universit shqiptar...Romani i tij i jashtëzakonshëm Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i paralajmëroi krejt botës zbulimin e një bote që ekziston që nga kohërat e pakuptueshme, por që s’ishte e njohur. Jo përherë, mosnjohja u përket atyre që shikojnë, ajo mund të jetë edhe faji i atyre që presin të duket. Ismail Kadareja është ai që pat guxuar dhe arriti ta tërheqë vëmendjen ndaj botës së tij, të popullit të tij, të kulturës shqiptare, por derisa librat e tij, përmbi 50, qenë shkruar dhe botuar, derisa ato depërtuan në qarkullimin normal të kulturës ndërkombëtare, miliona njerëz e kuptuan se sa shumë gjëra, përfytyrime, ide, ndjenja, mungonin në universin në të cilin e ndjenin veten aq mirë dhe aq komodë. Botimi i Kadaresë në skenën e parë të kulturës botërore, ishte një sukses të cilin të gjitha letërsitë ballkanike, sidomos ajo rumune, e konsideronin si suksesin e vet. Ia kemi borxh Kadaresë krejt atë që u përket zbuluesve të tokave. Librat e tij e bënë botën më të gjerë, më përfshirëse, ndërsa letërsia botërore u pasurua me një dritë të re – me dritën shqiptare, drita që vjen nga Ballkani” (revista “22”, nr.707, f. 6).
Xh. Ukshini: Ju jeni njëri nga përkthyesit, por edhe njëri nga ata që ka shkruar mjaft në shtypin rumun për e veprën e Kadaresë.Cilat janë vështirësitë e një përkthyesi që përkthen nga shqipja në një gjuhë tjetër, në këtë rast në rumanisht?
Luan Topçiu: Për hir të së vërtetës është mirë që përkthyesi të përkthejë nga gjuha e huaj në gjuhën amtare. Në cilësinë e përkthyesit, unë bëj pjesë si një përjashtim nga rregulli. Por, duke pasur parasysh autorët shqiptarë që kam përkthyer në rumanisht paleta është bërë mjaft e gjërë. Mendoj se komunikimi mes kulturave është rruga më e sigurt për të siguruar miqësinë mes popujve. Njohja e kulturave gjegjëse dhe ofrimi i tyre nga njohës të mirë të gjuhëve përkatëse është një nevojë dhe përbën një domosdoshmëri. Si vend i vogël, atë që mund të ofrojmë më mirë të huajve, është kultura. Në këtë kontekst kam botuar një sërë studimesh dhe ese mbi veprën e Ismail Kadaresë në organet letrare qendrore të Rumanisë. Gjithmonë e kam konsideruar si parësore në preokupimet e mia studimet mbi letërsinë. Sprovat letrare dhe marrja me studime mbi letërsinë në një gjuhë të huaj më ka bërë ta ndjej si një detyrim përkthimin e letërsisë të vendit nga vij. Autorët e letërsisë shqiptare që kam përkthyer gjatë këtyre viteve në Rumani janë të shumtë, duke filluar me Mitrush Kutelin, e me pas Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Faik Konica, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Xhevair Spahiu, Agim Isaku, Visar Zhiti, Dhimitër Pojanku, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Bardhyl Londo, Resul Shabani, Eqrem Basha, Martin Camaj, Teuta Arifi, Murat Isaku, Shaip Emerllahu, Bashkim Shehu, Milianov Kallupi etj.
Përkthimet e letërsisë shqiptare fillojnë me libra autorësh dhe deri në cikle poezish apo novela, tregime, ese etj, të botuara këto në organet e shtypit të specializuar në Rumani. Kështu mund te veçoj novelën „E madhe është gjëma e mëkatit“ e Mitrush Kutelit, botuar në revistën prestigjoze „Secolul XX“, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, novelat „Qorrfermani“, si dhe „Piramida“ të Ismail Kadaresë janë botuar në „Contemporanul, idee europene“, vëllimi „Psalm“ i Visar Zhitit është botuar në Shtëpinë Botuese (Orient -Occident), vëllim i cili është konsideruar si një zbulim nga kritika rumune. Po kështu, kanë parë dritën e botimit në rumanisht novela të Ernest Koliqit, vëllime poetike të Resul Shabanit, Dhimitër Pojanakut, Milianov Kallupit, etj. Së fundi Shtëpia Botuese Polirom, një nga më të fuqishmet sot në Rumani, botoi romanin „Shkopi“ të Agim Isakut në koleksionin e shkrimtarëve më të mirë bashkëkohorë të Europës Qendrore. Botimi i këtij romani shënon një sukses të merituar të prozës moderne shqiptare. Prej disa vitesh punoj për përgatitjen e një antologjie të poezisë shqipe dhe jam në finalizim të saj eventualisht mund të përgatis dhe një antologji të prozës shqiptare.
Xh. Ukshini: Sa është i njohur Kadareja dhe letërsia shqipe në Rumani?
