Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ia ka dhënë lajmin e mirë dje Princit Leka, gjatë një takimi zyrtar, për shpalljen e tij si studenti më i mirë i Akademisë Ushtarake në Britani



Mediu i bëri të njohur Leka Zogut II vlerësimin maksimal në përfundim të studimeve të Akademisë Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, në përfundim të të cilave, ai është vlerësuar si "Studenti i huaj më i mirë i Akademisë". Në takim merrte pjesë edhe atasheu ushtarak britanik në Tiranë, Mark Vickers. Ministri Mediu përgëzoi Leka Zogun II për rezultatet e arritura, duke theksuar se diploma të tilla dëshmojnë vullnetin dhe këmbënguljen e madhe të studentëve shqiptarë për kualifikime të mëtejshme. Më pas, ai falënderoi Britaninë e Madhe për ndihmën e çmuar që ka dhënë dhe vazhdon të japë për studentët shqiptarë dhe Forcat tona të Armatosura, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe kualifikimit profesional. Princi Leka, i cili studion në të njëjtën akademi ku mësojnë edhe dy djemtë e princeshës së ndjerë Diana, falënderoi ministrin e Mbrojtjes për pritjen e rezervuar dhe që pati mirësinë t‘i bëjë të njohur rezultatet në përfundim të Akademisë.