Të paçliruar, nga çfarë?
Nga Qemal SAKAJEVA
Identiteti: Integrimi dhe Sovraniteti
I vogli, sidomos i vogli varfanjak, i dobët e në telashe të brendshme si ne, nuk flet dot siç duhet. Edhe nëse shprehet, thotë druajshëm. Duke heshtur a duke nxjerrë pak zë, kurrkush se dëgjon. E vetmja thirrje zëplot e shqiptarëve, që për nga zelli s'ka të krahasuar me asnjë komb tjetër ballkanik, është kërkesa e tyre për integrime sa më të shpejta euro-atlantike. Ky afsh, sa më i zjarrtë është bërë, cakmbërritja i është larguar edhe më. Siç ndodh nxitimi i hijes pa e kapur dot të zotin ose e kundërta.
Aspak nuk ndjehen xhelozë shqiptarët për të dorëzuar, si "taksë integrimi" në Europë, pjesë të sovranitetit. Në thellësinë e perceptimeve politike të popullit, ky investim me sovranitet në një "bankë politike të madhe e të sigurtë" bëhet këshilltar që i pëshpërit në vesh, të mos ngurojë, pasi atje do të jetë më i mbrojtur dhe me një rol më domethënës. Ky kufizim sovraniteti nuk është kurrësesi dhe në asnjë rrethanë i ngjashëm me "sovranitetin e kufizuar" të Brezhnjevit, që pat pasur qëllim mbajtjen në këmbë të Perandorisë Sovjetike, duke i nënshtruar kombe të tjerë me domosdoshmërinë e mbijetesës së komunizmit me qendër Moskën.
Por, identiteti kombetar është ndryshe nga sovraniteti në proceset integruese. Ai ndjehet, mbrohet dhe ruhet si pasuri e përbashkët: Në Bashkimin Europian gjermanët mbeten gjermanë, francezët po ashtu - francezë, anglezët anglezë, grekët grekër. Madje, edhe për krenari sportive, siç është fitorja e një ndeshjeje futbolli apo e një Kampionati Botëror. Tërësia e kulturës dhe historisë së popullit përbën atë veçori që i jep ngjyrime një bashkimi të madh.
Ndër shqiptarë, të gjendur në rrethana të këqija përballë këtyre proceseve, për politika të caktuara të brendshme e rajonale, edhe identiteti i tyre është tronditur sa ka prej tyre që janë gati edhe ta lenë. Heshtja e institucioneve, e personaliteteve dhe e vetë popullit, së paku flet për një gjendje të rënë, në pritje për t'u ngritur. Por, kur dhe si? Askush nuk jep përgjigje.
Identiteti: Toponime të dhunshme
Pas 1991, më ka rastisur të udhëtojë në vende fqinje si: Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën, atëhere ende nën Serbi. Jam takuar me personalitete të ndryshme të medias, shkencës dhe politikës. Shpeshherë, ka ndodhur që disa prej tyre, ta kujtonin Shqipërinë se është vend i përmbytur me toponime sllave.
Këtij vëzhgimi nuk i iket dhe as nuk i shmangesh. Më e vështira nuk është përgjigja si u vendosen ato, por tjetërçka: Në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi, ashtu dhe në Kosovë, politikat e shteteve atje, mjaft të kthjellta, si për nga taktikat dhe strategjitë e tyre, i kanë ndryshuar toponimet ne shqipe, duke i sllavizuar apo greqizuar ato. Këto nuk janë ndryshime të kryera përtej shekujve, por të përfunduara në kohët tona, kur njerëzit ende janë gjallë dhe kanë qënë të detyruar t'i thërrasin vendet e tyre ndryshe. Madje, përfshirja brenda ndryshimeve edhe emrave të njerëzve në këtë tjetërsim, përbën kulmin e agresivitetit të politikave nacionaliste që s'kanë njohur ndalje.
Kjo është një përpjekje e kotë apo e plotë? Ato nuk janë duke punuar për sot, por për historinë e tyre edhe pse gjënden të përfshira në procese integruese. Në gjithë ato vende, qeveritë i ndryshuan toponimet dhe nga qeveri të vendeve të tjera ato nuk u kritikuan kurrë për këtë.