Luan Topçiu: Pa dyshim, Kadareja është autori më i lexuar, më i admiruar dhe më i njohur në këtë vend. Veprat kryesore të tij, janë të përkthyera në gjuhën e Emineskut, dhe vazhdojnë të botohen. Ajo që është më e rëndësishme, është fakti se lexuesi rumun e çmon shumë veprën e tij. Intelektualiteti rumunë, kanë nevojë për referime, edhe nga vepra e Kadaresë. Letërsia shqipe, gjithë e më shumë, bëhet më e njohur në Rumani, dhe atë falë numrit të madh të intelektualëve shqiptarë që jetojnë në këtë vend. Falë ekzistencës së Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë, numri i përkthimeve nga autorët shqiptarë është rritur. Shtëpitë botuese prestigjioze, janë duke i kushtuar një vemendje të posaçme letërsisë shqiptare. Sigurisht, kjo njohje është ende e pamjaftueshme. Letërsia shqiptare meriton më shumë, dhe ka çfarë të ofrojë. Shumë botime nga letërsia shqipe bëhen në tirazhe shumë të vogla, sa për t’u a dhuruar autorëve shqiptarë, që t’i ngopin me lugë të zbrazët, gjoja se po marrin pjesë në botë, me antologji apo vëllime. Përpos autorëve që marrin pjesë në to, askush nuk di gjë për daljen e librave të tyre. Eshtë një lojë e rrezikshme që kryhet për të fituar një kapital simpatie nga shkrimtarët “viktima”. Në fakt, as letërsia shqiptare, dhe askush nga autorët, nuk ka nevojë për një hipokrizi të këtillë editoriale.
Xh. Ukshini: A mund të na flisni diçka më shumë rreth veprimtarisë Suaj universitare?
Luan Topçiu: Jam prej disa vjetësh profesor bashkëpunëtor i Universitetit Shtetëror të Bukureshtit, ku jap ligjërata-seminare gjuhësie dhe një kurs praktik të gjuhës shqipe për studentët rumunë që ndjekin masteratin në specialitetin „historia dhe struktura e gjuhës rumune“, profesioni im i vërtetë mbetet letërsia e më konkretisht studimi i letërsisë. Jam specializuar në „Teori letërsie dhe letërsi të krahasuar“. Kam mbrojtur tezën e doktoratës në letërsi të krahasuar, me tezën: „Ndjenja e mallit në letërsinë popullore dhe të lavruar shqiptare dhe rumune“, një studim tematik krahësimtar i ndërtuar në disa rrafshe në dy letërsi lehtësisht të përqasshme, që janë zhvilluar në një terren historik të ngjashëm dhe pothuaj nën shenjën e të njëjtës matricë stilistikore.
Xh. Ukshini: Po studimet Tuaja në letërsinë krahasimtare?
Luan Topçiu: Letërsia e krahasuar mbetet një lëmi që meriton gjithë përpjekjet të zhvillohet gjërësisht. Letërsia krahasimtare është një shkencë në pjesën më të madhe franceze; me një të kaluar të shkëlqyer dhe perspsektiva të gjëra për të ardhmen. Letërsia e një vendi, krahas gjykimit brenda një gjuhe e kulture, duhet të bëhet e njohur dhe njëherazi të gjykohet në areale më të gjëra gjuhësore e kulturore. Në kuadrin e letërsisë shqiptare, zbulojmë kontakte me letërsi të tjera. Historia e letërsisë duhet të merret në mënyrë konstante me ndikimet, imitimet dhe huazimet. Duke studjuar letërsinë rumune kam zbuluar konkordanca me letërsinë shqiptare, qofshin ato në letërsinë orale apo të lavruar, veçanërisht ndër shkrimtarët që kanë pasur kontakte me këtë letërsi dhe që kulturalisht janë formuar në të. Kam botuar një libër dygjuhësh: “Sentimentul dorului la/ Ndjenja e mallit tek Asdreni, Poradeci, Kuteli”, FED, Bukuresht 1999, po kështu është në proçes botimi një libër tjetër që mund të inkuadrohet në letërsinë krahasimtare „Paradigmat e vetmisë në poezinë shqiptare dhe rumune“, „Cartea Universitara“, Bukuresht, një version të së cilës po e përkthej dhe në shqip.
Xh. Ukshini: Cili është statusi i kritikës letrare në historinë e kulturës? Cili është raporti i kritikës me veprën letrare? Si ndikon kritika në zvogëlimin apo rritjen e vlerës së veprës letrare?
