Emërimi dhe shkarkimi në gjyqësor në kuadër të mekanizmit “check and balance”.
Duke ndjekur në media disa zhvillime parlamentare të lidhura ngushtë me zbatimin e mekanizmit kushtetues “check and balance” (“kontroll e barazpeshë”), sidomos për rastin që ka të bëjë me procesin e emërimit (apo shkarkimit) në nivelin e lartë të gjyqësorit, shoqëruar dhe me një kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, gjykova të rishfaq disa mendime mbi konceptimin e procesit të emërimit dhe të shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha shkallëve, në kuadër të veprimit të përgjithësuar të këtij mekanizmi kushtetues mjaft të rëndësishëm.
Për Gjykatën.
Në nenin 136 të Kushtetutës, paragrafi 4, përcaktohet mekanizmi i emërimit për gjyqtarët e gjykatave të Faktit dhe të Apelit. Këta gjyqtarë “emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Pra, burimi dhe përzgjedhësi i kandidaturave për gjyqësorin në të dy nivelet e para të tij, d.m.th. dhe propozuesi për emërimet e reja në këto nivele është Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ kolegjial, ndërsa ai që merr vendimin përfundimtar të emërimit është Presidenti i Republikës, që është njëkohësisht dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai, sipas gjykimit të tij mund ta pranojë ose ta hedhë poshtë këtë propozim, por nuk ka ndonjë detyrim ligjor, që në rastin e dytë të japë shpjegime me gojë apo me shkrim për refuzimin e propozimit të Këshillit para këtij të fundit. Në këtë mënyrë, me propozim kolegjial dhe emërim individual është ndërtuar mekanizmi kushtetues “check and balance” për emërimet në këto dy hallka të gjyqësorit. Gjithashtu, duke e parë këtë proces në thelbin e tij kushtetues, presidenti, normalisht, mund të mos marrë pjesë në procesin e përzgjedhje-votimit nga ana e Këshillit
Sipas nenit 147, paragrafi 4: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit”. Pra, ky Këshill merr masa disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatave të nivelit të parë (Faktit) dhe të dytë (Apelit) të iniciuara nga Ministri i Drejtësisë, pas verifikimeve të bëra nga inspektorët përkatës. Pra, në këto raste burimi ose propozuesi, sipas ligjit, është Ministri i Drejtësisë, dhe vendimmarrësi është Këshilli. Ky vendim është kolegjial dhe vota e presidentit, ndryshe nga emërimi si ekskluzivitet i Presidentit të Republikës për të dy nivelet e gjyqësorit, në këtë rast është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë. Megjithatë ky vendim nuk konsiderohet akoma si përfundimtar. Sipas paragrafit 6 këtij neni kundër vendimit disiplinor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjyqtari që merr masën disiplinore ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Lartë, e cila në këtë rast vendos në mënyrë përfundimtare me kolegje të bashkuara. Eshtë pikërisht kjo e fundit, që edhe mund ta hedhë poshtë vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, në këtë rast mekanizmi “check and balance” përmban tre hallka: propozimin individual, vendimmarrjen fillestare kolegjiale dhe verifikimin gjyqësor të saj, në rast ankimimi, në Kolegjin e Bashkuar të Gjykatës së Lartë. Me fjalë të tjera, në rastin e shkarkimit “verdikti” përfundimtar është në “duart” e Gjykatës së Lartë.
Përsa i përket emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136, paragrafi 1, ata emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Pra, në këtë rast presidenti është burimi i kandidaturave, bën përzgjedhjen e tyre dhe më tej dhe propozimin për marrje pëlqimi nga Kuvendi. E njëjta procedurë vlen dhe për kryetarin e kësaj gjykate që përzgjidhet midis anëtarëve të saj. Pra, thelbi i mekanizmit “check and balance” në këtë rast është: propozimi individual (presidenti)-pëlqimi kolektiv (Parlamenti). Ky proces edhe në rast refuzimi të propozimit për marrje pëlqimi është tërësisht ligjoro-kushtetues, madje nuk ka arsye që një gjë e tillë të shkaktojë pakënaqësi, “qejfmbetje” apo trajtime kushtetuese për interpretime shtesë. Në fund të fundit, ky është vetëm një proces kushtetues përzgjedhës e përcaktues, që nuk nënkupton përfaqësimin e drejtpërdrejtë të ndonjë institucioni, p.sh. të Presidentit apo të Kuvendit, në këtë gjykatë. (Ndryshe duhet të perceptohej nga Kuvendi rasti i përfaqësimit të drejtpërdrejtë apo “nominativ”, si, p.sh., ai në KKRT). Në ilustrim të këtij interpretimi flet dhe neni 140. Sipas tij: “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra”. Siç shihet nga formulimi i mësipërm, në këtë rast disiplinor, në mekanizmin “check and balance” nuk përfshihet fare institucioni i Presidentit të Republikës, por fillimisht një komision parlamentar dhe organi kolektiv kryesor i Republikës Parlamentare, që është Kuvendi, dhe më tej një organ tjetër kolegjial si Gjykata Kushtetuese. Në mënyrë të ngjashme me atë të Gjykatës së Lartë vepron mekanizmi kushtetues “check and balance” edhe për emërimin apo shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, përfundimisht mund të pohohet se, për rastin e shkarkimit të një anëtari, për të dy këto gjykata, “mbrojtjen” e tij apo fjalën përfundimtare vendimmarrëse e ka Gjykata Kushtetuese.
Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo, në rastin e emërimit të një gjyqtari në Gjykatën e Lartë apo të kryetarit të saj, neni 136 (paragrafi 1 dhe 2), ashtu siç është formuluar, ai e rrit pjesëmarrjen në cilësinë e përzgjedhjes, sepse realisht kriterin kryesor objektiv të vjetërsisë në ushtrimin e profesionit të juristit, krahas kritereve të tjera subjektive, e plotësojnë mjaft kandidatura. Për më tepër, ai shmang në maksimum preferencat individuale apo prirjet me “nuanca” neopotike e personale, duke vënë në provë emrin e përzgjedhur para kartonit të deputetëve, që, për rastin konkret, nuk duhet të orientohen nga vullneti apo interesi i formacionit politik, por vetëm e vetëm nga cilësia e kandidaturës së propozuar. Ndryshe mund të thuhet se deputetët duhet të jenë të lirë për të votuar sipas gjykimit të tyre individual dhe jo sipas ndonjë vendimi politik të grupit parlamentar në të cilin ata bëjnë pjesë. Megjithatë, normalisht, për të shmangur apo minimizuar “përplasjen” president-kuvend është e këshillueshme që presidenti, për disa emra potencialë të përzgjedhur me kujdes prej tij apo me anë të konsultimeve paraprake me individë e struktura të ndryshme, para dërgimit të propozimit të tij për marrje pëlqimi nga Kuvendi, të diskutojë, të paraqesë argumentet e tij, madje të paramiratojë në parim njerën nga kandidaturat me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të paktën të atyreve që kanë dhe peshën kryesore.
Për Prokurorinë.
Në rastin e Prokurorisë mekanizmi “check and balance” i emërimit dhe shkarkimit ka një karakter shumë më të centralizuar, duke funksionuar më shumë me një theks të qartë jokolegjial e me orientim “piramidal”, edhe pse në ligjin për prokurorinë është përfshirë dhe një strukturë prokurorësh, pranë Prokurorit të Përgjithshëm, e ngjashme me atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por që në fakt ka vetëm fuqi këshillimore dhe jo vendimmarrëse. Ky përqëndrim veprimi theksohet qartë edhe në paragrafin 2 të nenit 148 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.” Ndërsa në nenin 149 jepet përmbajtja e mekanizmit “check and balance” për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve. Kështu në paragrafin e parë thuhet: “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Siç shihet, kjo procedurë emërimi është e njëjtë me atë të anëtarit të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese. Por ndryshe vepron mekanizmi në rastin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas paragrafit 2 të nenit 149: “Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”. Pra, në këtë rast propozuesi është Kuvendi, pas një shqyrtimi paraprak në komisionin përkatës ( procedurë e përcaktuar me një interpretim të vitit 2001 të Gjykatës Kushtetuese) dhe votimi të thjeshtë të deputetëve. Vendimmarrjen përfundimtare për shkarkimin, sipas këtij paragrafi, e merr vetëm Presidenti i Republikës. Ky i fundit, në kushtet e një votimi me maxhorancë të thjeshtë në Kuvend, përbën dhe mbrojtjen reale ligjoro-kushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm.
Për prokurorët e tjerë, sipas paragrafit 3 të nenit 149, ata “emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm”. Pra, mekanizmi “check and balance” qoftë i emërimit, qoftë ai i shkarkimit përmban vetëm dy hallka individuale: burimin apo propozuesin (Prokurorin e Përgjithshëm) dhe vendimmarrësin apo dekretuesin (Presidentin e Republikës). Për ta “zbutur” pak këtë tipar të theksuar individual në ligjin për prokurorinë, siç u nënvizua më sipër, është përfshirë dhe një organ ad hoc, thjesht këshillimor, pranë Prokurorit të Përgjithshëm, për ta ndihmuar e këshilluar atë në propozimet e tij për emërim dhe shkarkim prokurorësh. Ndërsa, po sipas këtij ligji, emërimi apo shkarkimi i titullarit të një prokurorie është thjesht kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm.
***
Kjo është në vija të përgjithshme skema kushtetuese e veprimit të mekanizmit të emërimit dhe shkarkimit në kuadër të mekanizmit të përgjithësuar “check and balance” në sistemin e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Për më tepër në këtë pjesë të Kushtetutës, formulimet përkatëse janë konçize, të qarta dhe përgjithësisht pa ambiguitete. Nëse pretendohet për ndonjë paqartësi interpretimi kjo nuk duket si tërësisht reale. Bazuar në modelin e zgjedhur, për një Republikë Parlamentare, ajo mund të shfaqet vetëm me origjinë ose pamje tjetër!…
Krijoni Kontakt