Alarm dhe frikë në Uashington pas gjetjes së një lënde të rrezikshme helmuese në ndërtesën e senatit amerikan. Policia ka bërë të ditur dje se analizat e pluhurit të gjetur në një nga ndërtesat e senatit, kanë dalë pozitive për helmin ricin. Sipas BBC-së, 16 persona kanë kaluar tashmë nëpër proçesin e dekontaminit. Por për të konfirmuar se pluhuri është vërtet ricin, helmi që mundet të marrë jetë brenda disa ditësh, do të zhvillohen dhe analiza të tjera. Për momentin, zyrtarët thonë se askush nuk ka pësuar gjë, por alarmi ka shkaktuar frikë për ndonjë sulm të mundshëm terrorist. Pluhuri është gjetur të hënën në një zarf në zyrën e udhëheqësit të shumicës së senatit, Bill Frist. Në ndërtesë tani është bllokuar hyrja-dalja. Departamenti i Sigurisë Kombëtare po mban nën kontroll situatën, ndërsa FBI-ja ka bërë të ditur se është në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave. Ndërkohë, që pas mbërritjes së rezultateve përfundimtare, do të nisin edhe hetimet lidhur me gjetjen e helmit në senatin amerikan. Në vitin 2001, senati amerikan ishte njëri nga objektivat e parë të sulmeve me antraks. Antraksi u gjet në letra dërguar dy senatorëve dhe dy zyrave të mediave të senatit, një në Neë York tjetra në Florida. Edhe pse alarmi ka qenë i madh, zyrtarët janë më pak të frikësuar nga helmi i gjetur, pasi ai mund të shkaktojë vdekjen vetëm brenda disa ditësh.
Krijoni Kontakt