Këtu, në Shqipëri, nuk është kryer i njëjti proces. Diktatura komuniste, duke qënë pjesë e qëndrave të komunizmit botëror, nuk i trazoi toponimet e detyruara nga pushtimet për dy shkaqe:
Sepse qe e vetëdijshme se ato nuk duhet të ndryshoheshin në socializmin e vendosur gati në gjysmën e botës. Për të, e rëndësishme ishte të quheshe komunist dhe vendi të bënte pjesë në perandorinë komuniste.
Sepse, drejtuesit komunistë në Shqipëri kishin frikë të ndërmerrnin ndryshimet e natyrshme. Ata duke qënë vasalë të Beogradit, s'guxonin të ndryshonin asgjë. Vetë diktatori pati deklaruar në Rinas pas kthimit nga vizita në Jugosllavi, se ishte i lumtur që shqiptarët ndjeheshin pjesë e popujve të mëdhenj të Republikës Federative te Jugosllavise. Qeveria komuniste e Tiranës, as nuk donte e as nuk guxonte të ndryshonte qoftë edhe një shkronjë të toponimeve sllave.
Duke qënë vasalë të Moskës, kjo s'mund të bëhej hiç e hiç. As që i vinte nëpër mend.
Dukë u bërë vasalë të Pekinit, ishte koha për punë të tjera. Pastaj, "në shtëpinë e të varurit" nuk përmendej litari. Tirana e nevojave për ndihmat e Pekinit per mbijetese, nuk mund të prekte kallon kineze për gjëra të ngjashme që kanë ata, me popuj të tjerë ne vendin e tyre.
Këtu ndër ne, edhe pse gjithçka varej nga byroja politike, shkenca historike shqiptare, të paktën të kishte guximin për të folur se duhej bërë kjo ndreqje historike dhe gjuhësore: Shqiptarët, që vendet e tyre i kanë thirrur shqip, pse të mos i thërrasin përsëri në shqip? Ata i kanë pasur këto emra, por ua kanë ndryshuar pushtuesit dhe, me kohëzgjatjen e pushtimit, ata kanë synuar t'ua fshijnë atyre nga kujtesa.
Kosova, pas çlirimit me 12 qershor 1999, u është kthyer emërtimit në shqip të toponimeve, me të gjitha llojet e mediave, për ta rimësuar popullin me to. Ky nuk është "shqiptarizim i Kosovës", siç po mundohen serbët ta paraqesin gjithçka pas luftës atje. Ajo që ka ndodhur dendësisht dhe me lloj-lloj formash të përdhunshme ishte serbizim i saj, ndërsa dihen toponimet iliro-shqiptare atje.
Politika e sotme e Shqipërisë në demokraci, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, nga çfarë kanë droje për të bërë ndryshimet e duhura? Në fund të fundit, kjo çështje lipset të shtrohet, pas gjykimeve racionale dhe përvojave të fqinjëve, le të vendoset. Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi, pse ta kenë më lehtë se sa ne, sllavizimin dhe greqizimin e toponimeve të njohura në shqip? Kosova, pse ta ketë më lehtë, edhe pse UNMIK nuk e ka njohur, t'i thërrasë në shqip emrat që kanë qënë në shqip?
Toponimet e detyruara nga pushtuesit, kanë qënë për përhumbjen e identitetit. Mbajtja e tyre përjetësisht, janë vetëmosnjohja e jone e identitetit.
Identiteti: Tjetërsim në emër të Zotit
Historia ka nisje dhe s'ka fund, deri në çastin e mbramë të ekzistencës. Dihet, gjithashtu se, pushtimet i kanë ndryshuar popujt dhe rrjedhat e tyre historike. Por, në kohën tonë, kur shqiptarët gjëndet në një ekuilibër të caktuar, përmes fatit të tyre të ashpër, duhet të mos lejojnë cënime të identitetit të tyre të fiksuar, edhe kur bëhet në emër të Zotit. Sidomos, ekuilibret fetare, harmonia e vendosur mes feve kryesore, është si një tokë e vjetër ku kanë pushuar tërmetet shkatërruese. Nëse kërkohen forca të sajuara, për t'i vënë "këto shtresa gjeologjike" në fërkime mes tyre, synimet atëhere janë të mbrapshta, për të afruar dhe këtu atë që shohim kohe pas kohe, psh në Irlandë.
