Gjatë një takimi me Moisiun, disa zyrtarë amerikanë thanë se protestat janë mekanizmi për të çuar para demokracinë
SHBA dhe BE injorojnë Nanon në Shkup
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu u takua në Shkup me sekretarin amerikan për çështjet veterane, Entoni Principi, si dhe kongresmenët Eliot Engëll, Frenk Uolf, këshilltarin e presidentit Bush, Berri Xhekson, asistent sekretaren për politikat evropiane Ketlin Stipens dhe ambasadorin amerikan në Shkup, Leri Batler. Mësohet se gjatë këtij takimi është biseduar veçanërisht për situatën më të fundit politike në vendin tonë. Bëhet e ditur se sekretari amerikan dhe kongresmenët kanë theksuar nevojën e zhvillimit të protestave në vend, pasi sipas tyre ato janë një mekanizëm që vë në funksionim demokracinë dhe bën që ajo të jetë në rrugë të drejtë. "Në referim të situatës aktuale, sekretari amerikan nënvizoi se, do të punojmë së bashku për ndërtimin e demokracisë e institucioneve demokratike, madje këto të fundit duhen mbrojtur. Duke i trajtuar protestat në demokraci si normale për funksionimin e saj, zyrtari i lartë i administratës amerikane theksoi se, ato nuk duhen përdorur për të kthyer mbrapsht proceset demokratike. Gjithashtu, ata u shprehën se do të vazhdojnë mbështetjen në drejtim të integrimit të Shqipërisë në strukturat e NATO-s. Biseda u përqendrua dhe në zhvillimet në Kosovë, ku çështja e përcaktimit të standardeve u vlerësua si shumë e rëndësishme për të ardhmen e statusit të saj," theksohet në një njoftim të presidencës për takimin e zhvilluar në Shkup. Gjithashtu bëhet e ditur se në takim është biseduar dhe për luftën ndaj terrorizmit. Biseduesit amerikanë kanë theksuar se Shqipëria është një aleat i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Sekretari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje gjendjen në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri. "Shqipëria është një aleate e ngushtë e SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, një nga aleatet më të vendosura e të sinqerta të saj" - tha Presidenti Moisiu në fillim të bisedës me bashkëbiseduesit. "Duke nënvizuar cilësitë e shkëlqyera të trupave tona me mision paqeruajtës në Irak, Presidenti vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes trupave amerikane e atyre shqiptare në Mosul, të cilat i vizitoi pak javë më parë. Lidhur me zhvillimet në vend Presidenti u ndal në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë së vërtetë, për procesin e reformave, nevojën e menaxhimit më të mirë të tyre nga qeveria, me qëllim që pasojat në nivelin e jetesës së shtresave më të varfëra të popullsisë të mos jenë të rënda. Entoni Principi, sekretar amerikan i shtetit, vuri në dukje se SHBA po ndjekin nga afër situatën në Ballkan e në Shqipëri," thuhet në njoftim.
Krijoni Kontakt