panorama
---------
i ekstraduari nga Greqia
historia
Avokati Ilir Malindi rrëfen aventurën e klientit. Presionet e policisë së fshehtë për ta bërë agjent
“Shërbimi sekret grek më la në qeli”
Historia e të dënuarit Ilir Kodra, i transferuar nga Greqia
Laureta Rryçi
Nëse do të hidhte atë firmë, ndoshta Ilir Kodra sot do të ishte jashtë hekurave të qelisë.
Por, djaloshi 18-vjeçar, nga Kruja, nuk mund të ndërronte kurrë lirinë nga burgjet greke në këmbim të vënies në shërbim të agjenturës sekrete të shtetit helen. Një histori që vjen sot pas nëntë vjetësh nga avokati Ilir Malindi, e ndikuar edhe nga transferimi i klientit të tij në Burgun e Kosovës, në Lushnjë. Në një intervistë për gazetën ”Panorama”, Malindi flet i bindur për faktin në fjalë. Si u arrestua emigranti në Selanik, teksa e implikojnë disa shokë shqiptarë në një grabitje. Refuzimi për të qenë pjesëmarrës në këtë krim, por edhe fati i keq që u arrestua pa asnjë provë. Dhe mbi të gjitha oferta e policisë sekrete EIP për t’u përfshirë si agjent në trafikun e drogës dhe klandestinëve. Një histori me anë të së cilës Kodra sensibilizon jo vetëm opinionin, por edhe drejtësinë për të kërkuar drejtësi.
Avokat, ju keni patur një klient, i cili është një nga të ekstraduarit nga burgjet greke. Si e ka emrin klienti juaj dhe për çfarë vepre penale është dënuar?
Është e vërtetë që kam patur një klient, që është ekstraduar nga burgjet greke. Ai është me origjinë nga qyteti i Krujës, por familja e tij aktualisht ka ardhur me banim në Kamëz. Quhet Ilir Kodra dhe është 27 vjeç, ka që në moshën 18 vjeç që ka përfunduar në burgun e Selanikut dhe aktualisht ndodhet në burgun e Kosovës, ku edhe po vuan dënimin. Gjykata e Selanikut e ka dënuar që në vitin 1995 për tre vepra penale, ”kalim të paligjshëm të kufirit”, ”grabitje në bashkëpunim me të tjerët” dhe ”plagosje”. Në të vërtetë, klienti im nuk ka kryer asnjë nga këto vepra penale.
Sipas jush, Kodra është dënuar padrejtësisht sepse ka qenë i pafajshëm?
Po, dhe jam i bindur për këtë. Ai u dënua për vepra penale që nuk i kishte kryer vetë. Edhe pse vetë të dëmtuarit e mohuan fajësinë e tij, përsëri trupi gjykues, i ndikuar nga organe të tjera, vendosi ta dënojë atë, duke e shpallur fajtor.
Si ka qenë ngjarja, për të cilën u dënua klienti juaj?
Gjithçka ka nisur në një ditë të nxehtë korriku të vitit 1995. Ilirin e thërrasin disa shokë për të shkuar në një vend pushimi. Ai pranon, pasi ishte diçka e zakonshme për shqiptarët pas një dite të lodhshme pune. Atë natë shokët, me të cilët doli, ishin paksa të lëvizshëm dhe merreshin me grabitje të lehta, por kjo nuk ka ndikuar që atij t’i lindnin dyshime për ndonjë veprim kriminal atë natë që ndodheshin së bashku. Por, ata shikojnë dy grekë që kishin dalë së bashku për shëtitje dhe njëri prej shqiptarëve nxjerr një pistoletë dhe fillon të kërcënojë grekët, duke i kërkuar që t’i jepte portofolin e tij dhe çantën e bashkëshortes. Në atë moment, Iliri iu ka kthyer duke kundërshtuar shokët e tyre për veprimin. Ata kanë filluar të konfliktoheshin shqiptar me shqiptar, ndërkohë grekët kanë filluar të ulërasin për ndihmë. Shqiptari, që kishte armë, përveçse ka qëlluar grekun, ka qëlluar edhe mbi Ilirin, që të mos tregonte. Më pas, Iliri është dërguar nga disa grekë në spital, ku ka qëndruar përreth një javë në gjendje koma. Më pas kur gjëndja e tij shëndetsore është përmirësuar është marrë në pyetje nga policia greke për të rrëfyer të gjithë ngjarjen. Pasi ka treguar të gjithë ngjarjen, përveç emrave të shokëve, ai ka mësuar se është i arrestuar dhe se mbi të kishin rënë akuzat të plagosjes dhe grabitjes në bashkëpunim. Ai mundohet të shpjegojë por më kot përfundon në qeli dhe më pas fillon procesi gjyqësor.
