Në momentin që bëhen gabime politike, të cilat cënojnë moralin qytetar, paguhen çmime politike. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kollaj faktin që Kryeministri mungoi në mort. Dhe herët apo vonë, ndoshta këto ditë, ai do ta paguajë këtë çmim politik
Kryeministri i Shqipërisë nuk ka respektuar kodin moral të shqiptarëve duke "munguar në mort"
"Mjaft": Nano do të paguajë çmimin e gabimit politik
Te gazeta "Zëri i Popullit" është shkruar se si ka mundësi që qeveritë e huaja të financojnë një lëvizje të tillë që arrin deri aty sa kërkon edhe dorëheqjen e kryeministrit! Nuk na financon askush. Ne kemi një bord ndërkombëtar ambasadorësh që na ka mbështetur vetëm në fushatat e mëparshme
Arbian Mazniku
Producent ekzekutiv i lëvizjes "Mjaft"
Lindur në Tiranë më 6 nëntor 1978
Mbaron shkollën e mesme tek "Partizani"
Merret me gazetën e shkollës dhe organizatat rinore
Diplomohet në fakultetin e gazetarisë
Koordinator i Organizatës Kombëtare të Debatit.
Si u bëtë pjesëtar i "Mjaft" dhe pozicioni juaj këtu?
Unë jam zv/drejtor dhe producent ekzekutiv i "Mjaft". Merrem me të gjithë pjesën mediatike, me pjesën e dizajnit, posterave e spoteve, imazheve mediatike, imazheve të protestave etj.. Punoj shumë me Erin. Pjesën më të madhe të stafit të "Mjaft" e njoh prej shumë kohësh, sepse janë produkt i organizatës së debatit, anëtar i së cilës kam qenë edhe unë. Debati është një organizatë që ka trajnuar të rinjtë e shkollës së mesme për të debatuar, folur në publik, argumentuar.
Çfarë po bën "Mjaft" aktualisht?
Jemi duke menduar se në çfarë mënyrash dhe si do të vazhdojmë lëvizjen tonë. Kishim dhe vazhdojmë të kemi plane të gjata për gjithë vitin. Mes tyre hyri ngjarja e 9 janarit. Veprime të papërgjegjshme të shtetit shqiptar lidhur me këtë ngjarje, të cilat na bënë të shkëputemi për disa momente nga planet e gjata. Ne jemi të vendosur të bëjmë diçka: ta mbajmë këtë çështje pezull. Siç kemi thënë publikisht edhe herë të tjera, kjo lëvizje kundër kryeministrit dhe qeverisë, nuk mund të jetë ligjore apo politike, por vetëm morale. Gjëja kryesore që kemi kërkuar deri ditën e protestës së madhe ka qenë që shteti shqiptar dhe kryeministri t'i kërkojnë falje popullit shqiptar. I detyrohen për këtë.
Si besoni se do të arrini faljen e kryeministrit?
Po mendojmë gjëra të ndryshme. Thelbi është ky, do të bëjmë që njerëzit të mos e harrojnë këtë që ndodhi. Kryeministri i Shqipërisë nuk ka respektuar kodin moral të shqiptarëve duke "munguar në mort". Nuk ishte i pranishëm në një ngjarje kaq të rëndësishme që njerëzit e përjetuan shumë keq. Duke mos ngushëlluar familjet apo gjithë popullin për këtë që ndodhi, duke mos kërkuar falje, sepse funksionarë të lartë të shtetit ishin përfshirë në këtë trafik, ka cënuar moralin e qytetarëve. Në fund të fundit, duhet të paguajë çmimin politik të kësaj. Ky është mesazhi që duam t'i japim politikës shqiptare të majtës dhe të djathtës, që në momentin që bëhen gabime politike, të cilat cënojnë moralin qytetar, paguhen çmime politike. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kollaj faktin që Kryeministri mungoi në mort. Dhe herët apo vonë, këto ditë, ai do ta paguajë këtë çmim politik. Dhe ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që shqiptarët të mos e harrojnë, do të ndihmojmë memorien e tyre.
A nënkuptoni dorëheqjen e kryeministrit brenda "çmimit politik"?
Jo nuk nënkuptoj dorëheqjen. Eventualisht, në raste të tilla, është njësoj sikur një i afërt i familjes nuk shkon në mort. Të tjerët nuk i flasin, janë të zemëruar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Nanon, veçse e ndryshuar në një sens politik. Qytetarët e këtij vendi do të vazhdojnë të jenë të ofenduar nga Kryeministri. Dhe kjo nuk është pak.
Për lëvizjet tuaja në vazhdim do të merrni mendimet apo idetë e bordit këshillues. Çfarë ju kanë këshilluar deri tani?
Bordi është një strukturë që kemi ngritur për qëllime thjesht këshilluese. Të kemi mundësi të marrim ide nga njerëz të mençur, por në fund vendimet përfundimtare i marrim vetë. Bordi ka qenë në një mendim me ne se është cënuar morali i shqiptarëve dhe se lëvizja "Mjaft" duhet t'i bëjë të ditur shtetit se ka bërë diçka që nuk mund të kalohet pa u vënë re. Nuk e kemi mbledhur më bordin që pas ditës së premte.
Si i komentoni shkrimet e fundit mbi "Mjaft", ku thuhet se qeveritë e huaja financojnë një lëvizje që kërkon dorëheqjen e kryeministrit?
Është momenti më i mirë për të thënë diçka, pasi mediat po spekullojnë. Tek gazeta "Zëri i Popullit" është shkruar se si ka mundësi që qeveritë e huaja të financojnë një lëvizje të tillë që arrin deri aty sa kërkon edhe dorëheqjen e Kryeministrit! Nuk na financon askush. Ne kemi një bord ndërkombëtar ambasadorësh që na kanë këshilluar dhe mbështetur për fushata e mëparshme, pra për fushatën "Mjaft" që mbaroi në korrik fushatën parazgjedhore "Këtu vendos unë", por në asnjë sekondë nuk na kanë mbështetur financiarisht për lëvizjen e fundit për 9 janarit. Këtu na kanë mbështetur qytetarët dhe një pjesë e fondeve të vogla rezervë të organizatave.
Kush ju ka mbështetur deri para fushatës së 9 janarit?
Ambasada hollandeze, angleze, gjermane, norvegjeze, OSBE-ja, por asnjë nga këto nuk ka mbështetur për lëvizjen e fundit dhe kjo duhet bërë e qartë.
Intervistoi: Alida Beqiri
Krijoni Kontakt