Topçiu, nderlidhesi i letërsise shqiptaro-rumune
Nga Bukureshti, Fatmir Struga
Kohët e fundit doli në qarkullim në Bukuresht libri dygjuhësh i dr. Luan Topçiut “Oglinzi literare/Pasqyra letrare” nga shtëpia botuese “Privirea”. Libri përmban studime të ndryshme mbi letërsinë shqiptare, kryesisht për autorët që janë përkthyer në rumanisht gjatë viteve të fundit, si dhe sprova apo studime për disa autorë të shquar të letërsisë rumune. Kështu objekt studimi në këtë libër janë disa nga romanet e Ismail Kadaresë, kryesisht ato të përkthyer në rumanisht, poezia e poetit kombëtar rumun Mihai Eminesku, poezia e Lasgush Poradecit, ajo e Viktor Eftimiut, proza magjike e Mitrush Kutelit, poezia plot forcë e Visar Zhitit, proza onirike e Besnik Mustafajt, poezia bashkëkohore rumune: Nichita Stanescu, Dumitru M. Ion, Carolina Ilica etj. Redaktor i librit është Marius Dobrescu, përkthyesi i mirënjohur i Ismail Kadaresë në rumanisht, ballina është realizuar nga Gentian Zeka, grafika nga Miron Topçiu. Është folur gjithmonë për përkime të shumta rumuno-shqiptare në plan gjuhësor, folklorik, në fushën e antropologjisë kulturore, atë të historisë së mentaliteteve, të zakoneve të të dy popujve, në filozofinë kolektive, në simbolet popullore e kështu me radhë. Shumë nga këto ngjashmëri dhe elementë të përbashkët janë të shpjegueshëm me arealin gjeografik të përbashkët, me historinë e përbashkët, me konstitucionin shpirtëror të ngjashëm, por edhe me dukuri paralele universale që lidhen me natyrën universale të njeriut, pa qenë nevoja e kontakteve të drejtpërdrejta.
Janë vënë re nga studiuesit, gjithashtu, përkime edhe në fushën e letërsisë, duke filluar nga ajo gojore dhe deri në manifestimet artistike të kohëve moderne. Megjithëse kjo e fundit mbetet më pak e njohur, ndoshta edhe në sajë të faktit që letërsitë ballkanike janë të shkruara në gjuhë të vogla, me origjina të ndryshme dhe kanë komunikuar më pak me njëra-tjetrën.
“Oglinzi literare/Pasqyra letrare” është një përçapje për njohjen e këtyre dy letërsive ballkanike, një përpjekje për njohjen e mekanizmave të krijimit të tyre, si një afrim në laboratorin krijues të autorëve që bën të mundur zbulimin në thellësi të proceseve krijuese, të përpunimit të lëndës letrare, dukuri që përbëjnë dhe manifestime të shpirtit të të dy popujve.
Në këtë libër me përmbledhje studimesh mbi autorë të letërsisë rumune dhe shqiptare trajtohen vepra dhe autorë në disa pasqyra paralele, ku shumë nga dukuritë e një letërsie shpalosen në tjetrën, ku përthyhen elementë të historisë së përbashkët, shihen trajta të përbashkëta, të ngjashme apo të ndryshme në një “unitet në diversitet” siç do ta quante N. Iorga. Veprat e autorëve shqiptarë që trajtohen janë përkthyer në gjuhën rumune, edhe autorë rumunë që diskutohen janë përkthyer në shqip.
Libri, pra, ofron një udhëtim në disa identitete letrare të të dy letërsive, të cilët përfaqësojnë forca novatore të dorës së parë në historinë e letërsive përkatëse dhe sidomos në zhvillimet e mëvonshme të letërsive moderne shqiptare e rumune.
Në qoftë se do të ekzistonte një njohje më e mirë e “tjetrit” dhe e atij që “është ndryshe”, do të zhdukej mjegulla që mbështjell të panjohurën, do të zhdukeshin paragjykimet për të tjerët; do të zbulonim gjëra të përbashkëta që na afrojnë me “të huajin”. Fitimi duhet të jetë shumë i madh për të dyja palët. Njerëzit janë nga natyra kureshtarë, ndërsa format tona të shprehjes kulturore do të duhet të reflektonin dhe stimulonin këtë kërshëri.
Autorët ballkanikë bëjnë pjesë njëkohësisht dhe në trashëgiminë e letërsisë universale. Letërsia botërore përfshin jo vetëm letërsinë e ashtuquajtur të “popujve të mëdhenj”, si vëllim popullsie, me tradita të lashta kulturore, por sipas pranimit që i bën letërsia e krahasuar dhe atë të “popujve të vegjël”, arti i të cilëve është ngritur në nivelin e vlerave botërore, duke përfshirë një Lenau, Andersen, Petöfi, Eminescu, Ivo Andriç, Ismail Kadare, Nikos Kazancakis e shumë të tjerë.
“Oglinzi literate, Pasqyra letrare” është një përçapje për njohjen e kulturave të dy popujve ballkanikë. Na ofrohet një libër i shkruar me profesionalizëm, duke dëshmuar njohje të thellë të dy kulturave, autorëve gjegjës dhe dukurive letrare të përzgjedhura me sqimë, me vlera përfaqësuese dhe që mund të sigurojnë një dialog mes kulturave dhe midis popujve.
Albania
Krijoni Kontakt