Çdo ditë, drejt Tiranës vijnë 150-200 viça kontrabandë, ku shumë prej tyre ngordhin gjatë rrugës, si pasojë e përplasjeve. Po ku përfundon ky mish?

Me gjithë kontrollin e ushtruar në thertore apo qendra tregtare të mishit në kryeqytet, konsumatori vazhdon të ushqehet me mish, i cili është jashtë çdo standardi dhe norme për t'u konsumuar. Nëse konsumatori kryeqytetas do të ishte në dijeni të gjendjes së atij mishi që konsumon, tregu i mishit do të braktisej menjëherë. Jo të gjithë tregtarët bëjnë lojë të ndyrë, por do të mjaftonte një linjë e dyshimtë, nëpërmjet së cilës do të furnizohej tregu dhe ky i fundit, do të vihej i tëri në dyshim.

Kontrabanda e viçave, e cila po zhvillohet në mënyrën më intensive të mundshme, ka bërë që në tregun shqiptar të futet mish i pakontrolluar. Ky lloj kontrabande, falë punës së banorëve të Tropojës dhe mbështetjes së padiskutueshme të policisë lokale, ka infektuar në mënyrë skandaloze tregun shqiptar të mishit. Natyrisht, ky mall ecën aty ku nuk njihet, por edhe aty ku standardi i jetesës është më i lartë. Në këto kushte, Tirana përbën edhe tregun kryesor të shitjes së këtij mishi. Çdo natë, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës hyjnë në Tropojë 150 deri në 200 viça në mënyrë kontrabandë, nëse mund të cilësohet kështu, pasi vetë organet e shtetit e mbështesin këtë. Viçat, të cilët mblidhen në të gjitha zonat e Kosovës, madje dhe jashtë saj, po në mënyrë kontrabandë, transportohen drejt Tiranës me automjetet e posaçme tip "IFA", të njohura për banorët e Tropojës si "IFA-t e viçave". Trageti i linjës Fierzë-Koman, i vetmi mjet që mbart peshen e lidhjes së një rrethi me pjesën tjetër te vendit e më gjerë, pushtohet nga makinat që transportojnë viçat, drejt Tiranës. Siç shprehen banorët e Tropojës, të cilët janë shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e mishit në treg, duke qenë se një pjesë e tyre e ushtrojnë aktivitetin e kontrabandës së viçave, pjesa më e madhe e tyre nuk ushqehen në mënyrë natyrale.

Por, sikur e keqja të mjaftonte me kaq. Ajo çka përbën problem serioz, madje alarmant për shtetin dhe për konsumatorin, në mënyrë të veçantë, është fakti se nga kjo mënyrë e të furnizuarit, tregu është infektuar rëndë. Gjatë transportit të viçave që, nga momenti kur ngarkohen nëpër mjete për t'u sjellë në Tiranë, shumë prej tyre ngordhin. Po ç'ndodh me viçat e ngordhur?

Persona të punësuar në transportin e viçave kontrabandë, të cilët kujdesen për ta deri në destinacion, duke dashur të tregojnë se sa i rregullt është tregu kryeqytetas, dëshmojnë se të gjithë viçat e ngordhur, priten dhe shiten si ata të gjallët. Natyrisht, blerësi në këtë rast kërkon skonton e rastit, por gjithsesi, ai hyn në radhën e mishit të rregullt.

Po cila është kostoja e këtij mishi, që nga momenti kur blihet në Kosovë e derisa mbërrin tek konsumatori në Tiranë.

Po sipas transportuesve të këtij malli, që nuk janë përfituesit kryesorë, viçat në Kosovë blihen vetëm një mijë lekë të vjetra për kg peshë e gjallë, vlerë kjo e konvertuar në euro. Natyrisht që, vlera e tyre vjen duke u rritur gjatë "pengesave" që duhet të kalohen rrugës. Është vetë shefi i komisariatit të Tropojës, i sapoemëruar në detyrë, i cili, ashtu sikurse paraardhësi i tij, përfitojnë nga kjo kontrabandë. Pjesa e luanit nga përfitimet e kësaj veprimtarie të paligjshme, i shkon kreut të policisë, i cili, në të shumtën e rasteve urdhëron shoqërimin me furgonë të policisë, nga Tropoja në Tiranë, të makinave që transportojnë viça kontrabandë, në mënyrë që t'u shpëtojnë kontrollit të kolegëve të tyre. Edhe kjo është një nga dëshmitë e atyre që bëjnë punën më të madhe në këtë veprimtari, por që fitojnë shumë pak.

Po sa arrin vlera e këtij mishi, derisa vjen në Tiranë?

Nga njëmijë lekë të vjetra për kg peshë e gjallë, i blerë në Kosovë, mishi i viçit kontrabandë, shitet në 5 lekë në Tiranë, një treg ky i favorshëm edhe për blerësin. Në këto kushte, një pjesë të konsiderueshme e tregut të mishit në Tiranë, e ka pushtuar tregtia në fjalë. Përveçse bëhet fjalë për një artikull të pakontrolluar, përsa u përket vlerave që përmban, konsumatori kryeqytetas duhet të pranojë që ushqehet edhe me mish të ngordhur. Çdo ditë, drejt Tiranës udhëtojnë deri në pesë-gjashtë "IFA" të mbushura me viça kontrabandë ku normalisht, në çdonjërën prej tyre, nga përplasja gjatë rrugës, ngordhin 2-3 viça, të cilët kanë fatin e lartpërmendur. Kushdo që vë në dyshim këto të dhëna, mund të kryejë një verifikim fare sipërfaqësor.

Mjafton të udhëtosh nga Tropoja në Tiranë, me linjën e tragetit Fierzë-Koman dhe të vihesh pas automjeteve që transportojnë viçat drejt destinacionit, që të faktosh atë çfarë serviret në këtë shkrim.

Shkëlzen Gjakova