Këtë dukuri, e patëm vënë re sidomos në Kosovë, edhe pas rrënimit të kushtetutës së saj dhe trysnisë serbe atje, me të gjitha të këqijat e mendjes më të keqe. Bota, shumë vonë, u bind se Kosova qe një nga skllavëritë më të heshtura në shekullin e 20. Shëmtimi më i turpshëm i pushtimit serb ishte marshimi me kisha. Kjo kishte ndodhur edhe nëpër shekujt e shkuar. Por, pas vitit 1989, Serbia e mbolli Kosovën me kisha të vogla e të mëdha, deri atje ku mund të ishin dy familje serbe ose edhe deri m'u në qëndër të Universitetit. Për nga popullsia, Kosova ishte 90% shqiptare, për nga numri i kishave Kosova u bë 90% serbe. Kështu nuk thotë Zoti. Kështu, tha Kisha Serbe në emër të pushtimit të Kosovës me kisha dhe tjetërsimit të identitetit të saj shqiptar, gjoja në emër të Zotit.
Këtë dukuri, po e vëmë re edhe në Shqipëri. Fatmirësisht, harmonia fetare që gjëndet mbi një bazë të konsoliduar, ende nuk është tronditur. Por të mos bëhemi naivë, për të mos vërejtur dhe, të mos jemi dritëshkurtër, për të mos shikuar, se në emër të Zotit, ka përpjekje të fshehta dhe të hapura, për të përkeqësuar marrëdhëniet e mira ndërfetare të shqiptarëve. Besimi është vetjak. Gjithkush është i lirë të praktikojë fenë që ka e që do. Kurrkush nuk duhet të detyrojë qytetarin në çfarë feje dëshiron t'i lutet Zotit. Ka pasur vitin e kaluar një regjistrim të popullsisë. Ende nuk dimë si është përqindja në raport me njëra-tjetrën e tri feve bazë të popullit tonë. Por, sido që të jetë ajo, në emër të Zotit ka një tjetërsim të papranueshëm të identitetit të njerëzve: Sipas një statistike jo zyrtare, u janë ndryshuar emrat me mënyra të papranueshme, të dhunshme apo të stërholluara rreth 280 mijë shqiptarëve, duke i kthyer ata nga emra myslimanë, paganë apo të kuptimit të mirëfilltë shqip në emra ortodoksë grekë. Nëse këta kanë pranuar ta bëjnë këtë për nevoja ekonomike, kisha greke, përmes strukturave ekzekutive - punë dhe pronarë - e ka bërë në emër të një misioni. Ky tjetërsim i përmasave shkatërruese te raporteve, i thirrur të funksionojë në një fazë tjetër, është shoqëruar edhe me ndryshimin e raporteve te infrastrukturës së objekteve te kultit. Tanimë, kanë ndodhur takimi i dy kishave ortodokse, assaj greke me atë serbo-malazeze, me dy kishat e medha ortodokse te stilit grek, të ndërtuara në Lezhë dhe në Shkodër. Ndoshta, për nga infrastruktura, numri i objekteve të kultit të ngritura në këto 10 vjetët e lirisë së fesë, besimin fetar ortodoks e nxjerr në krye të dy besimeve të tjera, atij mysliman dhe katolik.
Çdo ndryshim në emër të Zotit, për t'i shërbyer një politike të dyshimtë, i duhet thënë ndal.
Identiteti: Një leksion amerikan
Jam një shikues dhe dëgjues i vëmendshëm i "Zërit të Amerikës". Ai më nxit tri ndijime.
Profesionale - si publicist.
Atdhetare - ata e kanë bashkuar hapësirën informative shqiptare.
