Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 15 prej 15
  1. #11
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    LUMO SKËNDO, PLOT MBURRJE: “UNË JAM KOSOVAR!”


    Shkruan: Ramiz KELMENDI

    Jo çdo shkrimtar është i njëjtë në çdo kohë. Ka të dashur e të ledhatuar kohe, në përkujdesje e tutelë të saj, sikundër ka të urrejtur e të anatemuar, në mospërfillje e ndjekje të saj. Një leksikon bukur i madh, nga jo pak të tillë që na mungojnë, do të mund të hartohej vetëm për shkrimtarët që edhe kjo koha jonë e sapokaluar radhiti në listat e veta të zeza, duke i “shkishëruar” letrash, duke i “harruar” veprash, duke i “pushuar” pune, duke i “strehuar” flladesh, duke i “qëruar” herë jete publike, e herë-herë edhe asaj fizike. Duke i “varrosur” për së gjalli ose edhe duke i zhvarrosur për së vdekuri, sikundër bënë me Fishtën, “Kur të varrosën, /edhe gurët kjanë/) Kur të zhvarrosën, /të shkelën e të shanë. /Eshtrat rrugicave, /prapë i gëlltiti dheu/ dhe Ti mbete pa vorr ,/si Skënderbeu!”. (Tringë Dukagjini, Pogradec, 1976).Orveliançe, ndërkaq, edhe në këtë çapitje të kësaj kohe tonë më të re për të rehabilituar ata që aq padrejtësisht e aq panjerëzisht u përjashtuan dhe u flakën nga letërsia, e madje dhe nga jeta, disa, megjithatë, janë më të barabartë në “dekë”, sikur vijon edhe sot të jetë më pak e barabartë në jetë. Në ringjallje. Po të vësh re një çikë më me vëmendje këtë orvatje për ringjalljen, rileximin, rivlerësimin dhe riinterpretimin e atyre penave tona të anatemuara në pesëdhjetë vjetët e fundit të shekullit të kaluar, saora të bie në sy një fenomen që, sado edhe mund të shpjegohet, assesi nuk arsyetohet. Të jetë e mundur, vallë, që tërë ajo listë aq e gjatë shkrimtarësh të ndjekur e të përndjekur, të reduktohet në vetëm tre-katër emra? U kthyen, me plot të drejtë, në vatër, aty ku e kanë vendin dhe rendin, katër (nga) më të mëdhenjtë: Fishta, Faiku, Koliqi dhe Martin Camaj. U rimerituan, me plot të drejtë, edhe Kasëm Trebeshina, edhe Xajë Nura, edhe ndonjë tjetër, të cilëve, dje, iu bënë padrejtësi e mëkate të mëdha.Po të tjerë, nuk paskërka pasur?Jo pak. “Shejzat” e Koliqit, në Romë, madje vetëm deri më 1973, bënë “radhoin” e jo më pak se 55 shkrimtarëve tanë të varrosur në heshtje, “ose të zhvleftësuem mbas parimesh kinse kritike qi nuk mbështeten në vlera letrare e estetike”. Tek e kemi fjalën për njërin syresh, për Lumo Skëndon (Mithat Frashërin), po përmendim këtu vetëm disa nga më të njohurit e kësaj liste, sipas rendit alfabetik: Anton Harapi, Branko Merxhani, Ethem Haxhiademi, Karl Gurakuqi, Krist Maloki, Lame Kodra (Sejfullah Maleshova), Lazër Shantoja, Mati Logoreci, Mehdi Frashëri, Musine Kokalari, Mustafa Merlika-Kruja (Shpend Bardhi), Namik Ressuli, Pashko Bardhi, Simon Shuteriqi, Tajar Zavalani, Vinçenc Prenushi etj.Biografi, më të shumtën – të falsifikuara. Vepra, qëllimisht – të keqinterpretuara. Autorë në zë e emra autoritativë, në letra e në shoqëri, që “mëkat” më të madhin, ideologjik, patën – atdhedashurinë, përgjithësisht, e një pjesë syresh, edhe më shumë se kaq – Kosovën dhe mallin e luftën për ta kthyer në Votër, për ta bërë Shqipërinë etnike.Një biografi që do rishkruar, vërtetësish e me paanshmëri. Një shkrimtar që do rivlerësuar dhe një krijimtari letrare që do rilexuar e riinterpretuar është edhe biografia, shkrimtari dhe krijimtaria letrare që ka firmën famëmadhe dhe ngado që ta shikosh për mburrje: Lumo Skëndo. Alias: Mithat Frashëri…Zyrtarisht, për gati pesëdhjetë vjet diktature, në pamundësi për ta eliminuar krejtësisht nga letrat dhe nga kujtesa, për të mos e zënë ngoje fare, Mithat Frashëri, megjithatë, u shënua deri edhe (apo vetëm) në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, si njësi e veçantë, ndryshe nga shumë të tjerë, që nuk e gëzuan këtë “nder”, të “vlerësohen” që në krye si “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar”.Pa ia mohuar prejardhjen prej “familjeje aq në zë” të vëllezërve Frashëri, prore duke theksuar se ishte i biri i Abdylit, koha që iku, në vend që t’ia merrte këtë si lehtësi, si preferencë, përkundrazi, edhe kjo e dhënë aq lakmuese, Mithat Frashërit iu destinua si mëkat “akoma më i madh”.E “mëkati” i tij më i madh na paskësh qenë, sipas “enciklopedistëve të kurdisur”, vënia e tij në ballë të “organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar”, organizatë kjo që në tërë veprimtarinë e saj, siç provohet dhe nga Dekalogu i shpallur, paskësh synuar një të vetmin ideal: Shqipërinë etnike. Shqipërinë me Kosovën dhe me Çamërinë.Një tjetër “mëkat” i tij, me gjasë, paskësh qenë dashuria e tij aq e thellë dhe interesimi i tij aq i madh për Kosovën. Sepse – qysh më 1919 – botoi deri edhe një libër të tërë për Kosovën, mbase më të parin kësodore ndër shokë, 24 vjet para librit shumë më të njohur “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” (1943) të Hamit Kokalarit dhe “Nëna Kosovë” të Samim Visokës. Ishte ky libri “Albanais et Slaves” (“Shqiptarët dhe sllavët”), shkruar dhe botuar frëngjisht në Lozanë.Edhe pse i lindur më 1880, në Janinë, saktësisht më 25 mars 1880, ku bëri, përkrah t’et, Abdyl Frashërit, vetëm tri vjetët e para nga ato 89 sa do të jetojë deri në vdekjen (a vrasjen?) e tij tejet enigmatike, më 1949, në një hotel të Nju-Jorkut, Mithat Frashëri, me ç’pohon edhe miqtë dhe bashkëpuntoret e tij më të ngushtë,e paskësh pasur zakon të thoshte vazhdimisht me çdo rast, plot mburrje: “Unë jam kosovar”!Ka të ngjarë të ketë “merituar” “epitetet”: “reaksionar”, “pseudopatriot” e “tradhtar”, sepse – sipas bashkekohësve – që në moshën e tij më të re, pos dashurisë së pafundme, me shpirt, të Shqipërisë etnike – paskësh bashkëpunuar dhe i paskësh dashur shumë krerët kosovarë, që luftonin për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, si Bajram Currin, Isa Boletinin, Ferat Dragën, Hasan Prishtinën, Rexhep Mitrovicën, etj. Kështu që, kur e pyetnin njerëzit se ç’mendim kishte për Kosovën dhe për kosovarët, Mithati, Lumo Skëndoja i letrave shqipe, gjegjej troç: “Unë jam kosovar dhe për Kosovën e kosovarët mendoj pikërisht ashtu siç mendoj për veten time, për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar”.Rreth 70 vjet jetë në Janinë, në Stamboll, në Selanik, në Tiranë, në Durrës, në Lozanë, në Paris, në Athinë, në Sofje, në Romë, për të përfunduar në Nju-Jork, është një jetë e begatë, që gjithandej pret kronikun, historianin, biografin. Dashamirës dhe objektiv.Mbi 50 vjet bëma e veprimtari nga më të shquarat: gazetare, shoqërore, politike, publicistike, letrare etj., të gjitha në të mirë të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare, domosdo që kërkojnë më se një penë të shkathët dhe më se një libër vëllimor për t’i dalë sadopak hakut.

    Kryetar i Kongresit të Manastirit (1908) dhe pjesëmarrës nga më autoritarët në hartimin e alfabetit të shqipes, të kryesuar nga Gjergj Fishta; drejtues i së përjavshmes politike, shoqërore, kulturore e letrare “Liria” të Selanikut (1908-1910), me gjithsej 108 numra, dhe i së përkohshmes letrare e diturake “Dituria” të Selanikut – Bukureshtit – Tiranës (1909-1920) me 40 numra gjithsej; përfaqësues i Kongresit të Vlorës (1912) dhe më i pari ministër i Punëve Botërore në më të parën qeveri shqiptare pas shpalljes së pavarësisë; ministër i postave dhe i Punëve Botërore në kohën e Princ Vidit (1914); i ndjekur dhe i burgosur nga qeveria rumune në Luftën e Parë Botërore; qëndrimi në Lozanë pas 1918-ës; ministër pa portfel në qeverinë e Durrësit, të kryesuar nga Turhan Pasha (1919); i deleguar i Stambollit dhe i “Vatrës” së Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris (1920), ku qëndroi deri më 1923; ministër–ambasador i Shqipërisë në Athinë (deri më 1926); me poste të larta, gjithandej, deri te kryetari i “Ballit Kombëtar” dhe kryetari i Qeverisë së Përkohshme në ekzil etj., etj. – një jetë e tërë e vënë në shërbim të atdheut – u dashka lënë në harresë dhe përcjellë breznive nëpërmjet “Enciklopedisë” sonë me ata dhjetë rreshta aq denigrues e fyes, ndërkohë që kemi monografi të tëra për figura që “jetuan” sa sistemi që i polli?!Pa mbushur ende plot moshën 18-vjeçare, Mithat Frashëri u bë atëbotë edhe objekt vlerësimi nga ana e Faik Konicës në atë “Parashtresën mbi lëvizjen kombëtare shqiptare” të tij të vitit 1899, në Bruksel, me ç’rast shkroi: “Mithat Frashëri, djalë i Abdyl Beut. Sekretar apo atashe në Portën e Lartë. Patriot i ri aktiv dhe inteligjent”. Një rrugë pra, plot mundime e flijime, por edhe me bëma nga më të dobishmet për kombin – ja libri që pret ende, edhe sot e kësaj dite, të shkruhet…Nuk flet pak për ne dhe për kujdesin e ndërgjegjen tonë e dhëna se gjithë ç’u shkrua për jetën dhe veprimtarinë aq të pasur politike, publicistike e letrare të Lumo Skëndos gjendet në ato tri faqe që Karl Gurakuqi shkroi për të në pjesën II të “Shkrimtarëve shqiptarë”, punuar nën kujdesin e Ernest Koliqit dhe të tij, e botuar jo më pak se – 69 vjet përpara (më 1941)!E, pra, Lumo Skëndo – në mos shkruajshim ne për të – shkroi jo pak për ne dhe na la pas një varg veprash, të cilat sa vete e gjenden më rrallë dhe njihen më pak.Kush prej nesh mund të rrahë gjoks se ka, apo vetëm ka shfletuar e lexuar, pale pastaj të ketë bërë ndonjë shkrim a studim për koleksionet mbi 30-vjeçare (1897-1928) të vjetarit “Kalendari Kombiar” të Lumo Skëndos, botuar në shtypshkronjën “Mbrothësia”?Sa janë ata që mund të pohojnë se të paktën e kanë parë ndonjë numër të “Lirisë” apo të “Diturisë” së Lumo Skëndos? A gjendet ndonjë bibliofil yni, këtu, të ketë ruajtur deri sot përkthimin e tij të “Guillaume Teli”-t të Lamartinit, që më 1898, kushtuar “Shqiptarëve të rinj qi përpiqen për lirinë e për dritën e mëmëdheut”, te përshkruhet në të, me ç’dihet, lufta zvicerane për pavarësi. Apo përkthimin tjetër, “Bëje të mirën pa hidhe në det” të Franc Hofmanit, më 1901, të dyja botuar në Sofje dhe me qëllim edukimin moral e patriotik të rinisë shqiptare?Kush e njeh Mithat Frashërin si Lumo Skëndo, e sa janë ata që e njohin këtë si Mali Kokojka dhe autorë të më së parës monografi të mirëfilltë të jetës dhe veprës së axhës së vet aq të famshëm, me titull “Naim be Frashëri”, botuar së pari në Sofje (1921), e ribotuar 22 vjet më vonë në Tiranë (1943)? Vallë, a i vete kujt në mend të botojë veprat e zgjedhura, në mos ato të plota, të shkruara deri më 1949 nga Lumo Skëndo?Po mbushen 95 vjet nga botimi i vëllimit të parë të Lumo Skëndos me novela dhe kujtime, një raritet ky nga më të lakmuarit të bibliofilëve e të bibliotekave tona, “Hi dhe Shpuzë” (Sofje, 1915), që mban vlera të shumta njohëse, e kjo gjithandej pret kritikun e vet.Përplot kërshëri dashamirësish, jo vetëm të Lumo Skëndos, por edhe përgjithësisht të librit shqip, janë dhe veprat e tij aq të rralla e aq pak të njohura: “Pritmi i Shqipërisë” (Sofje, 1915), një studim ky, me ç’pohon Karl Gurakuqi, mbi shqiptarët dhe mbi ardhmërinë e Shqipërisë; “Letra mbi një udhëtim në Zvicër” (Sofje, 1915), shkrime nxjerrë nga “Kalendari Kombiar” dhe, në mënyrë të veçantë, “Plagët t’ona” (Tiranë, 1924), ku, siç del dhe nga vetë titulli, paraqet një spektër gjykimesh mbi vlerat morale dhe psikologjike të kombit dhe mbi rrugën që do zgjedhur për mirëqenien e tij.Gjithsesi, zgjojnë kërshërinë tonë edhe ato jo pak broshura të tij, shtruar e botuar në frëngjisht, një nga gjuhët e shumta që njihte Lumo Skëndo me gjallje të vet. Pa harruar 28 numrat e të përdymuajshmes politike të tij në frëngjisht, “L’Independence albanaise” (“Pavartësia shqiptare”), botuar në Sofje (1914) dhe Bukuresht (1915). Do zënë ngoje doemos libërthat frëngjisht shkruar prej tij, si: “L’Affaire de L’Epire” (“Çështja e Epirit”, Sofje 1915); “La Population de l’Epire” (“Popullsia e Epirit”, Sofje 1915); “Les Albanais chez aux et a l’Etranger” (Lozanë, 1919) dhe, libri i përmendurzënë më sipër “Albanais et Slaves” (“Shqiptarë dhe sllavë”, Lozanë, 1919), të cilin pasuesi i rrugës së tij, Hamit Kokalari, e cilësoi si “Enciklopedi e mirëfilltë e çështjes së Shqipërisë etnike”.

