Paradokset e varfërisë
Mitro Çela / 23/01/2004
Paradoksi i kohës: Pensioni minimale i shqiptarëve është më i vogël sesa minimumi jetik?! Mos vallë ky paradoks është “gatuar” nga departamenti ekonomik i Partisë Demokratike? Përkundrazi. Lajmi është zyrtar. Llogaritë i ka bërë prej kohësh Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Për një shqiptar minimumi jetik është llogaritur 87 mijë lekë të vjetra në muaj. Nga ana tjetër, po ministria jep haberin se paga minimale është 91 mijë lekë të vjetra dhe pensioni minimal 6100 lekë në muaj!
Politika “fsheh” minimumin jetik
Këto shifra, që e japin të plotë tablonë e varfërisë, kalojnë pothuaj në heshtje. Politikanët janë të “tronditur” dilema: do të ketë hetim parlamentar për tragjedinë e 9 janarit dhe ngjarjen e Shkallnurit apo jo?! Po kryeministri Nano pas takimit me Prodin në Bruksel vallë ta ketë dëgjuar se pensioni minimal është 25 mijë lekë më i ulët sesa minimumi jetik? Po raportin e PNUD-it që nënvizon se 900 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri a mund ta ketë lexuar? Unë mendoj se kryeministri, i zënë me punët e ditës dhe me udhëtimet për vakanca, nuk ka pasur “nge” të lexojë statistikat. Ndyshe nuk ke si e shpjegon faktin për firmën “e rëndë” që vendosi në vendimin e qeverisë për të ngritur çmimin e energjisë elektrike!
I pa aftë për të nxjerrë shkakun pse rritet çmimi i energjisë elektrike, edhe pse për këtë problem është folur e shkruar shumë, nisa të shfletoj disa shënime nga një takim me zotin Ismail Ahmeti. Sot është biznesmen. Dje ka qenë një ndër ekspertët dhe drejtuesit më me zë në ndërtimin dhe menaxhimin e hidrocentraleve.
A ka kosto energjia elektrike që prodhohet nga hidrocentralet?!
Unë:- A është e drejtë ideja e ngritjes së çmimit të energjisë sepse del e lartë kostoja e prodhimit të saj?
Ai:- Në Shqipëri energjia elektrike prodhohet kryesisht në hidrocentrale. I fundit hidrocentral i ndërtuar është në Komanit. Përurimi është bërë në vitin 1985. Kjo do të thotë se investimet e ndërtimit pas 28 vjetëve janë shlyer. Morali: Kostoja e prodhimit të energjisë ka vetëm vlerën e ujit të grumbulluar në rezervuarët. Shiun e hedh perëndia, çka do të thotë se kostoja e prodhimit në hidrocentral tenton drejt zeros.
Unë:- Si shpjegohet që këtë vit këtë vit KESH-i propozon përsëri ngritje të çmimit të dritave me pretendimin se kostoja e prodhimit është e lartë?
Ai:- Disa kohë më parë vizitova një hidrocentral të ndërtuar me teknologji franceze. Kishte filluar nga puna 20 vjet më parë se hidrocentrali i Komanit. Për shfrytëzimin e hidrocentralit punonin vetëm tre ekspertë. Ndërsa Komani, që është ndërtuar po me teknologji franceze, menaxhohet nga dhjetëra punonjës. Dhe shto ujë e shto miell- mijëra punonjës në KESH, fatura të papaguara, fatura të vjedhura, humbje teknike - dhe kostoja shkon në stratosferë.
Unë:- Në qoftë se mënjanojmë të gjitha këto humbje, të paktën teorikisht, mos vallë edhe çmimi i enegjisë elektrike duhet të tentojë drejt zeros?
Ai:- Kjo do të ishte utopi. Vendi ynë importon energji elektrike dhe do të vazhdojë të importojë, duke shpenzuar disa miliona dollarë. Në “treg” nuk mund të ndahet kjo është energji e importit dhe kjo e vendit. Çmimi i shitjes duhet të ketë parasysh si energjinë që prodhohet pothuaj falas nga uji dhe atë të importit. Pa folur që duhet të zënë pjesën e tyre në çmim edhe humbjet në rrjet.
Tani të rrimë shtrembër e të flasim drejt! Ka 6 vjet që qeverisemi nga një parti socialiste. Në themel të politikave ekonomike të partive të majta janë mbrojtjet sociale të qytetarëve. Vallë a do të guxonte një qeveri socialiste europiane që humbjet ekonomike të një kompanie t’ua “faturonte” qytetarëve të saj në mos me ngritje çmimesh me ngritje të taksave? Sigurisht që jo. Vetëm një parti e majtë, ajo që qeveris Shqipërinë, ka kurajo të mbulojë me ngritje të çmimit humbjet nga paaftësia e menaxhimit të KESH-it, edhe pse minimumi jetik është më i lartë se pensionet mesatare.
Ku i gjejnë paratë fshatarët për të blerë mallra?
Duke ndjekur statistikat pashë se pensioni minimal në fshat është rreth 70 mijë lekë më i vogël sesa minimumi jetik! Ku do t’i gjejnë paratë fshatarët për të paguar faturat me çmime “të kripura” për energjinë elektrike ose për të blerë mallra të ndryshme? Po të “këndosh” statistikat, mëson se 90 për qind e ushqimeve që hanë shqiptarët importohen. Tregtarët harxhojnë çdo vit 7-8 miliardë lekë për të importuar grurë, misër e miell! Pa folur që importojmë çdo vit 140 tonë qumësht; 490 tonë kos; 575 tonë gjalpë; 6 mijë tonë kastraveca dhe 28 mijë tonë mollë! Po kështu, firmat greke kanë “mbytur” prodhimin e duhanit. Duhani i famshëm i Dumresë ka mbetur “prapa listës”. Dikur nga eksporti i duhanit fitimi ishte rreth 50 milionë dollarë! Me duhan mbilleshin 32 mijë hektarë me tokë. Sot nuk mbillen as 3000 hektarë. Vite më parë nga duhani fshatarët nxirrnin të ardhura për të blerë mallra industriale. Sot ky fitim shkon për të mbushur “xhepat” e firmave greke më “bekimin” e Kuvendit të Shqipërisë: Ligji për duhanet u miratua në dëm të fshatarësisë!
Pas kësaj tabloje statistikore përsëri më shqetëson pyetja: Ku i gjejnë paratë fshatarët? Ndoshta ata që jetojnë më afër qytetit marrin rrugën e tregut fshatar. Por Shqipëria është një vend malor. Shumë fshatra janë të vendosura larg qyteteve. Një ekspert më përmëndi faktin se Shqipëria ka rreth 1 milion emigrantë. Çdo vit emigrantët dërgojnë mbi 600 milionë dollarë. Me gjuhën “e ftohtë” të statistikave del se mesatarisht çdo familje merr nga emigracioni disa dollarë në muaj! Por po të investigosh statistikat e emigracionit, del se mijëra familje nga zona të thella të vendit nuk kanë asnjë lidhje me kurbetin, d.m.th. nuk marrin as dollarë e as euro nga emigrantët.
M’u kujtuan tekset e ekonomisë politike. Sipas shënimeve të babait të komunizmës Karl Marks, në epokën e gurit, kur ende nuk kishte dalë paraja në qarkullim, me një sëpatë “blije” një dele! Mos vallë edhe fshati shqiptar po shkon drejt ekonomisë primitive, që nënkupton shkëmbimin e mallit me mall?
Krijoni Kontakt