Po grekët që ishin të dëmtuarit e kësaj ngjarje si dëshmuan në favor apo dizfavor të tij?
Në fillim greku ka dëshmuar se Iliri ishte me ato keqbërësit por nuk është ai që e kishte pistoletën. Më pas ai ka dëshmuar se ka qenë i trullosur atë ditë por gruaja e tij e kishte parë që Iliri ishte një nga keqbërësit. Gjithashtu edhe një nga oficerët gjyqësorë i ka premtuar se Iliri do të linte qelinë sepse ishte provuar se ishte i pafajshëm. Por në momentin që po provohej pafajësia e tij, Ilirit i ofrojnë që të rekrutohet në shërbimin sekret grek, (Eleniki Ipirisia Pliroforia). Ai nuk pranon ofertën dhe ata e dënojnë me 15 vjet e 6 muaj burg. Më pas ai kërkon të apelojë në gjykatën e Apelit të Selanikut por nuk e lejojnë që të përgatisë dokumentet ligjorë. Madje e kanë rrahur mizorisht vetëm se Iliri gjatë takimit me një Prokuror grek i ka treguar se po e detyrojnë që të rekrutohet në E.I.P. Por përsëri nuk ka ndodhur gjë.
Ju keni prova që ndaj klientit juaj është ushtruar presion nga shërbimet sekrete që të kthehej në agjent?
Një person që di diçka mbi shërbimet sekrete do të besojë edhe këtë rast. Sepse ata e kanë parë që Iliri nuk ishte më shumë se 18 vjeç dhe e kishte të lehtë për të hyrë në grupe trafiqesh. Sepse kryesisht ai do të merrej me drogën dhe klandestinët. Si dhe për t’i bërë presion kanë përdorur faktin që ai ishte i pafajshëm.
Po qe se do të pranonte klienti juaj që të rekrutohej çfarë procedurash do të ndiqte për të kthyer në një agjent?
Pikësëpari atij i kishin thënë për të firmosur një deklaratë ku pranonte të bëhej agjent. Më pas ata do t’i mësonin shumë proceduar se si do të miqësohej me trafikantët si dhe do ta lidhnin me bashkëpunëtorët e tjerë që kanë në Shqipëri. Natyrisht që nuk do t´i mungonin paratë dhe shumë gjëra të tjera luksi. Por Iliri e kishte quajtur si akt tradhëtar ndaj atdheut dhe nuk ka pranuar që për disa para të kthehej në tradhëtar.
Ju ua keni bërë të ditur këtë rast SHISH-it?
Jo nuk ua kam bërë të njohur sepse nuk besoj se SHISH-i do të tregonte interes për rastin konkret. Në Shërbimin sekret tonin denoncohen me dhjetra raste ku emigrantëve tanë u është kërkuar që të rekrutohen në agjentë të grekut, por ai tregohet i interesuar vetëm në ato raste kur personazhi mund t’i shërbejë për t’u kthyer si agjent i grekut por të punojë në të njëtën kohë edhe për SHISH-in.
Ilir Kodra aktualisht ndodhet në burgun e Kosovës së Lushnjës
I zhgënjyer nga drejtësia, heq dorë nga takimet
Ilir Kodra është një nga të ekstraduarit e parë nga burgjet greke për në burgjet shqiptare. Sapo u transferua në Shqipëri, Gjykata Faktit e Tiranës i la në fuqi vendimin e mëpërparshëm prej 15 vitesh e 6 muajsh. Më pas Apeli i kryeqytetit vendosi ta rikthente edhe një herë çështjen për rigjykim por përsëri vendimi nuk u ndryshua. Familjarët bashkë me avokatin kanë bërë një sërë kërkesash për t’i rikthyer lirinë atij, por më kot.Ai vazhdon sot e kësaj dite. Në një letër që Iliri i shkruan trupit gjykues shkruan se: ”Kishte nisur emigracionin që në moshën 15 vjeç vetëm se e kishte familjen shumë të varfër, madje nënën të sëmurë”. Më pas ai mohon të gjitha akuzat që ishin ngritur ndaj tij si dhe kërkon që të lihet i lirë dhe do të respektojë të gjitha vendimet e trupit gjykues shqiptare duke respektuar gjithashtu edhe ligjin. Por që nga viti 2001 deri tani ai vazhdon të ndodhet në burgun e Kosovës. Madje kjo ka ndikuare edhe në gjëndjen psik-ologjike të tij. Ai prej 20 ditësh nuk pranon të takojë të afërmit, ka mbetur i zhgënjyer nga drejtësia shqiptare dhe kërkon vetëm që të dalë e drejta.
---------
Krijoni Kontakt