    (Si) vdiq, apo u vra Mithat Frashëri?

    Bashkëkohës i Fishtës,i Nolit dhe i Gurakuqit, Mithat Frashëri, pikërisht me këta të tre, në atë vitin e largët 1921, i dha çmimin e parë një poeti të ri, fare të panjohur, shkodran, jo më i vjetër se 18-vjeçar, i quajtur Ernest Koliqi, në Konkursin e Ministrisë së Arsimit – për një himn kombëtar!Gjashtëdhjetë e nëntë vjet jetë bëri Mithat Frashëri a Lumo Skëndo si gazetar, si publicist, si përkthyes, si letrar, si politikan, si diplomat, si ministër e si kryeministër, si udhëheqës partie, si intelektual, për t’i dhënë fund jetës në hotelin “Leksington” të Nju-Jorkut, aty nga mesnata e 3 tetorit 1949, në rrethana jashtëzakonisht të dyshimta.I njohur shumë pak si jetë dhe veprimtari, Lumo Skëndoja, alias Mithat Frashëri, është aq më pak i njohur, ose fare, si e mbylli jetën: vdiq, apo u vra? Një lloj dëshmie për çastet e tij të fundit kemi në librin e lordit anglez Nikolas Bethel, me titull “Tradhtia e madhe” (Londër, 1984), të cilin, përkthyer nga F. Zanaj, e botoi edhe Tirana.Edhe lordi anglez, tek i referohet deklaratës së dëshmitarit okular të vdekjes së Mithat Frashërit, Robert Lout, nuk është gjithaq i sigurt: në vdiq nga ndonjë atak, apo u vra nga kundërspiunazhi sovjetik, njëri nga personalitetet aq të merituara (e megjithatë jo pak të harruara) të historisë dhe kulturës së kombit tonë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga PLAKU : 17-03-2010 më 05:39

