------------------------------------------------------------
Zooveteriner Firdus Kurti: Për të saktësuar këtë çudi duhet të shihen organet e riprodhimit tek gjeli në fjalë
Librazhd, çudia e radhës: Një gjel bën vezë
Veza normale e një pule peshon 50-55 gram. Gjeli nuk kishte lëvizur nga vendi prej dy ditësh
Kujtim Boriçi
LIBRAZHD- Në një familje periferike të qytetit të Librazhdit, është regjistruar dje çudia e radhës. Një gjel ka bërë vezë. Në një farë mënyre, rasti i rrallë (ndoshta unikal), për të cilin specialistët krahas çudisë shprehin dhe rezerva, rrëzon aksiomën popullore "kur të bëjë gjeli vezë". Çudia e radhës është regjistruar dy ditë më parë në familjen e pesionistëve Valla, që jeton në qytetin e Librazhdit. Sipas kryefamiljarit Llazi Valla, veteriner prej disa dekadash, ka qënë ora 15:30 e dy ditëve më parë, kur pas një "lëngimi" dyditor, shoqëruar dhe me merakun e pronarëve, gjeli ka lëvizur nga vendi duke lënë aty një vezë të madhe. Veza e gjelit, peshon 95 gram, ndërsa veza normale e një pule peshon 50-55 gram. U bëmë merak për gjelin, shton bashkëshortja e Llazit, Zenepja, pasi ndryshe nga ditët e tjera ai nuk po lëvizte dhe rrinte në vendin e tij të veçantë në kotec. Ajo tregon se kur ka parë se gjeli ka bërë vezë ka menduar se u përmbys bota. “Nuk kam dëgjuar dhe nuk më ka ndodhur një gjë e tillë, megjithëse kam mbajtur vazhdimisht gjela”,- thotë më tej ajo. Gjeli që ka bërë vezën me peshë 95 gramë është normal në pamje dhe peshë (si gjithë gjelat e tjerë), por pulat që kanë të njëjtën moshë me të (të dala nga një ngrohje), kanë një peshë deri 5-6 kg, ose dy deri në tre herë më shumë se pesha normale. Sipas pronarëve vezët e këtyre pulave janë të zakonshme. Specialistët e kontaktuar nga gazeta kanë shprehur habinë për këtë paradoks, duke e cilësuar "shpërthim mutogjeneze"(jashtë natyre), por që gjithsesi duhet saktësuar. Për të saktësuar këtë çudi, shprehet specialisti zooveteriner
Firdus Kurti, duhet të shihen organet e riprodhimit tek gjeli në fjalë. Njëkohësisht, specialistët nuk përjashtojnë dhe mundësinë e gjendjes gjenitale të dyfishtë të gjelit, njëra prej të cilave mund të jetë riaktivizuar një moment (bërja e vezës) si pasojë e prishjes së ekuilibrave biologjikë. Përtej një çudie, pronarët e gjelit dhe fqinjët e tyre këtë fakt, e përflasin si një ogur të dyfishtë. Një pjesë si ndjellës mbarësie, ndërsa të tjerë si ogur të keq. Gjithsesi, pronarët e gjelit që bëri vezën me peshë 95 gram, këmbëngulin se shpendi do të rrijë dhe jetojë me ta. Ndërkohë në qarkun e Elbasanit janë regjistruar shumë çudi të tilla tek kafshët shtëpiake, dhe ato janë shpjeguar nga specialistët me “prishjen e ekuilibrave biologjikë”.
Raste të tjera në qarkun e Elbasanit
Në dy raste mushka ka pjellë në fshatin Polis
Dele lind me 6 këmbë
Viçi lind pa organe gjenitale
Gjeli lind me dy kokë
01/02/2004
------------------------------------------------------------
Gjeli paska qenë ...
------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt