Nga policia e Tiranës ka dalë një urdhër për të mos lejuar furgonët e transmetimit direkt të televizioneve
Policia nuk do të lejojë transmetimin direkt të 20 marsit
Policia e Tiranës e ka justifikuar vendimin për të mos lejuar furgonët e transmetimit direkt të televizioneve në protestën e 20 marsit, me frikën nga aktet e mundshme terroriste, si dhe nga situata e trazuar në rang ndërkombëtar pas atentateve në Spanjë, dhe në rang rajonal me gjendjen aktuale në Kosovë.
Policia ka gjetur, mesa duket, një metodë tjetër për të mos lejuar zhvillimin normal të protestës së opozitës ditën e nesërme. Metoda është ajo e krijimit të një "black out"-i mediatik . Nga policia e Tiranës ka dalë një urdhër i cili nuk do të lejojë furgonët e transmetimit direkt të televizioneve të ndryshëm, për të transmetuar në kohë reale protestën e opozitës shqiptare të pagëzuar me emrin "Nano Ik".
Burime në Ministrinë e Rendit Publik konfirmojnë lajmin se janë marrë masat për të mos lejuar lëvizjen e furgonëve të televizioneve për transmetimin e protestës. Sipas tyre ky urdhër ka dalë nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë dhe jo nga Ministria e Rendit Publik. Ndërkohë burime të brendshme në Ministrinë e Rendit thonë se kjo është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Burime në Drejtorinë e Policisë së Tiranës thonë se është e vërtetë që nuk do të lejohen furgonët e transmetimit direkt të televizioneve të ndryshme. Ata sqarojnë se kjo është bërë nga situata e tensionuar që ndodhet në rang ndërkombëtar, rajonal dhe në vend. Vendimi për të mos lejuar këto furgonë, thonë burime në polici, është marrë edhe nga frika e terrorizmit ndërkombëtar. Sipas tyre kjo është edhe një ndër masat e shumta të marra nga policia për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar.
Burimet sqarojnë se lëvizja e furgonëve të transmetimit direkt të televizioneve nëpër turmën e protestuesve shkakton probleme. Kjo, pasi policia e ka të vështirë për të verifikuar se çfarë mund të ketë në këto furgone. Furgonët, sipas policisë, mund të shërbejnë edhe për të ndërmarrë ndonjë akt terrorist, i cili mund të kthehet në një tragjedi me përmasa të paparashikueshme, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e madhe të njerëzve në protestën e kaluar. Ky vendim, sipas policisë, është edhe në kuadrin e luftës së gjithanshme kundër rrezikut të terrorizmit, që i kanoset çdo vendi demokratik të botës, veçanërisht pas atentateve vdekjeprurëse në Spanjë në 11 mars.
Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ka vendosur ende se ku do të lejohet të qëndrojnë furgonët e transmetimit direkt të televizioneve.
Shumë prej televizioneve të vendit, protestën e kaluar të opozitës e transmetuan direkt, duke ua përçuar mesazhin "Nano Ik" të gjithë shqiptarëve nëpërmjet televizorit. Megjithëse në shumicën e qyteteve ditët e protestës ka pasur mungesë të energjisë elektrike, ata persona që kanë pasur energji kanë arritur të informohen.
Ndërsa këtë radhë policia nga frika e terrorizmit apo e urdhëruar nga lart, nuk do t'iu lejojë shqiptarëve komoditetin e informimit direkt mbi zhvillimin e protestës së 20 marsit.
Protestën e kaluar, opozita arriti të nxjerrë në shesh dhe përgjatë bulevardit mijëra njerëz, të cilët kërkonin largimin e kryeministrit Nano. Protesta e kaluar ndryshe nga ajo e shtatë shkurtit ishte me pjesëmarrje më të madhe dhe pa asnjë lloj incidenti apo akte dhune.
Krijoni Kontakt