  2. #12
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    Mirserdhe Mit’hat Frashëri

    Reshat Kripa: Mirserdhe Mit’hat Frashëri
    E Diel, 28-03-2010, 05:00pm (GMT+1)


    Në 130 vjetorin e lindjes


    MIRSERDHE MIT-HAT BEJ FRASHËRI


    Nga Reshat Kripa



    Kishim vite që të prisnim Mit’hat Bej. Ishim ne, nacionalistët që të prisnim. Nuk kishim luftuar duke thirrur emrin tënd. Nuk kishim rënë nën emrin tënd. Po të pranonim këtë do të ishim servilë dhe hipokritë, si komunistët, që çdo gjë e bënin për udhëheqësin e tyre, duke harruar atdheun Ne luftuam dhe ramë për Shqipërinë, për atdheun tonë të shtrenjtë. Natyrisht ti ishe një nga inspiratorët e saj dhe na pranove kështu siç ishim.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Ti erdhe përsëri në atdhe. Shumë u munduan të të pengonin. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe jo pak, por për gati shtatëdhjetë vjet. Megjithatë nuk ia arritën. Ti u lartësove si një Promete, ndarsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë u munduan të bëjnë pseudohistorianët servilë, por nuk mundën ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë, asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Ti nuk je më midis nesh që të na këshillosh me fjalën tënde të ëmbël. Por ne e ndjejmë zërin tënd të ngrohtë E kemi ndjerë këtë zë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe Kryetar i tij. E kemi ndjerë në vitet e shpalljes së pavarësisë, ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet. E kemi ndjerë në vitet e Republikës dhe Mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës shqiptare. Por në një shkallë më të lartë e ndiem zërin tënd në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë balli i këtij kombi.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Kemi njëzetë vjet që të presim. Kemi njëzetë vjet që presim që në tekstet shkollore të shkruhet emri yt ashtu siç i takon, që fëmijtë tanë të mos helmohen më me propagandën e vjetër, por të mësojnë të vërtetën për ty dhe idealet e tua. Por, për fat të keq, ti po kthehe me shumë vonesë. U ktheve tri vjet më parë, kur Presidenti i Republikës me propozimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë , të dha dekoratën e lartë. Ju faleminderit zoti President! Ju faleminderit zonja Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ju nuk nderuat vetëm simbolin e Shqipërisë. Ju nderuat veten tuaj dhe nëpërmjet jush, të gjithë ne nacionalistët shqiptarë.
    Por në mënyrë madhështore ti u ktheve në qytetin tënd, në Përmetin e bukur, që pati meritën të të jepte titullin më të lartë, “Qytetar Nderi” i tij. Atje ti u ringjalle përsëri. Zërat e atyre vajzave të reja dhe këngët e grupeve artistike të ngritën nga vendi ku pushoje dhe të sollën në trojet ku kishe lindur. Dhe zëri yt kumboi fuqishëm në ato troje, si dikur kur mësoje dishepujt e tu.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Ti u ktheve, por unë e ndjej se zemra jote është ende e thyer. Të më falin organizatorët e asaj ceremonie, por e ndjej se zemra jote është e thyer edhe për disa aspekte të saj. Ajo u zhvillua në sheshin e qytetit, pranë lapidarit të luftës Nacional-Çlirimtare. Pas portretit tënd ishte përmendorja e partizanit në ballin e të cilit shkëlqente ylli i kuq. Pak më lart ishte stema e komunizmit, me një yll tjetër të kuq. Mua më dukej sikur gjembat e atij ylli vazhdonin të nguleshin në zemrën e “Apostullit të Shqiptarizmës”. Të më falin familjarët e dëshmorëve të luftës Nacional-Çlirimtare për sa po shkruaj. Por dua t’i pyes:
    -Përse u vranë bijtë e tyre, për partinë komuniste apo për atdheun?
    Nëse u vranë për partinë komuniste, atëhere le ta mbajnë yllin e kuq në ballë, por nëse kanë rënë për atdheun, atëhere ai yll nuk duhet të ekzistojë. Ai yll nuk duhet të ekzistojë as në varrezat e dëshmorëve të kombit, se ekzistenca e tij është mohim i luftës së këtij populli për lirinë e Shqipërisë, është përçmim i kontributit të të rënëve për liri. Ndaj them se zemra jote Mit’hat Bej është akoma e thyer.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Ti u ktheve, por unë e ndiej se nuk je kthyer plotësisht. Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione. Por vendin tënd e kanë zënë ata që zhytën këtë vend në errësirën mesjetare. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit. Në tetorin e vitit të kaluar u mbushen 60 vjet që t’i je ndarë nga gjiri ynë. Në këtë jubile do të doja që eshtrat e tua të lënduara të preheshin më në fund në atdhe. Mjaft lëngove në dhe të huaj. Megjithse ai vend të priti dhe të respektoi, vendi yt është Shqipëria. Për atë u sakrifikove dhe ajo duhet të të japë shtratin e prehjes tënde. Ishte detyra e shtetit shqiptar t’i kishte sjellë eshtrat e tua në atdhe dhe t’u kishte dhënë një vend dinjitoz. A do ta bëjë vallë në të ardhmen? Nuk e di. Është në nderin e saj një gjë e tillë. Këtë kërkesë e bëjë unë, një qytetar i thjeshtë.
    Mirserdhe Mit’hat Bej!
    Xhaxhaj yt, i paharruari Naim Frashëri, shkroi shumë poezi të pavdekshme. Më lejo të citoj disa vargje të tij, të cilat mendoj se janë shkruar pikërisht për figurën tënde:


    Kur më shihni që jam tretur,
    Mos pandehni se kam vdekur,
    Jam i gjallë e jam në jetë,
    Jam në dritë të vërtetë.


    Mirserdhe Mit’hat Bej Frashëri!


    » Reshat Kripa: Mirserdhe Mit’hat Frashëri


    MITHAT FRASHERI eshte pasqyre ku duhet tè shihemi a jemi e sa jemi SHQIPTARE
    Ksenofon Male Dilo 28-03-2010, 10:37pm

    Zoti KRIPA!!
    Je njeriu qè kuron plaget e demokratève te vertete. Fjala dhe llogjika tè peshon,ndan tè mirèn me tè ligen,lartèson nderin e shqiptarit.,Burra si Ti nuk mund te rinè me gatimin "urdhero" "si urdhron"apo "peqe" "leppe" po, i jep jetè dhe shpirt asaj organizate krijese kombetare se,shpirti atdhetar qe u frymèzon kapak floriri i fjaleve e ndjenjave tuaja. Tani qè jeta.. sulmon me gjithè egèrsinè e saj ,drite e forcè,ndihme e ngushèllim èshtè visari kombètar, krenaria e kombit, MITHAT FRASHERI,kètè e tregon historia,koha, ideali i Tij qè shoqèron shqiptarin e vèrtetè porsi hija trupin,qè i freskon zèmren,ruan e pèrcjell gjithè ato veti tè mira qè ,pèrbèjnè jetèn,shpirtin e karakterin pèr tè çmuar faktorin e vlerave shqiptare sa jeta.Lahen e luhen me formula demokracie e pèrparimi e kthyer "Drejtesine nè azil Padrejtesie "ata, qè mbajnè pèr pèrparim hipokrizinè komuniste po, varret e zemres janè tè hapura e shpirti shqiptar po lèngon. MITHAT FRASHéRI èshtè i vetmi qè pèrfaqèson tè tèrè shqiptaret e ndershèm ,eshte vete SHQIPTARI e DEMOKRATI I VERTETE
    Tè lumtè dora Zoti Reashat Kripa,o shqiptar i çmuar,burrè trim dhe fisnik.