Historike - ata bëjnë atë që këtu thuajse është braktisur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihen ndër ne si mbrojtës të të drejtës shqiptare. Ndoshta, në këto kohë mjaft të vështira, sidomos qysh nga 1997-ta, sovraniteti dhe identiteti ynë, edhe pse të tronditura tej mase, mbijetuan në saj të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka mjaft kritika ndaj dominimit të shumëanshëm grek në Shqipëri. Por, nëse ka ndodhur e keqja, më e keqja nuk ndodhi vetëm sepse ka pasur një SHBA. Ato duan një Evropë Juglindore me raporte politike të balancuara, demokratike dhe bashkërisht të përfshira në proceset integruese - secilin në shtëpinë e vet, të gjithë në shtëpinë e përbashkët që quhet Europë.
SHBA dhanë një leksion të madh të përbotshëm pas 11 shtatorit. Amerikanët u shfaqen më patriotë të gatshëm për luftë kundër terrorizmit, të palodhur për ndërtim, kendojne këngë patriotike per Ameriken, madje edhe lindjet janë shtuar pas 11 shtatorit, siç vëren statistikat amerikane.
Pas aktit terrorist të rrëzimit të shtetit më 1997, shqiptarët ikën, ata tjetërsojnë veten, ndryshojnë emra dhe fenë. Mediat janë në shkallën e verbërisë: Për Kosovën japin lajme si për një vend të largët diku, kur ndodh diçka. Për emigrantët mbyllin veshët - heshtin të gjithë ato, qeveria, shteti. Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve u përkujtua, por kurrë ky shtet nuk i ka përkujtuar emigrantët e vet ne keto 10 vjet.
Më shqip, është emisioni shqip i "VOA", se sa i çdo televizioni në Shqipëri, a i të gjithëve bashkë. Kurrë kjo radio amerikane s'ka bërë marrëzira të llojit të mediave tona dhe disa gazetarëve shqiptarë. Një gazetë e përditshme e shpallur si shumë profesionale, shqiptarët e Maqedonisë, tanimë që kanë të njohur edhe me ligj gjuhën e tyre, i quajti shqipfolës. Po ajo gazetë, tek publikonte përgatitjen e spektaklit "Duam më shumë Shqipërinë", artistin e famshëm nga Kosova, Bekim Fehmiu, e quante shqipfolës! Televizione private dhanë konferenca për shtyp për "Miss Shqipëria" dhe folësi kryesor, tha se në këtë spektakël ishte ftuar një drejtor fotografie nga Kosova dhe një shqiptar. Kryeministri, në një intervistë të gjatë në një televizion privat, tani së fundi, duke folur për të huaj dhe shqiptarë në raport me një program të qeverisë, për shqiptarë të Shqipërisë perdori termin shqipfolës!
Shqipëria dhe Kosova janë një komb, një hapësirë jetike, por me dy shtete. Identiteti është kombi dhe jo shteti.
Identiteti: Naimi "arkaik"!
Ndër poezitë e Naim Frashërit, ndoshta dy prej tyre, njihen qysh nga vocrrakët, duke recituar disa vargje. Ato janë "Ti Shqipëri me jep nder / më jep emrin shqiptar /" dhe "Gjuha shqipe".
Pa të drejtë apo me të drejtë, emri i shqiptarëve është përbaltur keqas në Perëndim, çka e ka dëmtuar identitetin e tyre. Por, ikja prej varfërisë, në një kohë tjetër nga ajo e Naimit, sillet e çuditshme. Një mikut tim të ditur nga Përmeti, iu kthye i nipi nga Toronto ku ka shkuar me prindërit e emigruar së voni. Gjyshi, duke u përpjekur në kohën e shkurtër, për t'i ngjallur nipit ndjenjën e dashurisë për Shqiperine, nisi t'i recitonte Naim Frashërin:
Ku është balta më e ëmbël se mjalta?
- Gjysh, foli vogëlushi pak i habitur - Baltë ka këtu. Në Kanada nuk ka baltë.
Sipas statistikave të publikuara, 30 perqind e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë nuk dinë të flasin shqip. Identiteti ndër ne, në një hallakatje të përgjithshme për shumë shkaqe, edhe në mos thuhet, trajtohet si diçka e keqe. Shqiptarët nuk janë aq të shumtë për t'u "shitur" nga qeverisjet kaq lirë.
Artikull shume interesant dhe qe prek probleme te mprehta.
Krijoni Kontakt