Luan Topçiu: Në historinë e letërsisë botërore, kanë rezistuar më shumë shkrimtarët; kritikët, pavarësisht nga pozita e tyre e kohës, kanë humbur. Zëri i shkrimtarëve autentikë ka mbijetuar më mirë në kohë, ka më shumë jetëgjatësi dhe rezonancë më të gjërë sesa ai i kritikëve. Homeri, Sofokliu, Ovidiu, Dante, Shakespeare, Balzaku, Dostoievski mbeten më të njohur sesa Sainte-Beuve, Taine, Faguet, Mehring etj. Historia e letërsisë ka konfirmuar faktin se Virgjili nuk anulloi Homerin, Hugo-i nuk ka mënjanuar Corneille-n, apo Dostoievski-Balzakun, Migjeni-Lasgushin, Kadareja-Agollin etj. Historia e ideve demonstron megjithatë që Croce-ja ka ndihmuar në zvogëlimin e rëndësisë së Saint-Beuve-t, Lanson në atë të Taine-t e kështu me radhë. Në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX, si dhe sot, vihet re një dukuri e re në konceptimin e kritikës që e dallon këtë nga kritika që gjykon vetëm veprën letrare. Eshtë ajo që do të thotë Roland Barthes-i, i cili e ka shpallur në mënyrë publike dhe pa asnjë retiçencë se përçapja kritike, e konceptuar si një sistem subjektiv lëçitjeje, kap vlerat e një akti krijimi, që e transformon objektin që merr në analizë në një pretekst shpikjeje të një ligjërimi të ri, relativisht autonom. Një lojë e tillë e pastër e inteligjencës nuk mund të gëzojë një audiencë të gjërë publike, kritika fillon të shkruhet për kritikët apo për një grup shumë të vogël shkrimtarësh.
Xh. Ukshini: Në hapësirën shqiptare, vërejmë sot, shumë shkrime komentuese veçanërisht në shtypin e përditshëm dhe shpesh klasifikohen si „kritikë“. A e mbulon kjo kategori shkrimesh kritikën letrare të specializuar?
Luan Topçiu: Në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX, u bë një dallim i qartë midis kritikës së gazetave dhe kritikës si sistem; konfigurohen në radhë të parë dy gjuhë, dy mënyra të ndryshme trajtimi të tekstit letrar. Kritika e gazetave mbetet ajo me një gjuhë tradicionale ndërsa ajo me sistem modifikon në mënyrë të vazhdueshme gjuhën, në funksion me progreset e realizuara nga disiplinat nga merren hua konceptet bazale. Mendoj se në kritikën e shkruar në gjuhën shqipe mbetet problem kritika si sistem.
E para duket se ia ka zënë vendin të dytës dhe për pasojë një hallkë e dobët e proçesit letrar, sot në Shqipëri, mbetet kritika letrare. Kritika shqiptare, megjithë përparimet e bëra në këtë dhjetëvjeçar të fundit, mbetet ende anemike. Ndihet një çoroditje, shpesh kritika është klientelare, joprofesionale, kaotike, e paprinciptë dhe e kryer në më të shumtin e rasteve nga “gazetarë të kulturës”. Tekstet kritike nuk ndërtohen as me termat operacionalë të lëmisë, por kryesisht duke përdorur një gjuhë druri, me lavde ose fyerje, sharje e konsiderente ekstraletrarë e estetikë. Nuk mund të flasim për mungesë tradite në këtë lëmi, as për mungesën e njerëzve të shquar, as nga ndonjë rezultat sporadik, por, mendoj në përgjithësi, në vitet e fundit kritika jonë letrare është e asfiksuar nga provincializmi.
Kam përshtypjen se kritika shqiptare duhet të reformohet ende, të ndjekë procesin letrar dhe të risistemojë e të rishohë vlerat letrare të krijuara në kohë, për të dhënë më në fund mendimin e saj mbi hierarkinë kombëtare të vlerave letrare. Është një e drejtë legjitime dhe morale që brezi i ri i studjuesve duhet ta ushtrojë.
Xh. Ukshini: Në bazë të asaj që lexojmë e dëgjojmë, duket se jeni duke dhënë kontribute të larta, për ndërlidhjen e Shqipërisë me Rumaninë. Cila është perspektiva botuese, e zotit Topçiu?
Luan Topçiu: Po nga Shtëpia Botuese “Polirom”. bashkë me Ana Melonashin dhe Renata Topçiun, jemi duke e botuar edhe një fjalor tjetër, kësaj rradhe Rumanisht-Shqip, me rreth 50.000 fjalë-tituj, edhe i tipit akademik, me të njëjtën strukturë si ai Shqip-Rumanisht, që e pa dritën e botimit, në prag të Ditës së Flamurit (2003). Punimi i përfunduar ka hyrë në proçes botimi. Presi, të dalë një studim monografik (rumanisht), në Shtëpinë Botuese “Editura Universitara”. Është fjala për librin “Paradigmat e vetmisë në poezinë shqiptare dhe rumune”, pastaj një ribotim në Shqipëri, të monografisë mbi veprën poetike të Lasgush Poradecit (“Tekstualizëm dhe stil”). Punoj poashtu për pjesën e dytë të librit “Përmasa moderne në letërsinë shqiptare”, libër me studime dhe ese për letërsinë shqiptare. Jemi në përfundim, dhe po e përgatisim për botim librin “ Antologjia e poezisë shqiptare”, etj.
Ju faleminderit për këtë bashkëbisedim.

(Intervistën e realizoi: Xhevat Ukshini, redaktor i revistës Albanische Hefte, )