    Atje ku ka drite erresira s'ka vend
    Ylli 28-03-2010, 07:57pm

    I nderuari Reshat,
    Urimet me te mira per misjonin e shenjte qe i kini caktuar vehtes.Cdo popull e ka te sigurt te ardhmen kur di se nga vjen dhe cili eshte.Puna juaj vetmohuese dhe pse jo e shenjte i sherben ndergjegjesimit te ceshtjes tone kombetare.Mit'hat Frasheri,nje nga baballaret e kombit tone,luftoi " Per shqiptare te lire ne nje Shqiperi te lire".ATIJ i takon vend nderi ne altarin e shenjtete katedrales shqiptare.
    Juve pershendetje te perzemerta!





    Kryetar i Shoqates Antikomuniste te Perndjekurve Politike te Tiranes
    Reshat Kripa 28-03-2010, 06:10pm

    Falemnderit Luan! Sot u zhvillua nje takim me rastin e 130 vjetorit te lindjes se Mit-hat Frasherit, organizuar nga Partia e Ballit Kombetar Demokrat. Ishte pikerisht ky takim qe me frymezoi te shkruaj kete artikull. Mendoj se Mit-hat Frasheri eshte nje nga figurat me madhore te ketij kombi. Pershendetje!





    Mit'hat Frasheri, krenari kombetare
    Luani, nga Vlora 28-03-2010, 04:46pm

    Shkrimi i Reshat Kripes evokon probleme me se te rendesishme:
    -Rivleresimin e plot te Mit'hat Frasherit, per ta vendosur ne nje pozicion monumental, sic e meriton;
    -Denimin me te thelle te komunizmit dhe te liderve komunist, evidentimin me te kthjellet te demeve dhe te te keqijave, qe shkaktoi ne vendin tone;
    -Clirimin nga simbolet e komunizmit dhe te gjurmeve te tij, ne vleresimin me te paster te luftes per clirim, te sakrificave popullore dhe te deshmoreve te saj.
    Reshat Kripen duhet ta degjojne drejtuesit e shtetit dhe te partive, nese e vendosin veten ne rradhet e demokrateve, pavaresisht nga spektri pozicional i tyre, ne te djathte, apo te majte.Reshat Kripa perfaqson zerin e paster te Kombit Shqiptar, qe kerkon , sipas porosive te Mit'hat Frasherit, bashkim e vellazerim.
    Solidarizohem me mendimet e drejta dhe te guximshme te tij.
    Ndryshuar për herë të fundit nga PLAKU : 29-03-2010 më 02:59

  3. #13
    Afer Baba Fajes Maska e Marinari
    Anëtarësuar
    04-02-2005
    Vendndodhja
    Martanesh
    Postime
    1,015
    Per Brarin:


    Nga e majta: Thoma Orollogai, Mit'hat Frasheri dhe Ali Kelcyra-Berat 1944!
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  4. #14
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Thx per kte Foto o Marinar..

    Shum interesante..

    do desha me dit se kush eshte njeri e tjetri..

    apo emrat ja ke vene sipas radhes?

    nejse..po burra te medhej kan qen..

    kan hedhur gure sejcili ne menyren e vet per te bere kalane.. pra atdheun..

  5. #15
    Afer Baba Fajes Maska e Marinari
    Anëtarësuar
    04-02-2005
    Vendndodhja
    Martanesh
    Postime
    1,015
    Brari keshtu:

    Nga e majta ne te djathte: Thoma Orollogai, Mit'hat Frasheri dhe Ali Kelcyra-Berat 1944!

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Origjina e Himnit te Flamurit
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 22-12-2021, 11:51
  2. KF Elbasani, "TIGRAT VERDH E BLU"
    Nga ClaY_MorE në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 479
    Postimi i Fundit: 04-10-2008, 00:26
  3. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  4. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •